Kërko

HISTORIA E VËRTETË E BEFANËS

Një natë Jezusi i ngjallur iu duk në ëndërr dhe i tha:“Guxim Befana! Të kam falë!” Do të të jap jetë e shëndet për shumë vite të tjera. Dhuratën që nuk erdhe të ma sjellësh kur isha fëmijë, tani do t’ua dhurosh nga unë të gjithë fëmijeve. Do të fluturosh në të katër anët e dheut mbi fshesën tënde dhe do t'i dhurosh një çorape plot me ëmbëlsira e me dhurata çdo fëmije që ka bërë Shpellën e Betlehemit për Krishtlindje dhe që, më 6 janar, ka vendosur edhe Tre Mbretërit në skenën e Lindjes së Zotit

R.SH. / Vatikan

HISTORIA E VËRTETË E BEFANËS

(Një tregim nga don Giampaolo Perugini)

Në një fshat, jo larg Betlehemit, jetonte një vashë e re, që quhej Befana.

Nuk ishte e shëmtuar, përkundrazi, ishte shumë e bukur, ndaj e kërkonin shumë djem të rinj.

Por ajo kishte karakter shumë të keq, ishte egoiste dhe nuk ndihmonte kurrë askënd. Me kalimin e viteve, kjo mënyrë sjelljeje e bëri gjithnjë e më të padurueshme e më të prapë, aq sa në fshat filluan ta thërrisnin"shtriga".

Kur nuk e pastronte shtëpinë me fshesën e saj prej kashte, ulej dhe thurte çorape.

E bënte qindra prej tyre.

Po jo për ndokënd, sigurisht!

I bënte për vete, për të qetësuar nervat e saj dhe për të kaluar pak kohë, duke qenë se asnjeri nga fshati nuk vinte kurrë ta vizitonte, e as ajo nuk i shkelte kujt në derë!

Ishte shumë krenare për të pranuar se kishte etje për pak dashuri, e shumë egoiste, për t'i dhuruar kujt pakëz nga dashuria e saj.

Kur mbushi shtatëdhjetë vjeç, një karvan mbërriti në vendin ku jetonte. Ishin mbretër e vinin nga lindja e largët.

U ndalën paksa në fshat, para se të vazhdonin shtegtimin e tyre drejt Betlehemit.

Ishte mbrëmja para 6 janarit.

Plaka dëgjoi se dikush po i trokiste në derë.

Kush mund të ishte?

Askush nuk kishte trokitur ndonjëherë në atë derë. E ajo shkoi ta hapte derën dhe pa përball njërin nga tre mbretërit!

Ishte shumë i pashëm e shumë gazmor. Ndaj si bëri buzën në gaz i tha Plakës së pataksur në prag:

"Mirëmbrëma Zonjë, a mund të hyj?"

Befana u befasua nga kjo situatë dhe, duke mos e ditur se çfarë duhej të bënte, e pa pasur as kohë as të mendonte, u përgjigj: "Ju lutem, uluni".

Mbreti i kërkoi dashamirësisht të flinte në shtëpinë e saj atë natë!

Befana nuk pati guximin t’i thoshte jo.

Ai burrë ishte aq i edukuar e i sjellshëm me të, sa ajo e harroi për një çast natyrën e saj të keqe.

Mbreti i tregoi pse ishte vënë për udhë me dy të tjerë…

Duhet të gjenin Foshnjën që do ta shpëtonte botën nga egoizmi dhe nga vdekja. E ata duhet t’i dhuronin ar, kem e mirrë.

"A dëshironi të vini edhe ju me ne?"

"Unë?!" gjegji e mrekulluar Befana...

"Jo, jo, nuk mundem".

Në të vërtetë, mundte, por nuk donte.

Nuk qe larguar kurrë nga shtëpia.

Megjithatë, qe e lumtur që mbreti e pyeti.

“A dëshironi që ne t'i çojmë Shëlbuesit edhe një dhuratë nga ju?”

