Zenari: në Siri vdes shpresa, njerëzit duan vetëm të ikin

Nunci në Damask komenton "ngjarjet tragjike" të ditëve të fundit me marrjen e Halebit nga rebelët xhihadistë: "Mbretëron frika, shqetësimi, pasiguria". Kardinali është në kontakt me bashkësinë e krishterë: “Njerëzit janë mbyllur në shtëpi, kush mundi, iku. Sigurisht, numri i të zhvendosurve brenda vendit do të rritet”. Thirrje për bashkësinë ndërkombëtare: "Disa luftëra mund të ishin parandaluar”

R.SH. – Vatikan

Në Siri "shpresa ka vdekur" dhe njerëzit kanë vetëm një dëshirë: "Të ikin". Katërmbëdhjetë vjet konflikt, varfëri ekstreme, sanksione ndërkombëtare, tërmeti, tani një valë e re tensionesh dhe dhune e shqetësojnë seriozisht kardinalin Mario Zenari. Nunc i Damaskut që prej 16 vjetësh, kardinali komenton marrjen e Halebit më 30 nëntor: qyteti i dytë më i madh në Siri, për herë të parë, është krejtësisht jashtë kontrollit të qeverisë së Asadit, në duart e rebelëve xhihadistë. Numri i të vdekurve e ka kaluar 350 vetë, ndërsa të zhvendosurit tashmë janë më mijëra: “Numër që do të rritet”, pohon Zenari në telefon nga Damasku për mediat e Vatikanit. Siria po përjeton një emergjencë të re, një luftë të re: “Të shohim se ç’do të ndodhë. Tani kemi një lloj qetësie tejet të dyshimtë”. Sigurisht që nuk ka më shpresë: “Ka vdekur, po vdes, në disa raste tashmë është varrosur”, pohon me keqardhje kardinali. Ndoshta Jubileu mund të sjellë "një frymë të freskët", por njerëzit janë të rraskapitur dhe s’kanë më fuqi për të parë perspektiva për të ardhmen.

Deklarata e atë Françesk Patton

Pas bombardimit në Haleb, atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, deklaroi: “Të dielën 1 dhjetor, gjatë një bombardimi në qytetin e Halebit, një bombë ra në kompleksin françeskan të Kolegjit të Tokës Shenjte. Falë Zotit nuk ka pasur viktima apo të lënduar, është dëmtuar vetëm objekti. Fretërit dhe besimtarët e famullisë janë të gjithë mirë. Nga Kuria jonë jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. Tani për tani, na flasin për tension dhe frikë në rritje në mesin e popullsisë civile të Halebit, për shkak të zhvillimeve të paparashikueshme gjatë konfrontimit të vazhdueshëm”. Atë Patton i fton fretërit, të krishterët e Tokës Shenjte dhe të gjitha Kishat të bashkohen në lutje për paqen në Sirinë e martirizuar nga vitet e gjata të luftës dhe të dhunës. “Fjala e Zotit në këtë të dielë të parë të Ardhjes – përfundon ai, duke iu referuar ditës së djeshme - na fton ta mbajmë gjallë shpresën për një perspektivë paqeje. Ta mirëpresim këtë nxitje dhe të lutemi që ajo të bëhet e vërtetë për vëllezërit tanë sirianë”.

02 dhjetor 2024, 14:47