Dom Daniell Markprekaj Dom Daniell Markprekaj

Dom Daniell Markprekaj: domëthënia e Kohës së Ardhjes

Koha e Adventit ka, pra, një karakter të dyfishtë: është një periudhë përgatitore për solemnitetin e Krishtlindjes, kur kujtohet ardhja e parë e Birit të Zotit ndër njerëz, dhe njëkohësisht është një kohë pritjeje shpirtërore për ardhjen e dytë të Krishtit në fund të kohëve. Po Kisha na fton të përgatitemi për Krishtlindjen aktuale, sepse edhe sikur Krishti të lindte dhjetëmijë herë në Betlehem, s’ do të të vlente hiç fare, në se nuk lind në zemrën time dhe tënde.

R. SH. / Vatikan

Ardhja është koha liturgjike që paraprin dhe përgatit për Krishtlindje: në ritet e krishtera perëndimore shënon fillimin e vitit të ri liturgjik. Fjala Advent rrjedh nga latinishtja adventus dhe do të thotë “mbërritje, ardhje, afrim” megjithëse, në kuptimin më të përhapur, tregohet si kohë “pritjeje”. Kështu, koha e Ardhjes është kohë liturgjike e përgatitjes shpirtërore për Krishtlindje, në të cilën kujtohet ardhja e parë e Birit të Hyjit në mesin e njerëzve. Në të njëjtën kohë është kohë në të cilën, përmes kësaj kujtese, shpirti udhëhiqet për të pritur ardhjen e dytë të Krishtit në fund të historisë e kohës. Në kёtё periudhë shpirtërore qё paraprin e përgatit Krishtlindje, Kisha na flet sidomos për Kohën e Ardhjes, si rast tё volitshëm për ta kuptuar plotësisht lindjen e Jezusit në Betlehem dhe për të krijuar lidhje personale me Birin e Zotit.

Po më tepër mbi domethënien e kësaj periudhe liturgjike të Ardhjes, të ndjekim meshtarin nga dioqeza Prizren-Prishtinë, dom Daniell Markprekaj.

Dom Daniell Markprekaj.

Termi latin adventus (përkthim i greqishtes parousía ose epipháneia), në gjuhën e cultit pagan (fetare pagane), nënkuptonte ardhjen vjetore të një hyjnie në tempull për të vizituar besimtarët e vet. Kronografi romak i vitit 354 përdor formulën Adventus Divi për të treguar ditën e përvitshme të ngjitjes në fron të Konstandinit të madh, Ilir.

Tek autorët e krishterë të shekujve III-IV, adventus është, ndër të tjera, një nga termat klasikë që përdoren për të treguar ardhjen e Birit të Zotit midis njerëzve, manifestimin (shfaqjen) e tij në trupin njerëzor (tempullin e mishit të tij).

Domethënia teologjike e Kohës së Ardhjes: në sakramentarët e lashtë romakë, ky term përdoret për të treguar si ardhjen e parë të Birit të Zotit në mish (adventus secundum carnem), ashtu edhe kthimin e tij të dytë në fund të historisë e kohëve: in secundo cum venerit in maiestate sua (në ardhjen e dytë, kur të vijë në madhështinë e tij).

Kështu termat Adventus, Nativitatis et Epiphaniae shprehin një të vërtetë të të vetme themelore – domethënë misterin e ardhjes së Zotit në kohë dhe histori për shpëtimin e njerëzimit – dhe në anën tjetër na fton të reflektojmë se si termi Adventus u bë identifikues për periudhën liturgjike përgatitore të Krishtlindjes.

Koha e Adventit ka, pra, një karakter të dyfishtë: është një kohë përgatitore për solemnitetin e Krishtlindjes, kur kujtohet ardhja e parë e Birit të Zotit ndër njerëz, dhe njëkohësisht është një kohë pritjeje shpirtërore për ardhjen e dytë të Krishtit në fund të historisë dhe kohëve.

