Kërko

Natività, adorazione dei Magi Natività, adorazione dei Magi

Festa e Dëftimit të Zotit – festa e Epifanisë!!

Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit kremtojmë dëftimin e Krishtit para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë, të ardhur nga Lindja. Kremtojmë Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtegtimit të popujve në kërkim të shpëtimi

R.SH. - Vatikan

Më 6 janar Kisha katolike romake kremton solemnitetin e Epifanisë – Dëftimit Zotit, që na shpie prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij.

Shpallja kumtimit të Pashkëve

Gjatë kremtimit Eukaristik, menjëherë pas shpalljes së Ungjillit, bëhet shpallja solemne e Kumtimit të Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shëmbëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Treditëshi i Zotit Jezu Krisht të kryqëzuar, të varrosur e të Ngjallur.

Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Në këto rrethana, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit e dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen e ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve.

Është mbi këtë besim të përbotshëm (universal) që duhet të ritmohet edhe jeta jonë, nëse duam ta përjetojmë gëzimin që lind nga feja në Jezusin. Kështu, Krishti për ne bëhet Fjalë e Bukë në mënyrë që edhe ne duke u bërë fjalë e bukë për vëllezërit tanë, mund të ja dëftojmë Jezusin të gjithë njerëzve. Kisha me këtë festë kremton dëftimin e Zotit që u bë i dukshëm dhe i prekshëm "në plotësimin e kohërave". Dëftimi apo shfaqja ndodhi mes dritash e errësirës.

Errësira dhe kohërat
Izaia, shtatë shekuj para Krishtit, nguli vështrimin (sytë) prej shqiponje drejt të ardhmes, dhe pa tokën e zhytur në errësirë: "ja, errësira e mbulon tokën, mjegulla e ngulm i pështjellë kombet" (Iz 60,2)… Bebëzat e syve të tij fokalizohen mbi vitet e lindjes së Mesisë, që Pali apostull e quan "plotësi" e kohërave: "Vëllezër, kur erdhi plotësimi i kohës, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje…" (Gal 4,4).

Nga pikëpamja njerëzore, perandoria romane ishte në shkëlqimin më të madh të saj: kurrë më të ardhmen nuk do të lëshonte (jap) dritë po të gjallë kulturore, pushtet politik e ushtarak, bashkim e marrëveshje mes popujsh. Nga pikëpamja fetare, njeriu kishe marrë vendin e Zotit: Virgjili, Oraci, Ovidi e quanin Cezar Augustin Zot. Mirëpo Hyji nuk e shikon pushtetin politik, por mjerimin moral e fetar të njerëzve. Zoti është dritë, e kush rri larg prej drite, pushtohet e zhytet në errësirë.

Sfida e Zotit
Derisa njeriu mundohet të bëhet Zot, Zoti bëhet njeri dhe i fton njerëzit ta adhurojnë. Mirëpo pyesim nëse njeriu, që nuk e adhuron Zotin, a mund ta adhurojë një Njeri-Zot? E megjithëkëtë Virgjili, Oraci e Ovidi patën adhuruar vetëm një njeri, Gjeniun e Augustit! Sfida që bëri Zoti qëndron në nxjerrjen në pah të absurditetit të njeriut që e adhuron shumë më lehtë një njeri – edhe nëse është Cezar – në vend të një Njeriu që është Zot i vërtetë.

Ylli e dielli
Simbolizmi biblik arrijnë kulmin kur një yll i udhëheq Dijetarët drejt atij që është i quajtur "Diell i lindur prej së larti". Ylli simbolizon dritën e zbehët të feve false (rreme), që kanë ruajtur vetëm një rreze të dëftimit primitiv (të kahershëm) të Zotit i cili, në fillim, zbriste për të folur me njerëzit në kopshtin e Edenit. Udhëtimi i Dijetarëve drejt Jezusit – do të thotë udhëtim që çdo fe tjetër duhet ta bëj drejt fesë kristiane, e vetmja fe e vërtetë, sepse në të shkëlqen në plotësi dielli i Zotit të dëftuar në Njeriun-Jezus.

