Lourdes, njihet mrekullia e 71-të: shpresë në prag të jubileut
R. SH. - Vatikan
Viti 1923! John Traynor, dyzet vjeçar, nga rrethi metropolitan anglez i Liverpool-it, kishte luftuar në Luftën I Botërore, në radhët rezerviste të Marinës Mbretërore. Në betejat më të vështira dhe më të përgjakshme, ishte plagosur rëndë dhe disa vite më pas kishte bërë operacione kirurgjikale, që ia kishin paralizuar pjesërisht këmbët, ndërsa goditjet epileptike, nga të cilat vuante, vazhdonin ta mundonin. Si plagët ende të hapura pas përleshjeve me armikun dhe mungesa e ndjeshmërisë në krahun e djathtë. Pikërisht në atë vit ai vendosi të merrte pjesë në një shtegtim në Shenjtëroren e Lourdes, organizuar nga dioqeza e tij e Liverpulit, pavarësisht se shumë miq, duke përfshirë edhe një prift që e dinte mirë brishtësinë e tij, ishin përpjekur ta bënin të ndërronte mendim.
Fe pa kufij
Udhëtimi i guximshëm me tren dhe anije, nga Anglia në Francë, për atë që nuk mundte as të ecte sadopak, përfaqëson atë dashuri për Zojen, që nëna e tij, katolike irlandeze, vdekur para kohe, kur ai ishte vetëm fëmijë, ia kishte ngulitur thellë, deri në palcë. Banjoja në pishinat e shenjtërores u bë pasditen e 25 korrikut. Por e jashtëzakonshmja ndodhi pas procesionit eukaristik: gjatë bekimit me Shenjtnueshmin Sakrament, një forcë e jashtëzakonshme pushton trupin e tij. Këmbët, befas, nisën të lëviznin, krahu, të ngrihet aq, sa të bëjë në ajër shenjën e kryqit.
Mrekullia vërtetohet
Të nesërmen, i vetëm, do të shkonte te këmbët e Zojës, në shpellë. Edhe plagët e gjakosura ishin zhdukur, si dhe krizat epileptike, që nuk e braktisën kurrë: këtë do ta vërtetonin edhe tre mjekë nga bashkëqytetarët e tij, që ishin në atë kohë me të. Të mahnitun.
Lajmi përhapet
Lajmi i shërimit të mrekullueshëm, i cili kaloi kufijtë dhe arriti në Angli, i interesoi menjëherë zyrës së konstatimit mjekësor të shenjtërores aq, sa në vitin 1926, pas tre vjet hetimesh, hartoi një deklaratë të gjatë pozitive kolegjiale, të nënshkruar edhe nga të tre mjekët që ishin në shtegtim me Traynor. Deklaratë, që do të botohej në Journal de la Grotte, organi zyrtar i shtypit i Shenjtërores, por që nuk do t'i transmetohej kurrë edhe dioqezës së Liverpool-it. Më pas mbi mrekullinë ra errësira, që mbeti pikërisht për një shekull.
Zbulimi
“Në vitin 2023, me rastin e njëqindvjetorit të shtegtimit në Liverpool, kolegu im Kieran Moriarty, anëtar anglez i Komitetit Ndërkombëtar Mjekësor të Lourdes, më nxiti të gërmoj në këtë histori, për të cilën kishim vetëm njohuri gojore. E, çuditërisht, zbuluam raportin klinik të vitit 1926” - pohon, në një intervistë dhënë redaksisë franceze të medias së Vatikanit, kreu aktual i Zyrës së Gjetjeve Mjekësore, Doktor Alessandro de Franciscis. E ai, pasi e rindërtoi të gjithë historinë me hollësira, "ia dërgoi dokumentet imzot Jean-Marc Misac, Ipeshkëv i dioqezës së Tarbes dhe Lourdes i cili, nga ana tjetër, ia përcolli kryeipeshkvit të Liverpulit. E Imzot Malcolm Patrick McMahon, më 8 dhjetor të këtij viti, ditën e Solemnitetit të Zojës së Papërlyer, e njohu zyrtarisht këtë shërim të vjetër". Duke e rritur numrin e përgjithshëm të mrekullive të Lourdes në 71 njerëz, që shkuan në Shtëpinë e Marisë të sëmurë rëndë, e u kthyen në trojet e tyre të shëruar mrekullisht!
Dashuria e Zotit
De Franciscis përfundon me një bindje: “E gjithë kjo përfaqëson shenjën e mirësisë së Zotit dhe të pranisë së Zojës së Papërlyer. E është e rëndësishme që njoftimi zyrtar u bë në prag të Jubileut të vitit 2025, kushtuar nga Papa Françesku pikërisht shpresës, që miliona shtegtarët të cilët shkojnë në këtë vend të shenjtë, e ruajnë si thesar të paçmuar ndër zemrat e tyre”.