Dom Daniell Markprekaj: Jubileu i 'Shpresës që nuk zhgënjen'
Jemi afër shpalljes së Vitit Jubilar 2025, e pikërisht më 24 dhjetor, Natën e Krishtlindjes, Papa Françesku do të hapë Portën Shenjte e do të fillojë Jubileun e Shpresës. Ati i Shenjtë na fton të lutemi e të përgatitemi gjatë gjithë këtij viti, "që ky Jubile të na përforcojë në fe, të na ndihmojë ta njohim Krishtin e ngjallur në mesin e jetëve tona, si edhe të na shndërrojë në shtegtarë të shpresës së krishterë" . Këtë ngjarje të Kishës universale mund e jemi të thirrur ta përjetojmë të gjithë.
ÇFARË ËSHTË JUBILEU?
Në traditën katolike, Jubileu është një ngjarje e jashtëzakonshme kishtare. Është një vit hiri, faljeje dhe pajtimi, gjatë të cilit besimtarët ftohen të përjetojnë më thellë mëshirën e Zotit. Jubileu është një kohë e veçantë për faljen e mëkateve dhe lirimin nga dënimet për to, një moment për pajtimin mes njerëzve dhe për kthimin shpirtëror, përmes sakramentit të Rrëfimit a Pajtimit.
Jubileu është edhe një periudhë që thërret në solidaritet, drejtësi, shpresë dhe angazhim të përkushtuar ndaj të Zotit dhe të afërmit, duke përçuar gëzim dhe paqe mes vëllezërve dhe motrave. Mbi të gjitha, viti jubilar është një kohë e shenjtë kushtuar Krishtit, burimit të jetës, hirit dhe mëshirës për mbarë njerëzimin. Ai na fton në një marrëdhënie më të thellë me Të, përmes kthimit shpirtëror dhe përforcimit të fesë sonë.
Jubileu është një mundësi e veçantë për të përjetuar praninë e Zotit, për të rigjallëruar jetën tonë shpirtërore dhe për të ndërmarr me besim shtegtimin drejt jetës së përjetshme. Jubileu, zakonisht, quhet ”Viti i Shenjtë ” jo vetëm për shkak të fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të tij me rite solemne të shenjta, por sepse nxit shenjtërimin e jetës dhe afrimin me Zotin përmes pendesës dhe angazhimit shpirtëror.
JUBILEU SIPAS BIBLËS
Termi jubile rrjedh nga hebraishtja yobel, që do të thotë; një bri dashi a cjapi, instrumentit me të cilin shpallej fillimi i vitit jubilar. Ky vit festohej çdo pesëdhjetë vjet, ndërsa çdo shtatë vjet përsëritej viti sabatik, gjatë të cilit toka lihej të pushonte: “Numërojini shtatë javë vitesh, d. m. th. shtatë herë shtatë, që të gjitha së bashku bëjnë dyzetë e nëntë vjet. Atëherë bjerini trumbetës në muajin e shtatë, të dhjetën ditë të muajit, Ditën e shpërblimit, bini trumbetës anekënd vendit tuaj. Të pesëdhjetin vjet shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve. Ky le të jetë për ju jubile: le të kthehet secili në pronën e vet, le të kthehet secili në fisin e vet të mëparshëm. I pesëdhjeti vit le të jetë për ju jubile” (Levitiku, 25, 8).
Gjatë vitit jubilar, toka duhej të mbetej e pa punuar dhe borxhlit rishtas fitonin pasurinë që kishin humbur, ndërsa shërbëtorët liroheshin. Ky ishte një lloj kthimi në origjinë dhe një fillim i ri i historisë njerëzore: jubileu kujtonte pushtetin e Zotit, i cili “në ditën e shtatë pushoi” dhe, njeriu duhet së pari ta lavdërojë dhe ta falënderojë Atë dhe të bashkëndajë pasuritë tokësore me të tjerët.
JUBILETË GJATË HISTORISË SË KISHËS
Jubileu i parë në historinë e Kishës është mbajtur nga Papa Bonifaci VIII në vitin 1300 , me bullën Antiquorum habet fida relatio. Ky Jubile u frymëzua nga një nevojë për të kthyer sërish në botën e krishterë shpirtin autentik, faljen dhe vëllazërinë e krishterë, si një kundërpeshë ndaj urrejtjeve dhe dhunës që ishin të përhapura në atë epokë. Shkaku i shpalljes lidhej me një besim të përhapur, që nisi të qarkullonte në dhjetor të vitit 1299, sipas të cilit, gjatë kësaj periudhe nga viti 1300, vizitorët e Bazilikës së Shën Pjetrit do të përfitonin “shlyerjen e plotë të mëkateve”.
