Në Romë, ekspozita “Kush është njeriu i Sindonës”?
R.SH. – Vatikan
Jubileu dhe Pëlhura më e famshme në histori nuk mund të mos i kryqëzonin rrugët e tyre. Do ta bëjnë këtë në ekspozitën e organizuar në Romë, në Bazilikën e Shën Gjon Pagëzuesit të Fiorentinëve, e cila ka si titull më kryesoren e të gjitha pyetjeve: "Kush është njeriu i Sindonës?" Ka në qendër Sindonën, pra, pëlhurën në të cilën, sipas traditës, shihen konturet e trupit të Krishtit, ekspozita e menduar nga Universiteti Papnor Regina Apostolorum, ku do të paraqitet një riprodhim besnik i origjinalit, që ruhet në Torino.
Sindona ndërmjet shkencës dhe fesë
Ekspozita është e para e një sërë veprimtarish të planifikuara nga universiteti për Jubileun e Shpresës. Përurimi do të bëhet më 10 mars, në orën 18, “mundësi unike – siç thuhet në një deklaratë për shtyp të ateneut – për të parë nga afër një simbol kaq të rëndësishëm të krishterimit dhe për t’u thelluar në historinë dhe në kuptimin e tij, edhe përmes kontributeve të ekspertëve”.
Hapja e ekspozitës, e cila mund të vizitohet deri më 10 qershor, do të përkojë me konferencën "Sindona: ndërmjet shkencës dhe fesë", ku janë ftuar studiues të njohur ndërkombëtarisht. Ekspozita, version shëtitës i asaj, që ndodhet në universitet, është "dëshmitare e heshtur", që e lejon çdo besimtar të zhytet në një udhëtim të veçantë, sidomos gjatë Kreshmëve e deri për Pashkë, që mahnitet e ngre pyetje për misterin e Sindonës.