Kur paguajnë fëmijët
R.SH. / Vatikan
Reflektimi i Vikarit të Rojtarisë Françeskane të Tokës së Shenjtë, Atë Ibrahim Faltas, kushtuar jetës së humbur të dy fëmijëve izraelitë, vrarë barbarisht në Gaza dhe vdekjes në Rrip nga të ftohtit të gjashtë të porsalindurve.
Më 3 shkurt, në përfundim të Samitit Botëror për të Drejtat e Fëmijëve, që u mbajt të fillim të shkurtit, Papa Françesku kërkoi të vazhdonin ndërhyrjet e asaj dite, duke krijuar një laborator që do t'i bënte konkrete propozimet e sapo dëgjuara. Për samitin e dëshiruar shumë nga Ati i Shenjtë Françesku, u mblodhën në Vatikan personalitete dhe përfaqësues të institucioneve nga e gjithë bota. Nga ndërhyrjet e shumta dhe të sakta, dolën shumë propozime për t’i ndihmuar fëmijët, për të mbrojtur jetën e tyre, për të shpëtuar të ardhmen e tyre.
Pabarazitë dhe jetët e humbura
Varfëria, mungesa e kujdesit shëndetësor, mungesa e mjeteve të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve ndjehen fort në pjesën më të madhe të planetit. Është e nevojshme përpjekja e bashkësisë njerëzore për t’i kapërcyer kaq shumë pabarazi. Të dhemb, kur mendon për jetët e shkatërruara të dy fëmijëve izraelitë, të vrarë barbarisht në Gaza, të cilët mund të ishin shpëtuar të paktën nga respekti për ata që janë të ligshtë e të pambrojtur. Të dhemb, kur e di se në vetëm pak ditë, gjashtë të porsalindur në Gaza humbën jetën për shkak të të ftohtit. Të dhemb, kur mendon për fëmijët, që mund të kishin shpëtuar nga një batanije dhe një ilaç. Vdekja e fëmijëve është rëndë kur shkaktohet nga sëmundje, aksidente ose rreziqe ambientale.
Të drejtat e fëmijëve
Fëmijët janë të barabartë kudo dhe kanë të drejtë të respektohen kudo, si në jetë, ashtu edhe në vdekje. Duhet të indinjohemi dhe të ngremë zërin kundër atyre që i vrasin fëmijët pa mëshirë. Të indinjohemi dhe të bërtasim kundër atyre, që nuk e respektojnë të drejtën e jetës dhe të kujdesit shëndetësor. Është koha e respektit për jetën dhe për vdekjen. Kohë për mirëkuptim dhe dhembshuri reciproke. Fëmijët që vdesin dhe vuajnë për shkak të banalitetit të së keqes së të rriturve, janë figura që flasin për humbjen e luftës. Ati i Shenjtë, edhe në ditët kur frymëmarrja e tij është më e vështirë, vazhdon t'i kujtojë, t'i kërkojë, t'i ndihmojë, t'i mbrojë e t'u ofrojë fëmijëve përkëdheljen dhe frymën jetike.