Kërko

GERMANY CHRISTMAS CANDLE GERMANY CHRISTMAS CANDLE

Fjala e Zotit e së dielës së 3-të të kohës së Ardhjes ‘C’

E diela e tretë e Ardhjes përshkohet nga tema e gëzimit. Zoti është afër! Për këtë liturgjia e kësaj së diele na fton në gëzim. Gëzohuni sepse Zoti na sjell paqen e shpëtimin, thotë Shkrimi i Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së Dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të Dielës së 3-të të kohës kishtare të Ardhjes, ciklit të tretë, që paraprin e përgatit Krishtlindjen.

Fjala e Zotit

E Diela e Tretë e Kohës liturgjike të Ardhjes përshkohet nga tema e gëzimit. Zoti është afër! Për këtë liturgjia e kësaj së diele na fton në gëzim. Gëzohuni sepse Zoti na sjell paqen e shpëtimin, thotë Shkrimi i Shenjtë. 

Leximet biblike (Sof 3,14-18.a; Fil 4.4-7; Lk 3.10-18) të kësaj së Diele na thonë se Zoti është afër nesh: ne nuk e shohim, por Ai po afrohet dhe dëshiron të na dhurojë gëzimin e vet hyjnor, atë gëzim që do të përsoset me kthimin e Tij, por i cili gëzim që tani mund të fillojë të zërë vend në jetën tonë për ta bërë më të bukur e të lumtur. Zoti ka dashur që historia njerëzore, kaq shumë e mbushur me vajë e vuajtje, të shoqërohet nga kumtimi i lumturisë, që në Mishërimin e Krishtit realizohet e sjell fryte.

Në zemrën e çdo njeriu ekziston një nevojë kaq e madhe shpëtimi saqë nëse njeriu nuk e pranon, jeta e tij dështon. Ata që në Ungjill e pyesin Gjon Pagёzuesin, “ne, pra, ç’na duhet të bëj-më?” shfaqin pikërisht këtë nevojë. Dhe ai u përgjigjej atyre: “Kush ka dy palë petka, le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!”. Kërkonte që të kryheshin gjeste bashkëndarje dhe solidariteti ndaj të afërmit. Në dashurinë që ke për të afërmin dhe në drejtësinë sociale përjetohet dashuria që Hyji ka për ne dhe për të tjerët.

Në Kohën e Ardhjes, Kisha na fton t’i kushtohemi me zell lutjes dhe veprave të paqes. Ungjilli i dielёs sё 3-tё tё kohёs sё Ardhjes na flet për figurën e Shën Gjon Pagëzuesit. Tё ndalemi sidomos tek dialogu i Gjonit me turmën, publikanët e ushtarët. Në dialogun e parë, shohim qartë se drejtësia duhet të frymëzohet nga dashuria e krishterë.

Drejtësia kërkon të kapërcehet mungesa e drejtpeshimit ndërmjet atij që ka me tepri e atij, të cilit i mungon edhe kafshata e përditshme; dashuria e krishterë na shtyn të jemi të vëmendshëm ndaj tjetrit e ta ndihmojmë kur ka nevojë, në vend që të kërkojmë justifikime, vetëm e vetëm për të mbrojtur interesat vetjake. Drejtësia e dashuria e krishterë nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, janë të dyja të nevojshme e plotësojnë njëra-tjetrën.

Ndërsa publikanëve, siç quheshin tagrambledhësit e kohës, Gjon Pagëzuesi u kujton se nuk duhet të kërkojnë kurrë më tepër, se shumat e caktuara. Profeti, në emër të Zotit, nuk u kërkon njerëzve të bëjnë gjeste të jashtëzakonshme; u kërkon vetëm ta kryejnë me nder detyrën e tyre. Hapi i parë kah jeta e pasosur është gjithnjë zbatimi i urdhërimeve; në këtë rast, urdhërimi i dhjetë i Tënzot: “Mos vidh!”.