Të "vetët" e të tjerët

Kur Gjoni thotë se Fjala, duke u mishëruar, "erdhi ndër të vetët", i referohet të gjithë njerëzve të krijuar "përmes tij", pasi që, "pa të, asgjë nuk është krijuar prej asaj që është bërë". Po ne e dimë se, ndër të gjithë popujt, Hyji pati zgjedhur Izraelin porsi "pronësi" të veten. Kur Fjala u mishërua, "të vetët" ishin Hebrenjtë, të cilët nuk e njohën, nuk e pranuan, derisa nuk e dëbuan përjashta qytetit të shenjtë dhe e gozhduan mbi kryq.

Megjithëse, Krishti do t'ia kushtojë tërë jetën e vet tokësore kthimit të popullit të zgjedhur – delet e humbura të shtëpisë së Izraelit – i urdhëroi pastaj apostujve të zgjeroheshin e të ungjillëzonin "të tjerët", paganët. Një risi e pamendueshme e gati e papranueshme nga populli që deri asokohe konsiderohej i "parazgjedhur". Pali e quan "mister të fshehur para breznive të mëparshme" faktin që "paganët “ (gjentilët) janë të thirrur në Jezu Krishtin të marrin pjesë në të njëjtën trashëgimi, se janë të ftuar ta formojnë të njëjtin trup, e të jenë pjesëmarrës premtimeve përmes ungjillit (Ef 3,5s).

Ardhja e dijetarëve nga linda

E dimë se sa iu deshtë të quante Pjetrit para e pas i dha pagëzimin familjes së centurionit Kornelit! Shën Pali thotë se misteri i tillë – i hapur ndaj paganëve – "është dëftuar në kohën e tashme apostujve të shenjtë e profetëve". Mirëpo nuk mund të mendohet se Zoti ka ndryshuar planet e veta. Ardhja e dijetarëve nga linda deri te linde e Foshnjës, dëshmon se kthimi i paganëve në krishterim ishte gjithmonë në planet e Zotit. Madje, Leximi I (Is 60, 1-6) i kësaj feste na paralajmëron se që në kohën e tij, Izaia pati parashikuar popuj e mbretër të ecnin në dritën e Zotit, aradhe kameliesh, deve me gunga nga Madianit, nga Efa e Saba vinin duke "bartur ari e kem", shenja të njohjes së Mbretërisë e të Hyjnisë së Krishtit, "duke i dhënë lavde Zotit".

Tre simbolet e arit, kemit e mirrës

Në festën e Epifanisë, Kisha pra kremton "dëftimin" e Zotit të gjithë njerëzve vullnet mirë, që ai i do. Jezusi nuk është pronë private e disa personave të privilegjuar, por është dhuratë e bërë për të gjithë njerëzit, pa dallim e pa përjashtim. Me qenë se Zoti ka ardhur në mesin e njerëzve, duhet që, sikur Dijetarët e Lindjes, të gjithë njerëzit të shkojnë tek Ai: "Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do të ripërtërij", na thotë Jezusi. E që në lashtësi mund të konstatohet se si njerëzit janë munduar ta "ndajnë" e ta "kenë" për vetëm vete Krishtin duke bartur secili një pjesë në shtëpi të vet.

Tri simbolet e arit, kemit e mirrës, të vendosura nga tre Dijetarët e Lindjes tek këmbët e Jezusit Foshnje në shpellën e Betlehemit, pohojnë se ajo Foshnje e vetme është së bashku e njëkohësisht Njeri, Zot, Mbret. Janë simbole të pa ndashme që na ofrojnë çelësin për të lexuar e kuptuan ngjarjen e jashtëzakonshme dhe unike të Betlehemit, ngjarjen e Mishërimit të Zotit, ngjarjen e ardhjes së Zotit në natyrën tonë njerëzore.

06 janar 2025, 12:01