Ani kush të dhuronte…

Por ajo ndjeu sikur do të bënte përshtypje të keqe, nëse do të thoshte sërish jo.

Ndaj gjatë natës vendosi një nga çorapet e saj, vetëm një, aty ku flinte Mbreti Dijetar, me shënimin: "për Jezusin".

Kaluan tridhjetë vjet.

Befana sapo kishte mbushur të njëqindtat. Ishte ende vetëm, por jo më e keqe.

Ajo vizitë e papritur, mbrëmjen para 6 janarit, e kishte ndryshuar thellësisht.

Ndërkohë në derën e saj kishin nisur t'i trokasin edhe banorët e fshatit. Fillimisht për të mësuar se çfarë i kishte thënë mbreti, pastaj ngadalë për ta ndihmuar në gatitjen dhe pastrimin e shtëpisë, pasi kishte dhimbje të forta të shpinës, që e pengonin edhe të ecte.

Po kujtdo që vinte, Befana filloi t'i jepte një palë çorape.

Çorapet e saj ishin të bukura, të bëra mirë, të ngrohta.

E Befana kishte nisur të buzëqeshte kur dhuronte një çorape, prandaj nuk dukej më aq e shëmtuar, madje ishte bërë e këndshme.

Ndërkohë, nga Galileja erdhi lajmi për një farë Jezusi nga Nazareti, i lindur në Betlehem tridhjetë vjet më parë, i cili kryente lloj-lloj mrekullish.

E thërrisnin Mesi, Shëlbues!

Befana e kuptoi se flitej për atë foshnjën, po nuk kishte guxim të shkonte të shihte.

Çdo natë, në kujtimin e asaj nate të largët, zemra i qante nga turpi për dhuratën e mjerë që i kishte dhuruar Mbretit të Urtë, Jezusit: një çorape bosh... vetëm një çorape, as një palë!

Qante nga brerja e ndërgjegjes dhe nga pendimi, e kjo e qarë e bënte gjithnjë e më të dashur e më të mirë.

Pastaj erdhi lajmi se Jezusi ishte kryqëzuar dhe se ishte ringjallur pas tri ditësh.

Befana në atë kohë ishte 103 vjeçe.

Lutej dhe qante çdo natë, duke i kërkuar falje Jezusit.

Më shumë se çdo gjë, donte ta shlyente disi egoizmin dhe ligësinë e saj të mëparshme.

Ddëshironte një shans tjetër, por e kuptoi se tani ishte tepër vonë.

Një natë Jezusi i ringjallur iu duk në ëndërr dhe i tha:

“Guxim Befana! Të kam falë!”

Do të të jap jetë e shëndet për shumë vite të tjera.

Dhuratën që nuk erdhe të ma sjellësh kur isha fëmijë, tani do t’ua dhurosh nga unë të gjithë fëmijeve.

Do të fluturosh në të katër anët e dheut mbi fshesën tënde prej kashte dhe do t'i dhurosh një çorape plot me ëmbëlsira e me dhurata çdo fëmije që ka bërë Shpellën e lindjes së Krishtit për Krishtlindje dhe që, më 6 janar, ka vendosur edhe Tre Mbretërit në skenën e Lindjes së Zotit.

Por, kujdes!

Fëmija duhet të jetë i mirë, jo egoist... përndryshe do t'ia mbushësh çorapen me qymyr, me shpresën se vitin e ardhshëm do të sillet si fëmijë bujar.

E Befana e bëri këtë! Madje vijon ta bëjë ende për t'iu bindur Krishtit.

Gjatë gjithë vitit ajo punon me gëzim të papërshkrueshëm çorape për fëmijët... ndërsa në datën 6 janar u sjell plot ëmbëlsira dhe dhurata.

Është aq e lumtur sa edhe qymyri, kur e dhuron, bëhet i ëmbël dhe i mirë për t'u ngrënë...

Ju ndoshta e keni provuar… kur ishit fëmijë, natyrisht…

06 janar 2025, 14:25