Kërko

Shkëlqimi i rigjetur i Notre-Dame de Paris

Pak ditë pas rihapjes, pesë vjet pas zjarrit të dhimbshëm të 2019, një vështrim në ngjyrat e gurit të restauruar dhe shkëlqimin e Katedrales, me Kryeipeshkvin e Parisit Laurent Ulrich. Vetë prelati do të kryesojë kremtimin me rastin e rihapjes së Katedrales në mbrëmjen e 7 dhjetorit 2024, në të cilën do të jenë të pranishëm presidenti Francës Emmanuel Macron dhe krerë të shumtë shtetesh dhe qeverish. Të dielën 8 në ora 10.30 Mesha inauguruese me ritin e kushtimit të altarit kryesor.

R.SH. / Vatikan

Pak ditë pas rihapjes, pesë vjet pas zjarrit të dhimbshëm të 2019, një vështrim në ngjyrat e gurit të restauruar dhe shkëlqimin e Katedrales, me Kryeipeshkvin e Parisit Laurent Ulrich. Vetë prelati do të kryesojë kremtimin me rastin e rihapjes së Katedrales në mbrëmjen e 7 dhjetorit 2024, në të cilën do të jenë të pranishëm presidenti Francës Emmanuel Macron dhe krerë të shumtë shtetesh dhe qeverish. Të dielën 8 në ora 10.30 Mesha inauguruese me ritin e kushtimit të altarit kryesor.

Pas më se pesë vitesh punë intensive, Notre-Dame de Paris, e shkrumbuar nga zjarri tragjik i 15 prillit 2019, do t’i rihapë dyert ditën e festës së Shën Ambrozit, më 7 dhjetor 2024. Ngjarja, e shumëpritur në Francë dhe në mbarë botën, do të kremtohet me një ceremoni madhështore, që do të nisë me bekimin e do të vazhdojë me Magnificat, Te Deum dhe Vesprit. Të nesërmen, 8 dhjetor, Festa e Zojës së Papërlyer, katedralja do t’i hapë rishtas dyert për besimtarët dhe vizitorët, me hyrje falas, me kërkesë përmes faqes zyrtare të internetit ose një aplikacioni.

Punë e jashtëzakonshme restaurimi

Në realizimin e projektit të restaurimit morën pjesë qindra zejtarë, arkitektë dhe restauratorë, të angazhuar për t’i rikthyer Notre-Dame - Zojës sonë - shkëlqimin e saj origjinal. Maja, e projektuar nga Eugène Viollet-le-Duc, simbol i pagabueshëm i horizontit të Parisit, u rindërtua besnikërisht dhe vetrazhet, që flasin për shekujt e historisë dhe të fesë, u restauruan me kujdes të përpiktë. E edhe çatia, e njohur me emrin "pylli" për strukturën e saj komplekse mesjetare prej druri (e, për këtë arsye, e rrezikuar të ndizet me një shkrepëse, siç ndodhi fatkeqësisht), u rindërtua duke përdorur teknika novatore dhe materiale të qëndrueshme.

Ky monument madhështor, simbol i Parisit, i Francës dhe i Kishës universale, një nga Katedralet par excellence, ndër monumentet më të vizituara në botë, po përgatitet të mirëpresë përsëri 12 deri në 15 milionë vizitorë në vit, duke tejkaluar shifrat e mëparshme, përmes një sistemi rezervimi online, garant i një përvoje paqësore dhe të sigurt për të gjithë.

Simbol i kulturës franceze dhe botërore

Notre-Dame-Zoja e Parisit, nuk është thjesht kryevepër e arkitekturës gotike, por vend që tregon historinë dhe identitetin e Francës. E nisur në  vitin 1163 dhe e përfunduar në 1345, katedralja kaloi nëpër shekuj historie: në çastet e lavdisë e në periudhat e braktisjes. Gjatë revolucionit francez pësoi dëmtime serioze dhe pothuajse u harrua. Por pikërisht atëhere u ringjall. Falë Victor Hugo-it dhe romanit të tij të famshëm Notre-Dame de Paris (1831) (përkthyer në gjuhën shqipe me titullin “Katedralja e Parisit”, përkthim i shkëlqyer i përkthyesit shqiptar Bujar Doko), u kthye në qendër të vëmendjes.

Hugo shkroi: "Koha është e verbër, e njeriu, budalla". Me këto fjalë vuri në dukje çkujdesjen e pafalshme, që po e çonte në rrënim një prej simboleve të qytetit dhe të kulturës europiane. Kjo thirrje alarmi jo vetëm që e shpëtoi Notre-Dame, por nxiti një interes ripërtërirë për trashëgiminë gotike, duke kulmuar me restaurimin e viollet-le-duc në shekullin e 19-të.

Një ngjarje historike

Më 7 dhjetor, në ceremoninë e rihapjes do të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, i cili do të jetë mjeshtër i ceremonive, dhe lider të shumtë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Presidentin e Republikës Italiane Sergio Mattarella. Prania e kreut të shtetit italian, i cili zgjodhi të heqë dorë nga premiera tradicionale e Teatro alla Scala për të qenë i pranishëm në Paris, flet vetë për vlerën universale të Notre-Dame si simbol i qëndrueshmërisë dhe shpresës. Parashikohet edhe një festë që  gërsheton elemente fetare, kulturore dhe civile, në përkim me rolin historik të Katedrales, si vend takimi dhe dialogu.

Rilindje, që shikon nga e ardhmja

Zjarri i vitit 2019 e tronditi thellësisht Francën dhe mbarë botën, por tregoi edhe aftësinë e njerëzimit për t'u bashkuar për një kauzë të përbashkët. Menjëherë pas katastrofës u mblodhën mbi 800 milionë euro donacione nga individë, kompani dhe institucione në mbarë botën. Këto fonde bënë të mundur përballimin e një prej sfidave më komplekse në historinë e restaurimeve arkitekturore.

Rilindja e Notre-Dame është edhe mundësi për të reflektuar mbi kuptimin e trashëgimisë historike dhe kulturore. Siç shkroi, edhe një herë, Victor Hugo: “Një ndërtesë e madhe, është si libër i madh; çdo gur është një fjalë". Katedralja nuk është thjesht vend fizik, por mesazh universal që flet për fenë, historinë, bukurinë.

Simbol për të gjithë

Notre-Dame nuk i përket një kombi apo një feje të vetme, por është padyshim trashëgimi universale. Siç theksoi Jean-Luc Mélenchon pas zjarrit: "Notre-Dame nuk i përket askujt, ose ndoshta u përket të gjithëve". Është vend ku bashkëjetojnë feja, arti, historia dhe shpresa e krishterë për paqen, duke krijuar një lidhje universale që kapërcen ndarjet kulturore dhe fetare.

Me rihapjen e saj, katedralja po përgatitet të jetë edhe një herë vend takimi dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm, duke kujtuar se edhe pas tragjedive më shkatërruese, është gjithmonë e mundur të rilindësh.

05 dhjetor 2024, 14:58