Atë Saggiotto: jeta në Betlehem, nën një kapë plumbi
R.SH. / Vatikan
Fëmijët, edhe më të vegjlit, që nuk janë as shtatë vjeç, në Betlehem jetojnë me celularë në duar. Jo për të luajtur, as për të biseduar me miqtë e tyre, si çdo fëmijë në vende të tjera të botës, por për të kuptuar se çfarë po ndodh rreth tyre, për të kuptuar nëse ka probleme në burgun e tyre të hapur, siç e quajnë qytetin e tyre. Atë Lorenzo Saggiotto, drejtor i veprës Saleziane në Betlehem, së bashku me bashkëvëllezrit e tij, nuk ka reshtur kurrë së punuari përkrah këtyre të rinjve.
Për t'i ndihmuar, salezianët përgatisin veprimtari psikosociale, që synojnë kufizimin e ndikimit të stresit lidhur me luftën. “Krijuam nisma që mund t'i ndihmonin fëmijët të bisedojnë me njëri-tjetrin, të hapen dhe të mos e mbajnë gjithçka brenda vetes. I organizuam kryesisht sipas moshës, duke nisur nga fëmijët 6 deri në 10 vjeç, më pas nga 10 deri në 14 vjeç: organizuam aktivitete teatrale, muzikore, sportive, gjithçka që mund t'i ndihmonte të dilnin nga kapa prej plumbi, që u rëndon mbi kokë. Kjo i ndihmoi familjet të kuptojnë se fëmijët e tyre kanë cilësi dhe se, nëpërmjet këtyre aktiviteteve, ata mund të shprehen në një farë mënyre, duke gjetur sadopak prehje e harresë në jetën e tyre. Në një vend krejt të pasigurt!
Ndjenja e thellë e pasigurisë
Në Betlehem, si në pjesën tjetër të Palestinës, askush nuk mund të flasë për të ardhmen e të rinjve, familjeve, të krishterëve. “Ne jetojmë të bllokuar, sidomos në lëvizje - vazhdon Ati Saggiotto – me postblloqe që vendosen rastësisht dhe ndodh që kush kthehet nga shkolla e gjen rrugën të mbyllur e duhet të kërkojnë rrugë anësore për t’u rikthyer, sepse nuk i dihet kurrë kur mbyllen a kur hapen rrugët. E pastaj është ushtria izraelite, e cila vjen ditë e natë, duke kaluar para shkollës sonë, sidomos në orët e mëngjesit. Deri tani, ushtarët nuk kanë hyrë kurrë në shtëpinë tonë, por e gjithë kjo krijon një ndjenjë pasigurie”.
Frikë nga humbja e identitetit! Cila do të jetë e ardhmja jonë? A do të ketë një zgjidhje? A do të ketë dy shtete? Pyetje dramatike që, frikësohet Atë Saggiotto, ndoshta do të mbeten pa përgjigje për një kohë të gjatë. “Ne nuk e kuptojmë se ku po shkojmë, e gjithë kjo krijon një ndjenjë pasigurie dhe, natyrisht, nevojën për të kërkuar zgjidhje të tjera, siç është largimi. Flasim me çifte të reja, fëmijët e të cilëve ndjekin shkollën fillore dhe e dimë se ata do të pyesin nëse do të qëndrojnë këtu dhe do të vuajnë krizën, apo do të shkojnë diku tjetër, për të jetuar më mirë, por - kjo është frika e madhe - me rrezikun e humbjes së identitetit, vlerave të kulturës palestineze, të ndjenjës së një familjeje të madhe! E edhe të rrezikuar të ndihen si numra brenda një shteti tjetër të madh.
Vepra e salezianëve
Misioni i Salezianëve vazhdon pa u ndalur, në përpjekje për të përgatitur të rinjtë për ardhmërinë, nëpërmjet edukimit, pavarësisht se ku mund të jetë. “Shqetësimi ynë i parë ishte të mos i humbisnim studentët për shkak të mungesës së parave për të paguar shkollimin. Kemi filluar mbledhjen e fondeve për të mbuluar shpenzimet e mbi 300 djemve dhe vajzave që ndjekin kurset tona, për t’u dhënë bursa dhe deri tani kemi arritur të mos humbasim askënd. Kështu u japim një ndjenjë shprese, mbasi po të tërhiqeshin nga kursi, do të mbeteshin pa kualifikime, e ardhmja e tyre do të bëhej edhe më e errët se sa është. Kemi përshtatur edhe oraret e klasave, që të mos mbarojnë kur është natë, sepse këtu bie herët e edhe sepse udhëtimi në atë pikë bëhet më problematik. Në të njëjtën kohë, nuk kemi reshtur së ndihmuari njerëzit me furrën tonë, që prodhon çdo ditë bukë të cilën e shpërndan për rreth 130 familje, për shoqatat që ndihmojnë fëmijët me probleme, personat me aftësi të kufizuara dhe shtëpitë e të moshuarve”.
Shpresa për të ardhmen
Kuvendi i Salezianëve është disa hapa larg Kishës të Lindjes së Krishtit, në qendrën historike të Betlehemit. Sot përfshin edhe Qendrën e Formimit Profesional, që ofron kurse energjie elektrike, mekanike, zdrukthtarie, grafike dhe marketingu dixhital për djem dhe vajza. Pastaj vjen oratori, qendra rinore dhe grupi skautist. Me misionin e tyre, rregulltarët përpiqen çdo ditë të rrënjosin shpresën për të ardhmen në zemrat dhe mendjet e banorëve të Betlehemit, për të bërë të mundur një vizion më pozitiv, në një realitet, që është në gjendje totale varfërie sociale dhe ekonomike, e me një qytet të asgjësuar nga bllokada e turizmit dhe e shtegtimeve, fillimisht për shkak të epidemisë së Covid-it, tani për shkak të luftës në Gaza.
“Gjithçka është në vend, hotelet, restorantet, arti…”. “Gjithçka është e ngrirë: artizanët që punojnë me dru ulliri apo artefakte perlash”. Prej këndej lind gjithmonë pyetja: a do të ketë të ardhme?”.