Në fund të shekullit të IV, në Gali dhe në Spanjë (të ungjillëzuar në shekullin e II) gjenden gjurmët e para të një periudhe përgatitore për Epifaninë (Dëftimin e Zotit). Dëshmia më e hershme është një tekst i atribuar sipas traditës Shën Hilarit të Poitiers (+367), ku përmenden tri javë përgatitore për festën e Epifanisë. Kanuni i katërt i Koncilit të Parë Kishtar të Zaragozës, mbajtur në vitin 380, i ftonte besimtarët të merrnin pjesë në asamble gjatë tri javëve që i paraprinin festën e Epifanisë.

Kjo periudhë kishte edhe një karakter përgjithësisht asketik, por pa shprehje a rit specifik liturgjik. Me sa duket ishte një kohë përgatitore për Sakramentin e Pagëzimimit, që në Kishat hispano (spnjolle) -galikane administrohej, sipas traditës lindore, ditën e Epifanisë së Zotit.

Në shekullin e V kemi informacione më të sakta nga Galia. Dëshmia më e rëndësishme është rregullimi i agjërimit nga Perpetu i Tur-it (+490). Ky agjërim bëhej tri herë në javë dhe fillonte nga festa e Shën Martinit (11 nëntor) deri në Krishtlindje. Studiuesi J.A. Jungmann është i mendimit se kjo rregullore mund të jetë në një traditë me e hershme e quajtur “Kreshma e Shën Martinit”.

Në Kishën e Romës, ku kremtimi i pagëzimit në festën e Epifanisë nuk ka qenë kurrë në praktikë, nuk kemi ndonjë dëshmi për një periudhë përgatitore për Krishtlindje para gjysmës së dytë të shekullit të VI. Megjithatë, që në origjinë, kjo periudhë përgatitore ka qenë një institucion specifik liturgjik. Dokumentet më të hershme që lidhen me këtë janë tekstet liturgjike të Sacramentarium Gelasianum Vetus (GeV) dhe, më pas, ato të Sacramentarium Gregorianum Hadrianum (GrH). Formularët e 'Tempora' të muajit dhjetor fillimisht kishin një kuptim të pavarur nga përgatitja për Krishtlindje, por më vonë u përfshinë në këtë periudhë liturgjike.

Kështu, koha e Ardhjes përbëhet nga dy pjesë:

1. Deri më 16 dhjetor: liturgjia përqendrohet në pritjen e ardhjes së fundit të Krishtit, që ndodh në Parusi.

2. Nga 17 dhjetori e në vijim: fillon pjesa e dytë e Kohës së Ardhjes, e cila përqendrohet në përgatitjen për kremtimin e lindjes së Jezusit dhe leximin e

fragmenteve ungjillore që flasin për këtë pritje.

Koha e Ardhjes është pra kohë që shpreh:

 Dëshirën për ta parë dhe takuar Jezusin;

 Kujtimin se një ditë Ai do të kthehet në lavdi;

 Rinovimin e sigurisë se Ai vërtet do të vijë;

 Shpresën e një pritjeje aktive për ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krishtit në jetën tonë.

Papa Benedikti XVI duke folur mbi kohën e ardhjes, mes tjerash pati pohuar se: “Zoti vjen! Vjen përsëri sot, ashtu si atëherë kur u përmbushën kohët, dymijë vjet më parë. E nuk pushon së vepruari në historinë, edhe në mijëvjeçarin e tretë. Kështu, liturgjia e kohës së Ardhjes na bën ta jetojmë  plotësisht misterin e Ardhjes së Zotit: pritjen e pafundme të shekujve; çastin e hyrjes së Tij në gjenealogjinë njerëzore përmes misterit amtar të Virgjrës Mari; ardhjen përfundimtare, kur koha do t’ia lëshojë vendin amshimit. Kështu çdo vit përtërihet ndjenja gazmore e pritjes dhe bëhet gjithnjë më këmbëngulëse nevoja për pendesë e kthim te Zoti që vjen”.

05 dhjetor 2024, 07:21