Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem Bazilika e Lindjes së Krishtit në Betlehem

Krishtlindje në Betlehem, ditë në të cilat mbretëron qetësia, e harruar prej kohësh

Do të jenë festime pa drita për të krishterët e Tokës Shenjte, që jetojnë ndërmjet luftës dhe mungesës së punës. Pavarësisht nga vështirësitë, nuk heqin dorë nga zakonet dhe traditat. Gjergji Katolik pohon: "Rol të madh do të kenë skautët, të cilët do ta gjallërojnë me muzikë dhe gajde kortezhin e hyrjes së Patriarkut".

R.SH. / Vatikan

Disa shenja të zbehta shprese duken në Krishtlindjen pa drita të Betlehemit. Qyteti i lindjes së Jezusit jeton kremtimin e dytë të Krishtlindjes, që nga fillimi i luftës në Gaza. Vitin e kaluar trishtimi u shoqërua me tensione të ashpra, të cilat trazuan mundësinë për disa orë qetësie dhe shprese. Këtë vit thashethemet e përsëritura për armëpushim të afërt në Gazë,  frymëzojnë ndjenja dhe marrëdhënie disi më të sigurta.

Ashtu si u parashikua më 1 dhjetor, kur Kujdestari i Tokës Shenjte, Fra Francesco Patton hyri në Betlehem për të filluar Kohën e Ardhjes. Mëngjesin e datës 24, Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pizzaballa, do të hyjë në Betlehem. Sipas traditës, do ta kalojë në këmbë qendrën e qytetit, i shoqëruar në të dy krahët nga turma e i ndjekur nga skautët dhe besimtarët që jetojnë atje. Në mbrëmje do të kremtohet Mesha tradicionale e Natës së Krishtlindjes në kishën famullitare të Shën Katerinës, në prani të përfaqësuesve të institucioneve vendore, palestinezëve dhe diplomatëve. Në këtë Natë të jashtëzakonshme Krishtlindjeje, do të ketë tri Meshë: ajo katolike, më 25 dhjetor; ajo e grekëve ortodoksë, më 6 janar dhe ajo e armenëve, më 18 janar. Në praktikë, me kremtimin të gjitha konfesioneve të krishtera, koha e  Krishtlindjeve në Betlehem zgjat dy muaj.

Festimet i nisin të krishterët

Mesha e Mesnatës së Krishtlindjes do të kremtohet pak metra larg Shën Katerinës, brenda Shpellës të Lindjes së Krishtit, mbi altarin e grazhdit, nga Atë Francesco Patton, së bashku me vëllezërit e Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë dhe të krishterët vendas.  Mesha e tretë e natës kremtohet më pas në Fushën e Barinjve, ku deri dy vjet më parë arrinin turmat e shtegtarëve që mbushnin përplot Betlehemin gjatë periudhës së Krishtlindjes. Tani jo vetëm që nuk ka shtegtarë, por edhe numri i të krishterëve vendas është në rënie. Që nga fillimi i luftës janë larguar rreth 90 familje të krishtera.

Betlehemi - shpjegon Atë Ibrahim Faltas, famullitar i kujdestarisë dhe udhëheqës shumëvjeçar i katolikëve vendas - është plagë e madhe për bashkësinë tonë. Por si mund t’i kundërvihemi me sukses kësaj situate të hidhur? Familjet që kanë fëmijë mendojnë për të ardhmen e tyre, e cila këtu është e rrezikuar që në lindje. Kush mundet, largohet. Por nuk është e drejtë. Siç thotë Papa Françesku, “kanë vërtet të drejtë për të emigruar, por aq më tepër kanë të drejtë për të qëndruar”.

Zakonet dhe traditat

Problemi i Krishtlindjes në Betlehem sigurisht që nuk është mungesa e dritave, e yjeve apo e bredhave. Problemi i vërtetë është atmosfera shtypëse e cila – gjithnjë e pranishme – u keqësua edhe më shumë që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Asnjë shtegtim, do të thotë asnjë e ardhur për shumë familje që jetonin me turizmin mikpritës. Të gjitha punishtet e drurit të ullirit dhe artizanëve të perlave, që ndodhen përgjatë rrugës Milk Grotto, në anën jugore të Bazilikës, janë të mbyllura. "Ka rreth 30 zejtarë që zakonisht punojnë për ne duke bërë skena të lindjes së Krishtit dhe shtatore prej druri, të cilat i shesim gjatë gjithë vitit, sepse për shtegtarët, Betlehemi ka gjatë gjithë vitit Krishtlindje" - shpjegon Rony Tabas - i cili drejton dyqanin më të vjetër dhe më të njohur të objekteve fetare të Betlehemit. Por tani nuk punojnë prej 15 muajsh dhe nuk kanë asnjë të ardhur në familjet e tyre”. Pavarësisht vështirësive, familjet katolike nuk heqin dorë nga zakonet dhe traditat e tyre. “Skautët luajnë një rol të madh në këto festa - pohon Gjergji, inxhinier i ri katolik që punon në përgatitjen e mikpritjes - përveçse gjallërojnë hyrjen e Patriarkut me muzikë dhe gajde, ndihmojnë edhe në përgatitjen e kremtimeve familjare, ndihmojnë edhe nënat e gjyshet për gatimin e, mbi të gjitha, kujdesen për të moshuarit. Por këtë vit, procesioni do të jetë pa muzikë, ashtu siç nuk do të ketë drita në rrugë dhe në Sheshin e Grazhdit!

Nata e Krishtlindjes është e do të jetë e jashtëzakonshme

 Do të takohemi në atë Shesh pas mesnate për të shkëmbyer urimet, të gjithë së bashku, si të ishim një familje e madhe. Nuk ndryshon shumë nga çka ndodh në Evropë. Edhe këtu, në mëngjesin e datës 25 dhjetor kur zgjohesh, shpalos dhuratat që i gjen poshtë pemës. Më pas kremtohet Dreka e Madhe, e cila mund të zgjasë me orë të tëra. Do të hamë pulë të pjekur në skarë, dele të mbushura, ose oriz të gatuar me hudhër, mish deleje dhe kos. Më pas vijnë të shumëpriturat: ëmbëlsirat. Tipiket e Krishtlindjeve gatuhen me miell bollguri, me lajthi, pistakë e hurma, ose biskota me xhenxhefil, e ose ose, edhe ato që ne i quajmë ghreibeh, pra biskota me gjalpë, të mbushura me arra, që hahen duke pirë verë të bardhë vendase Kremisane a treten me disa pije alkoolike, por nëse ka - dhe shpesh ka - miq myslimanë, atyre u ofrohen lëngje frutash.

E kjo, sepse është traditë që edhe pas drekës të shkojmë për të vizituar miqtë dhe për të luajtur Bingo me ta. Fëmijëve u jepen dhurata nga Babadimri poshtë pemës, ndërsa të moshuarve, para, sepse këtu pleqtë nuk mbrohen nga sigurimet e përshtatshme shoqërore.

Janë ditë kur ngopesh me frymë! Ditë, në të cilat rijetohet një zakon i qetë. Ditë të rralla këtu. “Kur ne e kemi Krishtlindjen në shtëpi - përfundon Gjergji - kemi, sidomos, atë kor Engjëjsh që këndojnë natën dhe që u premtojnë ‘paqe mbi tokë njerëzve të dashur nga Zoti’. E ne vazhdojmë me shpresë kokëfortë ta presim këtë paqe”.

23 dhjetor 2024, 14:17