Kishat e krishtera evropiane (CEC): "shqetësim për shtimin e shkeljeve të të drejtave në botë"

Në një deklaratë, që i referohet luftës në Ukrainë, krizës në Nagorno-Karabak, 50-vjetorit të ndarjes së Qipros, luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, krizës në Lindjen e Mesme dhe shumë sfidave të tjera, Kishat e krishtera evropiane denoncojnë “krimet brutale, padrejtësitë sistematike, erozionin e shtetit të së drejtës dhe i demokracisë, që jo vetëm kërcënojnë individët, por minojnë edhe themelet e shoqërive të ndërtuara mbi drejtësinë, solidaritetin dhe paqen”

R.SH. - Vatikan

Kishat e krishtera evropiane bëjnë thirrje për një impenjim të ri në favor të të drejtave të njeriut. Për datën kur kremtohet Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor), krerët e Konferencës së Kishave Evropiane (CEC) shprehin në një deklaratë "mirënjohjen për hapat e bëra në mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë dekadave të fundit", por edhe "shqetësimin e thellë për rastet në rritje të shkeljeve dhe të neglizhencës ndaj të drejtave themelore të njeriut në botën e sotme”. “Krimet brutale, padrejtësitë sistematike, erozioni i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë, jo vetëm që kërcënojnë individët, por minojnë edhe themelet e shoqërive të ndërtuara mbi drejtësinë, solidaritetin dhe paqen”, pohon presidenti i organizmit ekumenik, kryepeshkopi ortodoks Nikitas i Thyateira dhe i Britanisë së Madhe.

“Kishat evropiane, si pjesë e misionit të tyre për të shërbyer dhe për të mbrojtur të pambrojturit, nuk mund të qëndrojnë të heshtura përballë sfidave të tilla”. Është Ungjilli – shton kryepeshkopi Nikitas – që i shtyn Kishat “të mbrojnë të shtypurit, t’u japin zë të pazëve dhe të punojnë pa u lodhur për drejtësinë”. Deklarata i referohet luftës në Ukrainë, krizës në Nagorno-Karabak, 50-vjetorit të ndarjes së Qipros, luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, krizës në Lindjen e Mesme dhe shumë sfidave të tjera.

“Sot vërejmë me ankth se të drejtat e njeriut dhe dinjiteti i të gjithë njerëzve janë nën presion”, vijon kryepeshkopi Nikitas. “Shkeljet e lirisë së fesë dhe të besimit, pabarazitë në rritje, diskriminimi dhe shkeljet e të drejtave të refugjatëve, migrantëve, azilkërkuesve, personave të zhvendosur dhe romëve, na kujtojnë brishtësinë” e rezultateve të arritura në frontin e të drejtave të njeriut. Prandaj, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës së Kishave Evropiane, Rev. Frank-Dieter Fischbach, u kërkon qeverive, institucioneve evropiane dhe të gjitha palëve të interesuara në Evropë të "impenjohen sërish në favor të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të përmbushin detyrimet e tyre, sipas ligjit ndërkombëtar". Organizmi kishtar ekumenik, me qendër në Bruksel, bashkon 115 Kisha të traditës ortodokse, protestante dhe anglikane nga e gjithë Evropa për dialog, mbrojtje të të drejtave dhe veprim të përbashkët. Kisha Katolike është e pranishme në disa nga Komisionet e organizmit, me të cilin bashkëpunon aktivisht.

09 dhjetor 2024, 13:54