Pastaj Gjoni u drejtohet ushtarëve, të cilëve u kërkon të mos e shpërdorojnë pushtetin e tyre. Edhe këtu biseda nis nga ndershmëria e respekti, që duhet pasur për të tjerët: porosi, që vlen për të gjithë, posaçërisht për ata, që kanë më shumë përgjegjësi. Gjoni, pararendës dhe dëshmitar i Atij që po vjen e që do të pagëzojë me zjarrin e Shpirtit, thotë që ky është një moment vendimtar. Hyji na takon këtu dhe tani, sepse ndryshojmë jetë, e fillojmë të praktikojmë solidari-tetin dhe ndershmërinë.


                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Sof 3, 14-18

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit! E tërhoq Zoti dënimin tënd, i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbret i Izraelit është Zoti midis teje, s’ke pse më ta druash të keqen! Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion, assesi të mos mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima, Shpëtimtar! Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim porsi në ditë feste.” 
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi( Kënga) Is 12,2-6

Aleluja, në mesin tonë 
po vjen Hyji i gëzimit e i haresë


Qe, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime 
është Zoti, Ai është shpëtimi im.

Me galdim do të merrni ujë 
nga burimet e shëlbimit.
Edhe thoni atë ditë: 
“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija,
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde, 
ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është 
në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”

Leximi i dytë Fil 4,4-7

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. 
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.

Ungjilli Lk 3, 10-18

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, turmat e pyetnin Gjonin: “Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?” “Kush ka dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po neve çka duhet të bëjmë?” Ai u përgjigji: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre u përgjigji: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”. E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëzat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm”. E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin. 
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA III E ARDHJES:GËZOHUNI GJITHMONË NË ZOTIN!

(Sof 3, 14-18; Is 12, 2-6; Fil 4, 4-7; Lk 3, 10-18)

«Djalli ka frikë nga njerëzit e hareshëm» – u thoshte të rinjve të vet Dom Bosko. E djallin ai e njihte mirë, sepse shpeshherë ai përpiqej t’i ngrinte kurthe, që ta shkurajonte në veprimtarinë e tij.

Prandaj Dom Bosko, si këshillë të parë që i dha Shën Domenik Savios kur ky ishte vetëm dhjetë vjeç dhe po e vriste mendjen seriozisht se si mund të bëhej shenjt, ishin pikërisht fjalët: «Në radhë të parë, ji i hareshëm!» Kaq shpejt e kaq mirë e përvetësoi këtë mësim ky fëmijë tejet i dashur (që vdiq vetëm pesëmbëdhjetë vjeç me famën e shenjtërisë), saqë, pak ditë pas këshillës së Dom Boskos, i kishte thënë një shoku të vet të sapoardhur në orator: «Duhet ta dish se këtu bëjmë që shenjtëria të konsistojë në të qenit gjithnjë të hareshëm!»

Kishin arsye Shën Gjon Bosko e Shën Domenik Savio që ta kultivonin kaq “kokëfortësisht” harenë, sepse, në fakt, Zoti ynë është Zoti i haresë.

Kështu e kuptojmë edhe arsyen përse e diela e tretë e kohës së Ardhjes quhet e diela e gëzimit. Duke qenë se tashmë është afër e kremtja e Krishtlindjes, ku kremtojmë ardhjen e Birit të Hyjit në mes nesh në natyrën njerëzore, kemi arsye të ndjejmë gëzim.

Prandaj dhe Shkrimi Shenjt sot e vë theksin mbi gëzimin. Në fakt, Ungjilli duket sikur nuk flet drejtpërdrejtë për gëzimin. Prandaj na duhet më parë të ndihmohemi nga leximet e tjera dhe nga she­mbulli i shenjtërve, për të kuptuar se për çfarë lloj gëzimi flitet në pjesën e sotme ungjillore.

Në leximin e parë dëgjuam Sofoninë profet që thotë: «Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër ti, bija e Jerusalemit! [...] Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: Frikë, aspak mos ki, Sion, assesi mos të mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti, Hyji yt, trim mbi trimat, Shpëtimtar!» Profeti e kishte fjalën sidomos për lirimin e afërt të popullit të Izraelit nga dhuna e armiqve të vet, por njëherësh ai profetizoi edhe për «atë ditë» kur edhe fizikisht Hyji do të ishte në mesin e popullit të vet.

