Në Sapë, panairi i punimeve të njerëzve me aftësi ndryshe
R.SH. - Vatikan
T’u kushtojmë vëmendjen e duhur njerëzve me aftësi ndryshe dhe t’i konsiderojmë si motra e vëllezër, duke i mbështetur në çdo nevojë: kështu pohoi ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në Panairin kushtuar punimeve të tyre, organizuar nga Karitasi dioqezan, me rastin e fillimit të Kohës liturgjike të Ardhjes. Gjatë këtij panairi, u ekspozuan pikturat dhe objektet artizanale, punuar nga këta persona për Krishtlindje. Shumë nga vizitorët e pranishëm blenë disa prej tyre. Më hollësisht, të dëgjojmë informacionin e Violeta Marashit…
Në kuadër te ditës se Personave me Aftesi Ndryshe, Ipeshkvia e Sapes përmes Karitasit dioqezan nisi kohën e Shenjtë të Ardhjes me Panairin e Personave me Aftësi Ndryshe, të cilët me shumë dashuri kanë shpalosur talentin e tyre të pikturës dhe punimeve me dorë gjatë këtyre ditëve.
Të pranishëm në këtë panair ishin vetë artistët, Bariu i Sapës, Imzot Simon Kulli, stafi i Karitasit, meshtarë e motra, Kryetari Bashkisë Vau Dejës, z. Kristjan Shkreli, si dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Është një aktivitet i përvitshëm që tashmë ngjallë një interes të madh, përmes të cilit promovohen vlerat shpirtërore dhe sociale të këtyre personave, një mënyrë kjo që mos të jenë të dinstancuar nga shoqëria dhe komuniteti ku ata jetojnë.
Në ceremoninë e hapjes së panairit, u uroi mirëseardhjen Drejtori i Karitasit, z. Nikolin Lekaj, i cili falënderoi të pranishmit dhe gjithë njerëzit vullnetmirë që tregojnë kujdesin dhe dashurinë humane për personat me aftësi ndryshe.
Ndërsa Imzot Simoni, bashkë me falenderimin për të gjithë ata, që u angazhuan për punimet dhe mbarëvajtjen e këtij panairi, në fjalën e tij, theksoi se prania e këtyre personave në dioqezën tonë është një perlë e çmuar për të gjithë ne dhe mbarë Kishën, dhe bekim për familjet e tyre. Ndaj të gjithë së bashku duhet t’iu japim vëmendjen e duhur kësaj shtrese dhe ti konsiderojmë si motrat dhe vëllezërit tanë, duke i mbështetur në çdo nevojë të tyre.
Gjatë këtij panairi, u ekspozuan pikturat dhe punimet artizanale per Krishtlindjen te punuara nga vetë keta persona ndërsa nga vizitoret e shumtë që ishin të pranishëm kontribuan edhe për blerjen e tyre.
Violeta Marashi