Sirianët festojnë për rënien e regjimit të Bashar al-Assad Sirianët festojnë për rënien e regjimit të Bashar al-Assad

Kard. Zenari: në Siri shpresohet në pajtimin. Thirrje për heqjen e sanksioneve

Nunci apostolik i Damaskut, kardinali Zenari, rrëfen orët e fundit në kryeqytetin sirian të pushtuar nga rebelët, duke uruar që vendi të rimëkëmbet, që njerëzit të bashkëjetojnë në paqe dhe të respektojnë traditat fetare të secilit. “Kush mori pushtetin premtoi se do t’i respektojë të gjithë, por rruga është ende e përpjetë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të heqë sanksionet, ato janë barrë për të varfrit”

R.SH. – Vatikan

Shkatërrimi i statujave, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, është simbol i rënies së pushtetit në çdo vend e, edhe në Siri, ku dje, në Damask, u hodh poshtë monumenti kushtuar Hafez al-Assad, babait të presidentit Bashar, vdekur në vitin 2000. Pas 14 vitesh lufte civile, kryeqyteti u pushtua, rebelët Hayat Tahrir al-Sham dhanë lajmin në televizion, duke deklaruar rënien e Bashar al-Assad e fundin e një dinastie, në pushtet në Siri që nga viti 1971. Presidenti u strehua fillimisht në bazën ajrore ruse të Hmeimim, në provincën e Latakisë, për t’u nisur me avion për në Moskë, ku i është dhënë azil politik. Ndërkaq, në ambasadën siriane në kryeqytetin rus është ngritur sot flamuri i rebelëve e kështu edhe në ambasadat e shumë vendeve të tjera.

Rebelët liruan të burgosurit politikë dhe u bënë thirrje qytetarëve dhe luftëtarëve të ruajnë pasuritë shtetërore. Ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për të diskutuar çështjen siriane, përgjegjësi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, e bën të qartë qëndrimin ndërkombëtar: duhen marrë të gjitha masat për të mbrojtur pakicat siriane dhe për të shmangur raprezaljet, deklaroi ai.

Damasku përshkruhet sikur ka filluar të marrë sërish frymë, pas vitesh diktature, por kufijtë e vendit janë të pasigurt. Iraku mbylli kalimin Al-Qaim, ndërsa ushtria izraelite vendosi trupa shtesë në lartësitë e Golanit. Forcat Izraelite të Mbrojtjes hynë në zonën e Golanit, për herë të parë në pesëdhjetë vjet, që nga viti 1974, pas përfundimit të luftës së Yom Kippur – zyrtarisht, "për të mbrojtur qytetarët izraelitë”, deklaron ushtria.

Shumë urojnë që kalimi në rendin e ri të bëhet pa gjakderdhje e vendi të ecë së bashku drejt pajtimit. Kjo është edhe shpresa e kardinalit Mario Zenari, nunc apostolik në Damask, i cili kërkon më shumë begati për sirianët, si edhe respekt për të krishterët dhe besimet e ndryshme fetare. Gjithashtu, i bën thirrje bashkësië ndërkombëtare të heqë sanksionet kundër Sirisë. Ja përshkrimi i tij mbi ngjarjet e fundit…

Që nga ora pesë e mëngjesit (8 dhjetor) nuk fjeta më, më kapi frika se dëgjova të shtëna armësh, të shtëna të vazhdueshme, edhe tani ka të shtëna në rrugë por janë festive, siç është zakon në këto anë. Njerëzit shtijnë pushkë të lumtur, sepse u zgjidh kjo çështje, që shkaktonte shumë shqetësime. Falë Zotit, kalimi u bë pa gjakderdhje, pa masakrën për të cilën kishim frikë. Tani rruga është e gjitha e përpjetë. Ata, që kanë marrë pushtetin, kanë premtuar se të gjithë do të respektohen, se do të krijohet një Siri e re dhe ne shpresojmë që t'i mbajnë premtimet, por rruga natyrisht është ende e përpjetë.

Hirësi, si e mendoni të ardhmen e bashkësisë së krishterë? A keni frikë për të?

Këta rebelë takuan ipeshkvijtë në Haleb menjëherë, në ditët e para, duke i siguruar se do t’i respektojnë besimet e ndryshme fetare dhe do të respektojnë të krishterët. Shpresojmë që ta mbajnë premtimin, të shkojmë drejt pajtimit dhe që përveç pajtimit, Sirisë t’i arrijë edhe pak begati, sepse populli nuk duron dot më.

Njerëzit po iknin, pasi është e pamundur të mbijetojnë në Sirinë, që ka lënë presidenti Bashar al-Assad…

Dëshira e vetme e të rinjve kohët e fundit, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë të ikin, sepse nuk shihnin të ardhme në vendin e tyre. Tani shpresojmë se do t'i hapen pak dyert shpresës, sepse deri tani, e kemi parë shpresën duke vdekur, ose të vdekur tashmë. Pra, tani shpresojmë që me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, me vullnetin e mirë të të gjithë sirianëve, të ndërmerret një rrugë pajtimi, rindërtimi dhe zhvillimi, me një minimum mirëqënie për të gjithë njerëzit.

Ju përmendët bashkësinë ndërkombëtare, e cila, natyrisht, po tregon shqetësim për ngjarjet në Siri. Sipas jush, cili duhet të jetë roli i fuqive të mëdha në këtë kohë?

Unë do të thosha - duke shpresuar se ata që kanë marrë pushtetin do ta mbajnë premtimin për të respektuar dhe për të krijuar një Siri të re mbi baza demokratike - se shpresa është që edhe bashkësia ndërkombëtare të përgjigjet, sidomos duke hequr sanksionet, sepse ato janë barrë që rëndon shumë, veçanërisht mbi njerëzit e varfër. Unë dua të shpresoj që, pak nga pak, sanksionet të eliminohen.

09 dhjetor 2024, 10:40