Në refrenin e psalmit kemi përsëritur: «Aleluja. Në mesin tonë po vjen Hyji i gëzimit.» Shën Pali thotë në Letrën drejtuar Filipianëve: «Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them, gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është afër».

Kemi nevojë të dëgjojmë tekste të tilla të Shkrimit Shenjt, sepse na mësojnë ta shohim më mirë fytyrën e vërtetë të Hyjit. Ai nuk është Hyj që fut frikën e trishtimin, por gëzimin e harenë.

Njëri prej biografëve të së Lumes Umiliana de Cerchi, rregulltare italiane e shekullit XIII, shkruante: «Ndërsa virgjëresha dergjej në shtratin e saj, brenda qelës së saj në kullë, ja një fëmijë katër vjeç a pak më i madh, me një fytyrë shumë të bukur; luante në qelën e saj, para saj. Kur e pa, ajo ndjeu një gëzim të madh dhe i tha: “O shpirt i ëmbël e fëmijë i dashur, nuk di të bësh tjetër veçse të luash?” Dhe fëmija iu përgjigj: “Çfarë doni që të bëj tjetër?” Dhe e bekuara Umiliana tha: “Dua që të më thuash diçka të bukur për Hyjin.” Dhe fëmija tha: “A kujton se është mirë që dikush të flasë për veten”. E u zhduk.» Kishte qenë Jezusi që i ishte shfaqur në formën e një fëmije. Të një fëmije të hareshëm.

Hyji ynë është Hyji që ka dëshirë të na japë hare, sepse Ai vetë është Hyji i gëzimit. Prandaj edhe ne mund ta bëjmë vullnesën e Hyjit me hare e jo si të vrenjtur e plot mërzi. Të gjithë e dimë se sa e mërzitshme është të kesh pranë njerëz që gjithnjë janë të mërzitur e plot murmurima për atë që jetojnë e bëjnë. Papa Françesku thoshte, me stilin e tij të drejtpërdrejtë: «Shumë të krishterë jetojnë thuajse sapo janë kthyer nga ndonjë varrim, gjithnjë të mërzitur.»

Po ç’është hareja? Mos vallë, të jesh i hareshëm, do të thotë të kesh një buzëqeshje spontane në fytyrë? Apo ndoshta do të thotë të kesh fatin që në jetë të mos kesh plagë? Apo ndoshta nënkupton fatin që të lindësh me një mirësi të natyrshme që të është “gdhe­ndur” në fytyrë?

As njëra, as tjetra. Hareja nuk është as çështje karakteri e nuk është as luksi i fatlumëve. Hareja për të cilën po flasim, është çështje pjekurie në fe: të kesh pranuar se jeta jote ka kuptim vetëm në intimitetin me Hyjin dhe, pikërisht për këtë arsye, edhe jetën e sheh me sytë e Tij, duke u nisur nga Fjala e Tij. Prandaj nuk i lë vend murmurimave, vërenjtjeve në fytyrë vend e pa vend. Gëzimi që vjen prej Zotit, nënkupton që të lëshohesh në duart e Tij vazhdimisht, ditë për ditë.

Shën Pali thotë «gëzohuni gjithmonë» sepse «Zoti është afër». Nëse prania e Tij nuk është gëzim për mua, nuk është papjekuri karakteri apo mungesë fati, por është (siç e thamë më sipër) papjekuri feje dhe mungesë besimi të gjallë në Hyjin.

Pastaj, të besosh, do të thotë edhe të luftosh me karakterin tënd, sepse, nuk mjafton një mirësi apo hare e natyrshme.

Në jetën e Shenjtes Maria Bertila Boskardin (fillimi i shek. XX), thuhet se një herë i kërkuan të shkonte pranë një spitali ushtarak në Itali për të asistuar të plagosurit. Ishte zonë e rrezikshme sepse bombardimet aty ishin të shpeshta. Këtë gjë eprorja ia propozoi, por nuk ia imponoi, sepse e dinte se ishte me shumë rrezik për jetën e saj. Megjithatë ajo e pranoi duke thënë: «Mos u merakosni, Nënë, Zoti më jep aq shumë forcë, saqë frikën as që nuk e ndjej.» Gjatë bombardimeve, kur të gjithë nxitonin nëpër strehime, ajo qëndronte pranë të sëmurëve që s’mund të lëviznin e që kishin nevojë për dikë. Por të mos mashtrohemi, sepse nuk është e vërtetë se nuk ndjente frikë. Në fakt ishte shumë e frikësuar. Dëshmitarët tregojnë se vinin re se si ajo «zverdhej në fytyrë, duke qenë se ishte më e frikësuar së të tjerët». Zverdhej, por qëndronte. Ja feja: luftonte edhe me karakterin e vet, sepse dashuria e Krishtit e kishte rrëmbyer. Kjo i sillte harenë e shpirtit, atë lloj hareje të cilën i pafeu as që e imagjinon.

