Kërko

Vargjet për Zotin: antologji e poezisë fetare

Pak ditë pas daljes në librari, në Romë u paraqit vëllimi “Versi a Dio”, “Vargje për Zotin”, antologji tekstesh poetike nga fe të ndryshme. Në veprimtarinë, zhvilluar në sallën e konferencave të Bashkësisë së Shën Egjidit, morën pjesë përfaqësues të bashkësive kryesore fetare në Itali. Të gjitha fetë, tha Atë Antonio Spadaro, e ndjejnë nevojën të shprehen në gjuhën e poezisë

R.SH. / Vatikan

Poezia, gjuhë amtare e njeriut, që kërkon e falënderon Zotin! - kështu e quajnë Poetët e edhe miqtë e poezisë, vargun që vjen në ditët tona nga kohë të pakohë. Në lulëzimin e saj të parë, poezia lindi për të kremtuar hyjnoren. Parë si shkallë për t'u ngjitur ndër viset qiellore; si pritë përrallore, për t’u takuar me hyjninë. Ndërmjet Orfeut, që magjeps mbretin e nëntokës - dhe Gjonit, që sheh engjëj, dragonj dhe kalorës vdekjeprurës në Patmos; ndërmjet vegimeve të shamanëve siberianë dhe lutjeve drejtuar Amonit, vargu vijon. Poezia është kodi që zbërthen qiejt dhe nxit zotat, duke i ftuar të duken në formën e shiut, zbulesës, dritës….

Fjalë, që të ndez flakë, kjo e antologjisë së re, për t'u pëshpëritur me zemrën valëvitëse, si flamur. Nga vargjet e Milarepës - tek ato të Boris Pasternakut, nga Gjoni i Kryqit - tek Ikkyū dhe 'Attār, marrëdhënia me hyjnoren ndjehet fuqimisht në çdo aspekt poetik: ​​ndonjëherë ajo përputhet me dashurinë dhe rehatinë martesore, herë të tjera me xhelozinë e zjarrtë, të tjera, me akuzë. Asgjë nuk mund t’i  kufizojë fjalët e Poetit: gjuha - lëndë djegëse sublime, ndërmjet bindjes dhe rebelimit - i jep zë të Plotfuqishmit në lavdinë e tij dhe në bredhjen ndërmjet tmerreve të botës. Perëndia herë ka trup të lavdishëm, vrull bishe, herë fytyrën e "Bariut të mirë", të shërbëtorit që njeh çdo vuajtje; poezia, gjithmonë, është strategji beteje, gjueti mbretërore e pafund. Efemerale! E edhe letër drejtuar poetëve të Papës!

Poezia më e vjetër

Një stelë që daton 2400 vjet më parë, u gjet në lagjen Milas të Muğla-s. U gjet gjatë gërmimeve të varrit antik të Hekatomnos. Mbi stelë është shkruar një poezi prej 121 vargjesh, e cila është ‘ndoshta’ poezia më e gjatë e gjetur në botë. Arkeologu suedez Christian Marek, i cili drejton gërmimet në vend,  pohoi se poema lavdëron mbretin e kohës dhe ndoshta është shkruar vetëm për të. Më tej, sipas asaj që pohon Christian Marek, poeti i drejtohet drejtpërdrejt mbretit duke i thënë: “ti”. E pabesueshme për kohën.

Poezia dhe lutja

Libri "Versi a Dio" (botues Crocetti) mbledh tekste poetike nga besime të ndryshme, duke përfshirë hinduizmin, budizmin, taoizmin, judaizmin, islamin dhe krishterimin. Kalon nga vargjet e Milarepës - te ato të Boris Pasternakut, nga Gjoni i Kryqit - te Ikkyūe Attar. Marrëdhënia me hyjnoren shprehet në një këngë shumëplanëshe: është dashuri, rehati, por edhe pështjellim. Të kujton se jo vetëm besimtarët mund të kompozojnë poezi, që kanë aromën e lutjes. Në vargjet e Pär Lagerkvist, dëshira për Zotin humbet në shqetësimin e kërkimit:

“Një i huaj është miku im,

ai që nuk e njoh.

Një i huaj, larg,

që e dua!

Zemra më mbushet

me mall për të,

se ai nuk është me mua”.

Edhe nëse kufizohet në distancë, ndër këto vargje zbulohet fuqia e poezisë e cila kthehet në përgjërim.

Në tekstet poetike të Edith Stein nuk ka distancë: ndërmjet vargjeve të saj poezia bëhet lutje përmes një marrëdhënieje plotësisht të jetuar:

“Ti ma lidhe zemrën me litarë,

e jeta ime

rrjedh nga jeta Jote”.

Poezia më e shkurtër

Agu

M'Illumino d'immenso: Shndritem nga pafundësia!

Katër fjalë që të gjithë studentët italianë i dinë mirëfilli. Janë fjalët e poezisë më të shkurtër nga kompozimet e Giuseppe Ungaretti-t dhe ndoshta edhe më të famshme. Nëse M'Illumino / d'immenso mund të duket si dy vargje të kuptueshme lehtë, në realitet Mattina është një nga kompozimet më të vështira të Giuseppe Ungarettit.

 E shkruar më 26 janar 1917 në frontin Carso gjatë Luftës I Botërore, Mattina është ndoshta lirika më përfaqësuese e hermetizmit, një nga udhëheqësit e të cilit ishte Ungaretti.

Dy fjalë për poezinë

Duke folur në aktivitetin e zhvilluar në sallën e konferencave të Bashkësisë së Shën Egidit, përplot me përfaqësues të bashkësive kryesore fetare në Itali, Atë Antonio Spadaro pohoi:

“Të gjitha fetë ndjejnë nevojën të shprehen në gjuhën e poezisë”.

E kjo, sepse Poezia është gjuha amtare e njeriut të lashtë e të ri, që e kerkon dhe e falënderon Zotin”!  

Poezia është këngë, që ngrihet lart, është fjalë, që prek zemrën. Është baltë për t'u shkelur, gjuhë universale, që përshkon popuj dhe epoka. Është urë mbi rrugën e historisë për të shtegtuar së bashku e për të bashkuar fetë në një vëllazëri shpirtërore të ushqyer nga kërkimi dhe lavdërimi i Tjetrit, që është Zoti, të cilit i kushtohet libri “Vargje për Zotin”.

07 dhjetor 2024, 15:01