COMECE: të caktohet një Koordinator i BE-së për të luftuar urrejtjen antikristiane

Alessandro Calcagno, këshilltar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të BE-së, foli në Parlamentin Evropian, në kuadrin e Mëngjesit Evropian të Lutjes: "Mendojmë se ka ardhur koha për këtë hap, pa vënë në diskutim veçoritë e bashkësive hebraike e myslimane, që kanë koordinatorë të ngjashëm. Nuk është viktimizëm, por mundësi e barabartë për t’u mbrojtur”

R.SH. – Vatikan

“Ka ardhur koha për emërimin e një koordinatori të BE-së për luftën kundër urrejtjes antikristiane në Evropë”. Propozimi vjen nga COMECE, Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, i cili e diskutoi këtë çështje në edicionin e 27-të të Mëngjesit Evropian të Lutjes, të mërkurën, më 4 dhjetor, në Parlamentin Evropian, në Bruksel.

Themeluar në vitin 1998, kjo veprimtari është vend takimi ku përfaqësues të fushave të ndryshme mund të mblidhen për të krijuar marrëdhënie me në qendër Jezu Krishtin e mësimet e tij. Edicioni i 27-të i Mëngjesit të Lutjes Evropiane u mbajt në kuadrin e konferencës me temën "Ruajtja e lirisë fetare në Evropë - Sfidat aktuale dhe perspektivat e ardhshme”. Në emër të COMECE-s, ishte i pranishëm Alessandro Calcagno, këshilltar i organizmit për të drejtat themelore.

Mbrojtja e plotë e lirisë fetare

“Tepër shpesh, - e mori fjalën ai - liria fetare paraqitet si e drejtë 'problematike' dhe përmasa e saj kolektive, krahasuar me atë individuale, neglizhohet. Toleranca nuk mund të zëvendësojë mbrojtjen e së drejtës themelore të lirisë fetare”. Përsa u përket simboleve, mesazheve dhe shprehjeve fetare, këshilltari nënvizoi se kur ato fyejnë ndjeshmërinë e besimtarëve, ose të jobesimtarëve, cënojnë seriozisht mbrojtjen e plotë të lirisë fetare.

E kjo nuk ka të bëjë vetëm me pakicat fetare, por duhet të jetë pjesë e politikave evropiane për të luftuar çdo diskriminim për arsye fetare, duke iu larguar dinamikës së “shumicës kundër pakicës”. Për këtë, Alessandro Calcagno kërkoi emërimin e një Koordinatori të Bashkimit Evropian për të luftuar urrejtjen kundër të krishterëve, siç e kanë edhe bashkësitë hebraike e myslimane. Vetëm kështu, u sigurohen të gjithëve mjete të barabarta për mbrojtjen e lirisë fetare, theksoi ai.

06 dhjetor 2024, 15:54