Nënë Tereza në 45-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe
R.SH. - Vatikan
Duke shfletuar kalendari historik, sot më 11 dhjetor kujtojmë përvjetorin e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe Shenjtes Nënë Terezës, pasi u nderua me këtë Çmim më 17 tetor të vitit 1979, nga Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë.
Sot, pra, përkujtojmë ditën e 11 dhjetorit të vitit 1979 kur në Oslo nobelistja shqiptare Ganxhe Bojaxhiu, Shenjtja Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe nga Presidenti i Komitetit Nobel për Paqe të asaj kohe. Ndër arsyet, qe shënuar përkushtimi i saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe respekti e dashuria saj për vlerën dhe dinjitetin e çdo personi.
Ishte vlerësuar Nëna e botës së mjerimit, e cila vërtet e pati merituar këtë titull të lartë me shërbimin dhe bamirësinë e pakursyer plot dashuri ndaj më të varfrëve ndër të varfër, kudo në botë.
Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr. John Sannes-i, në aeroportin e Oslos, gjatë përcjelljes së Nënë Terezës për kthim në Kalkutë, ndër të tjera theksoi: “Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë dhuratë: ne apo Nënë Tereza? Ne e falënderojmë atë, që e ka pranuar këtë Çmim, kështu e ka ngritur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë... Që tani duhet menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas Çmimit dhënë Nënë Terezës do të jetë mjaft vështirë të gjejmë një personalitet të përmasave të ngjashme si Nënë Tereza... Më mirë e më thjeshtë do t’ishte që ajo prapë të fitonte këtë Çmim”.
Nëna Terezë e pranoi këtë Shpërblim vetëm e vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfrit ndër të varfër, duke vënë në qendër të vëmendjes ZOTIN dhe NJERIUN. Kështu pati dëshmuar para mbarë botës se “Dashuria” do t’i shëronte të gjitha plagët e botës, përtej kufijve të kohës dhe të hapësirës, të kombit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave...
Përjetim i rrallë e i paharrueshëm ishte edhe takimi i Nënë Terezës me Mbretin e atëhershëm të Norvegjisë, Ollavin e V, para se ta pranonte Çmimin Nobel për Paqe. Pas përshëndetjeve e urimeve të rastit, Nënë Tereza e pyeti Mbretin se a do të merrte pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Cmimit Nobel për Paqe.
Mbreti i tha: “Kisha për të ardhur me gëzim, por s’dëshiroj ta prishi këtë ditë të madhe për Ju. Nëse do të vijè, unë do të jem në qendër të vëmendjes. Prandaj më mirë mos të vijë, kështu që së paku një herë edhe Ju të jeni personaliteti kryesor”.
Nënë Tereza iu përgjigj Mbretit me një gatishmëri të pashoqe: “Jo, jo, o Mbret, gaboni. Nuk jam as unë, as ju në qendër të vëmendjes, por Zoti dhe të varfrit, prandaj mund të vini lirisht!”.
Mbreti Ollavi V mbeti pa gojë dhe vërtet mori pjesë në dorëzimin e Çmimit Nobel për Paqe, si duket për të parën herë.
Në pyetjen bërë Nënë Terezës “Çka do të thotë për të, për motrat e saj dhe për të varfrit Çmimi Nobel për Paqe?, ajo tha: “Për mua dhe motrat tona asgjë të posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në Bashkësinë tonë e as në shoqërinë tonë. Kjo dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë rregulltare, janë vetëm për të varfëritë tanë...Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramja sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishme për paqe... Pa dashuri nuk mund të kemi kurrë paqe”.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja shqiptare e Paqes – Nëna jonë e Shenjtë Tereze - Ganxhe Bojaxhiu”. Në Shenjten Nënë Terezë populli shqiptar mund të gjejë vetveten e shpirtin e vërtetë fisnik, bashkimin shpirtëror e kulturor, arsyen themelore për bamirësi, për paqe e pajtim, për bashkëpunim e bashkëjetesë me të gjithë, pa dallim e pa përjashtim, duke mësuar e ushtruar artin e jetës, të dashurisë e të vëllazërimit.