Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
The three wonders
Programe Podcast
2020.05.12 speranza, croce, mani

Çelësi i fjalëve të Kishës: shpresa e duresa

Javën e kaluar filluam një cikël emisionesh, kushtuar Bulës së Papës Françesku për shpalljen e Jubileut 2025, që fton në Romë mijëra e mijëra shtegtarë, të cilët vijnë për të kapërcyer Portën Shenjte në katër bazilikat kryesore, caktuar pikërisht në tekstin e bulës. Viti i Shenjtë i kushtohet “Shpresës që nuk zhgënjen”e sot, përmes fjalëve të Papës, do të shpjegojmë se ku bazohet kjo shpresë - shpresa e krishterë, që nuk është e njëjtë me llojet e tjera të shpresave,siç ka thënë shpesh Françesku

R.SH. – Vatikan 

“Shpresa – shkruan Papa Françesku në kreun e tretë të Bulës për shpalljen e Jubileut 2025 - lind nga dashuria dhe themelohet mbi dashurinë, që rrjedh nga Zemra e Jezusit, shporuar në kryq: «Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij!» (Rom 5,10). Jeta e tij shfaqet në jetën tonë të fesë, e cila fillon me Pagëzimin, zhvillohet në bindjen ndaj hirit të Tënzot dhe, për këtë arsye, gjallërohet nga shpresa, që përtërihet gjithmonë e që bëhet e palëkundshme nga veprimi i Shpirtit Shenjt.

Vërtet, Shpirti Shenjt, me praninë e vet të përhershme në udhën e Kishës, rrezaton dritën e shpresës te besimtarët: Ai e mban të ndezur atë si një pishtar, që nuk fiket kurrë, për t’i dhënë mbështetje dhe fuqi jetës sonë”. Duke pasur parasysh Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve, nga e cila është marrë tema e Jubileut të sivjetëm, Papa Françesku nënvizon se “shpresa e krishterë, në të vërtetë, nuk gënjen e nuk zhgënjen, sepse është e themeluar mbi sigurinë se asgjë dhe askush nuk mund të na ndajë kurrë nga dashuria hyjnore: «Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? – citon Papa shën Palin - Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? […] E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur. Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë» (Rom 8,35,37-39). Ja përse kjo shpresë nuk humbet përballë vështirësive: ajo themelohet mbi fenë dhe ushqehet nga dashuria, dhe kështu na lejon të ecim përpara në jetë. Shën Augustini, në lidhje me këtë gjë, shkruante: «Në cilëndo jetë nuk mund të jetosh pa këto tri prirje të shpirtit: të besosh, të shpresosh, të duash».

“Shën Pali – vijon komentin Ati i Shenjtë - është shumë realist. Ai e di se jeta përbëhet nga gëzime e pikëllime, se dashuria vihet në sprovë kur vështirësitë shtohen dhe shpresa duket se shembet përballë vuajtjeve. Megjithatë ai shkruan: «Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën» (Rom 5,3-4). Për Apostullin, mundimi dhe vuajtja janë kushtet tipike të atyre, që kumtojnë Ungjillin në kontekste keqkuptimi dhe persekutimi (shih 2 Kor 6,3-10). Por në situata të tilla, në mes të errësirës mund të vërejmë një dritë: zbulojmë se ungjillëzimi mbështetet nga forca, që rrjedh nga kryqi dhe ngjallja e Krishtit. Kjo gjë na bën të zhvillojmë një virtyt, që lidhet ngushtë me shpresën: duresa. Tanimë, në një botë ku nxitimi është bërë një gjë e vazhdueshme, jemi mësuar të dëshirojmë gjithçka e menjëherë. Nuk kemi më kohë për t’u takuar dhe shpeshherë bëhet e vështirë të mblidhemi e të bisedojmë pa ngut, edhe në familje. Nxitimi e ka dëbuar duresën, duke u shkaktuar njerëzve dëme të mëdha. Njëmend, jotoleranca, nervozizmi dhe ndonjëherë edhe dhuna e paarsyeshme, zënë vend, duke shkaktuar pakënaqësi dhe mbyllje.

Për më tepër, në epokën e internetit, kur hapësira dhe koha zëvendësohen nga “këtu dhe tani”-ja, duresa nuk është e shtëpisë – denoncon Papa Françesku. - Po të ishim ende në gjendje ta shikonim Krijimin me mahnitje, do ta kuptonim se sa vendimtare është duresa. Të presësh ndërrimin e stinëve me frutat e tyre; të vëzhgosh jetën e kafshëve dhe ciklet e zhvillimit të tyre; të kesh sytë e thjeshtë të shën Françeskut, i cili në Këngën e krijesave, shkruar 800 vjet më parë, e ndiente Krijimin si një familje të madhe dhe e quante diellin “vëlla” dhe hënën “motër”. Rizbulimi i duresës – pohon Ati i Shenjtë - i bën shumë mirë vetes dhe të tjerëve. Shën Pali e përdor shpesh duresën për të nënvizuar rëndësinë, që ka qëndresa dhe besimi në atë që na është premtuar nga Hyji, por para së gjithash dëshmon se Hyji është i durueshëm me ne, Ai është «Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin» (Rom 15,5). Duresa, edhe ajo fryt i Shpirtit Shenjt, e mban gjallë shpresën dhe e përforcon atë si virtyt dhe stil jete. Prandaj, të mësohemi ta kërkojmë shpesh hirin e duresës, e cila është bija e shpresës, por njëkohësisht, e mbështet atë”.

Me shpresë e duresë, i krishteri vihet për udhë në jetë. Cilat janë karakteristikat e kësaj udhe? Do të vijojmë të flasim për këtë të enjten e ardhshme, gjithnjë në ciklin kushtuar Bulës për shpalljen e Jubileut 2025.

27 shkurt 2025, 09:07
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031