Turmat e jashtëzakonshme të shtegtarëve që mbërritën në Romë dhe nxitën Papën Bonifaci VIII të shpallte indulgjencën a faljen e plotë të mëkateve gjatë gjithë vitit 1300. Ai vendosi gjithashtu që kjo praktikë shpirtërore që përsëritej në të ardhmen çdo njëqind vjet, duke e bërë atë një ngjarje të rregullt në jetën e Kishës, si kohë hiri dhe mëshire të veçantë për besimtarët. Më vonë, pas një kërkese nga Romakët drejtuar Papa Klementit VI (1342), kjo periudhë u reduktua në 50 vjet, dhe jubileu i dytë u mbajt në vitin 1350. Në vitin 1389, gjatë skizmës (ndarjes) së madhe perëndimore, Papa Urbani VI vendosi që jubileu të mbahej çdo 33 vjet, si kujtim i moshës së jetës tokësore të Krishtit, dhe shpalli jubileun e vitit 1390, i cili u kremtua nga Papa Bonifaci IX.
Në vitin 1400, Papa Bonifaci IX shpalli faljen e mëkateve gjatë gjithë jubileut për shtegtarët që shkuan në Romë gjatë periudhës 50-vjeçare vendosur nga Papa Klementi VI. Papa Martini V, dy vjet pas përfundimit të jubileut 33-vjeçar të vendosur nga Urbani VI (1423), kremtoi një jubile të ri në vitin 1425, duke hapur për herë të parë portën e shenjtë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë. Papa Nikolla V kremtoi jubileun 50-vjeçar në vitin 1450, por nga Papa Pali II e tutje, periudha ndërmjet jubileve u reduktua në 25 vjet.
DOMËTHËNIA E BULLËS
Me emrin bullë; (lat. bulla) nënkuptohej një vulë e vendosur brenda një kapsule metali, dhe më pas edhe vula prej plumbi ose ari që varej nga një dokument papnor ose perandorak. Në faqen (anën)e përparme të Bollës ishte imazhi Apostujve të shën Pjetërit dhe Palit , themeluesit e Kishës së Romës, ndërsa në faqen e pasme ishte shkruar emri i Papës. Më vonë, një vulë me bojë do të zëvendësonte vulën metalike, por kjo e fundit vazhdoi të përdorej për dokumentet më të rëndësishme. Çdo Bullë identifikohet nga fjalët e saj të para, kështu deri në shekullin XI, bullat papnore shkruheshin në papirus, dhe më pas në pergamenë.
JUBILEU I SHPALLUR NGA PAPA FRANCESKU
Më 9 maj 2024, Papa Françesku, në solemnitetin e Festës së Ngjitjes së Zotit në Qiell, përmes Bullës Shpresa nuk zhgënjen; (Romakët 5,5), shpalli Jubileun e 27-të të zakonshëm në historinë e Kishës. Ky Jubile do të hapet më 24 dhjetor 2024 dhe do të përfundojë më 6 janar 2026. Duke u mbështetur në fjalët e Shën Palit; Shpresa nuk zhgënjen, Papa na fton të përshkojmë këtë udhëtim së bashku, duke u bërë me të vërtetë shtegtarë të shpresës. Papa nënvizon se shpresa nuk është një iluzion apo emocion, por një virtyt konkret, një qëndrim jete, i cili lidhet me zgjedhje të qëndrueshme. Shpresa rritet kur ndjejmë se jemi pjesëmarrës dhe të angazhuar në dhënien e kuptimit jetës sonë dhe jetës së të tjerëve.
Papa Françesku thekson gjithashtu se Jubileu 2025 duhet të jetë një rast i e përshtatshëm për të arritur një armëpushim në të gjitha vendet ku ka konflikte: shenja e parë e shpresës le të shndërrohet në paqe për botën, e cila përsëri gjendet e zhytur në tragjedinë e luftës; (Spes non confundit, 8).. Duke ushqyer shpresën dhe durimin, Papa vëren se nga kjo ndërthurje jeta e krishterë bëhet e qartë si një udhëtim, që ka nevojë për momente të forta për të ushqyer dhe forcuar shpresën. Kjo shpresë, shoqëruese e pazëvendësueshme e jetës, na mundëson të shohim cakun përfundimtar të ezistencës: takimin me Zotin Jezus.
nga dom Daniell Markprenkaj