E vetëm tani jemi në gjendje t’i kuptojmë fjalët e Gjon Pagëzuesit në Ungjillin e sotëm. Vetëm tani na duket normale ajo që ky pararendës i fuqishëm i Mesisë u porosiste turmave: «Kush ka dy palë petka, le t’i ndajë me atë që nuk ka e, kush ka ushqime, le të bëjë ashtu.» Bashkëndarja shpesh dhemb, por kjo është tipike e dashurisë. «Dashuri do të thotë të dhurosh deri kur të dhemb», mësonte shpesh Nënë Tereza.

Në këtë prag Krishtlindjesh, përshembull, ju fëmijët kini kurajon ta provoni t’i çoni ndonjë dhuratë dikujt që e dini se është pak më i varfër se ju. Do të shihni vetë se sa bukur është të bashkëndash me më të varfërit.

Gjon Pagëzuesi pastaj u drejtohet tagrambledhësve të cilët, të penduar, vinin të pagëzoheshin prej tij: «Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar!» Interesante: nuk u thotë të mos e bënin atë lloj pune, por ta bënin ashtu si u ishte kërkuar, as më shumë e as më pak. Nuk ishte t’u mësoje gjë të vogël atyre njerëz që dihej se zhvatnin nga populli më shumë taksa nga sa kërkonte ligji. Është bukur të gjesh njerëz që profesionin e tyre e ushtrojnë me përpikëri e me shpirt. Kjo ndodh kur njeriu pranon gëzimin që vjen prej Zotit e jo gëzimin që vjen prej fitimit të padrejtë të parave.

Edhe ushtarët e pyesin Gjonin: «Po ne, ç’duhet të bëjmë?» Nga ky njeri i Hyjit gjithkush donte të mësonte për Hyjin. E, në fakt, të gjithë do të duhej të interesoheshin për Hyjin: ushtari, polici, punëtori, mësuesi, pedagogu, doktori, biznesmeni, kryebashkiaku, deputeti, ministri, presidenti, etj. Për të gjithë këta vlen porosia që Shën Gjoni u jep ushtarëve: «Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!»«Jini të kënaqur me rrogën tuaj!»; lakminë e tepruar për pasuri e mban nën fre vetëm dëshira për të ruajtur në shpirt intimitetin me Zotin dhe pranimi i haresë që vjen prej Tij.

Por është vetë personi i Gjonit ai që, mbi të gjitha, na fton fuqishëm të gëzohemi vetëm në Zotin e jo në lavditë e kota të botës. Kur tashmë shumëkush mendonte se mund të ishte pikërisht ai Mesia i shumëpritur i Izrelit, Gjoni, përvujtërisht dhe shumë qartë, thotë: «Po vjen një që është më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh rripat e sandaleve të tija.» Ka ruajtur lirinë e shpirtit e prandaj nuk dëshiron t’i lidhë njerëzit me veten e tij, por t’i shtyjë ata kah Krishti, i cili tashmë ishte në mesin e tyre.

T’i kërkojmë Hyjit që edhe neve të na ndihmojë t’i hapemi gëzimit që na vjen vetëm prej Tij. Por të mos lëmë pas dore edhe largimin nga e keqja e nga padrejtësitë. Si pasojë, shpeshherë do të na duhet të luftojmë me veten tonë, duke qenë se, për të jetuar si të krishterë të vërtetë, një mirësi e natyrshme dhe spontane, herët a vonë, do të rezultojë e pamjaftueshme.

 

Dom Dritan Ndoci

14 dhjetor 2024, 12:50