Të meditojmë Ungjillin e festës së Zojës së Papërlyer: Maria na mëson se njeriu i urtë nuk dyshon në Zotin
R.SH. / Vatikan
Në fillim të Kohës shpirtërore të Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, Shën Luka ungjilltar me saktësi të plotë e me përpikmëri të jashtzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari”.
Kështu, kjo festë na kujton se Maria është dhuratë e hirit të Zotit, i cili, në Zojën e Papërlyer gjeti gatishmëri e bashkëpunim të plotë. Vasha e Nazaretit, e dëgjon fjalën e Zotit, e pranon, i përgjigjet, i thotë atë ‘po’, që i krijon kushtet të mishërohet e të vijë për të ndenjur ndër ne, në historinë tonë njerëzore.
Virgjëra Mari me po-të e saj, me përgjigjet e saj pozitive ndaj kërkesës së Engjëllit të Zotit, sikur na tregon pjesa e Ungjillit të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, të dytë të kohës së Ardhjes, që paraprin e përgatit festën e Krishtlindjes, është shembull feje e bashkëpunimi me planin e Zotit që i përket dhe takon çdo të krishteri. Në saje të lidhjes së fesë: vërtet, kush beson thellësisht në dashurinë e Zotit, e pranon në vete Jezusin, hyjninë e jetës së tij, në saje të veprës së Shpirtit Shenjt. Ky është misteri i Krishtlindjes! Këtë, Kisha na fton të gjithëve, ta jetojmë me gëzim të thellë.
Të ndjekim një fragment nga Ungjilli i festës së Zojës së Papërlyer nga Luka:
Nga Ungjilli shenjt sipas Lukës (Lk 1,26-38)
Në atë kohë ,Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 3 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
Engjëlli iu përgjigj:“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
Atëherë Maria tha:“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”.
Të meditojmë me Ungjillin:
Nëna e Hyjit, Gruaja që tha “Po”!
Mari, grua që gjegje ‘Po”,
“Po”-në e gjithë besnikërive,
përgjigje e thirrjes së dashurisë,
E ftesës së Fjalës.
Në fshehtësinë e strehës sate
në lutjen tënde të heshtur
nga lart një zë
përshëndet, kumton, shpjegon:
Amen – është gjegjja.
Premtimi i lashtë
përmbushet plotësisht.
kjo ‘Po’ e jotja
Besëlidhjen përtërin,
e përmbi tokë
bulon dashuria.
E lumja ti
grua e zemrës së Zotit,
që ke njerëzimin në shpirt,
të lum do të jemi edhe ne,
për tëndin
e tonin “Amen”!