Kërko

Siri, Kisha në Halep Siri, Kisha në Halep

Comece, Siria të ketë tranzicion pushteti të rregullt dhe paqësor

Imzot Marino Crociata, kryetar i Komisionit të episkopateve evropiane, u drejtoi një letër miqësore prelatëve të Alepit: të refuzohen ekstremizmi dhe sektarizmi, të garantohet ndihma për të zhvendosurit dhe mbrojtja për pakicat fetare

R.SH. / Vatikan

Refuzojeni sektarizmin dhe ekstremizmin, "duke përqafuar kontributet dhe identitetet unike të pakicave të shumta etnike dhe fetare, që e pasurojnë kombin e Lindjes së Mesme", mbrojini tempujt e pakicave dhe viset fetare, siguroni hyrjen e ndihmave humanitare dhe kthimin e sigurt të njerëzve të zhvendosur në shtëpitë e tyre: këto, dëshirat e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) që sot, 11 dhjetor, informon në një shënim se ipeshkvijtë e BE-së po i ndjekin me kujdes zhvillimet në Siri dhe, duke iu drejtuar qeverisë së re, shprehin "besimin e tyre për një tranzicion të rregullt dhe paqësor të pushtetit". Nënvizohet edhe se, përpara rënies së qeverisë së Bashar al-Assad, presidenti i COMECE, Imzot Mariano Crociata, i drejtoi një letër, datuar 7 dhjetor, kryeipeshkvit të Maronitëve të Alepit, Joseph Tobjie dhe të gjithë prelatëve të tjerë të Kishave të krishtera të vendit:

"Ju shkruaj me zemrën plot solidaritet, dhembshuri dhe shqetësim të thellë për vuajtjet dhe pasigurinë e pamasë, që ju dhe besimtarët tuaj po e jetoni në Halep dhe pjesë të tjera të Sirisë" - pohon Imzot Crociata në mesazh, duke përsëritur angazhimin e Comece-s për të mbështetur nevojat e popullit sirian, e duke nisur nga mobilizimi i burimeve për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive, deri tek rivendosja e mjeteve të jetesës e tek ndjekja e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në vazhdim”.

 “Jemi thellësisht të prekur nga qëndresa dhe feja e bashkësive të krishtera në Siri, që vazhdojnë ta dëshmojnë dashurinë për Krishtin edhe përballë këtyre fatkeqësive. Qëndrueshmëria juaj në mbrojtjen e riteve të shenjta, kujdesi për bashkësinë dhe ngjallja e shpresës për ata që po mbartin barrën e rëndë të luftës - vëren Imzot Crociata në letër - është dëshmi e forcës së fesë suaj dhe e pranisë së qëndrueshme të Shpirtit Shenjt ndërmjet jush. Urojmë që të krishterët në Siri "të mund të qëndrojnë në atdheun e tyre, të vazhdojnë të jenë dëshmitarë të Zotit tonë dhe të kontribuojnë në shoqëri me shpirt vëllazërimi dhe shërbim ndaj të tjerëve".

Prej këndej, ipeshkvijtë evropianë shpresojnë se lutjet dhe përpjekjet, qofshin edhe "vetëm një gjest i vogël solidariteti dhe feje, [...]do të përcjellin thellësinë e shqetësimit tonë dhe forcën e lidhjes sonë si vëllezër dhe motra në Krishtin". Së fundi, një mendim për Krishtlindjet e afërta: “Për të krishterët, kremtimi i lindjes së Jezu Krishtit është dritë e shpresës. Në këto kohë të errësirës, ​​dëshirojmë të ndajmë me të gjithë njerëzit e vuajtur të Halepit dhe të pjesës tjetër të Sirisë mesazhin e “Princit të Paqes”, që i kapërcen të gjithë kufijtë dhe na fton të përqafojmë solidaritetin dhe vëllazërinë njerëzore në zemrat dhe mendjet tona.

Zoti vazhdoftë t'ju bekojë, t'ju mbrojë dhe t'ju japë forcën të qëndroni të fortë në fe. Ne lutemi - përfundon Imzot Crociata - për paqen në Siri, fundin e vuajtjeve dhe rikthimin e shpresës e të dinjitetit për të gjithë ata që u prekën nga ky konflikt.

11 dhjetor 2024, 17:00