Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Allegretto
Programe Podcast
2023.04.18 Sister-led-dialogue su ambiente

Çelësi i fjalëve të Kishës: kujt i duhet dhënë shpresë

Në ciklin tonë kushtuar Bulës së Papës Françesku për shpalljen e Jubileut 2025, sot do t’ju njohim me pjesën, në të cilën Ati i Shenjtë rreshton të gjithë njerëzit, që kanë nevojë për shpresë e duhet të tërheqin vëmendjen e bashkësisë së krishterë. Gjatë këtij Viti Shenjt, pikërisht për ta, të gjithë besimtarët në Krishtin duhet të jenë shenja të prekshme shprese

R.SH. - Vatikan

“Në Vitin Jubilar – shkruan Papa në kreun e dhjetë të Bulës – jemi të thirrur për të qenë shenja të prekshme shprese për shumë vëllezër e motra, që jetojnë në kushte të vështira. Mendoj për  burgosurit që, të privuar nga liria, përjetojnë çdo ditë, përveç ashpërsisë së burgimit, zbrazëtinë e mungesës së dashurisë, kufizimet që u imponohen e, në jo pak raste, edhe mungesën e respektit. U propozoj qeverive që në Vitin Jubilar të ndërmarrin nisma, të cilat u kthejnë shpresën; forma amnistie, ose faljen e dënimit, që kanë për synim t’i ndihmojnë njerëzit të rifitojnë besimin në vetvete dhe në shoqëri; rrugëtime integrimi në bashkësi, që përkojnë me një angazhim konkret për të respektuar ligjet.

Prej Fjalës së Hyjit, na vjen një thirrje e lashtë, urtia e së cilës mbetet gjithnjë e vlefshme dhe bën thirrje për akte mëshire dhe çlirimi, që mundësojnë rifillimin: «Të pesëdhjetin vit shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve» (Lev 25,10). Ajo, që përcaktohet nga Ligji i Moisiut, ripropozohet nga Isaia profet: «Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvujtëve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; të shpall vitin e hirit të Zotit» (Is 61,1-2). Këto janë fjalët që Jezusi i bëri të vetat në fillim të shërbesës së tij, duke shpallur përmbushjen, në vetveten e tij, të “vitit të hirit të Zotit” (shih Lk 4,18-19). Në çdo cep të tokës, besimtarët, veçanërisht barinjtë e Kishës, duhet të veprojnë si interpretues të këtyre instancave, duke formuar një zë të vetëm, që kërkon me guxim kushte me dinjitet për të burgosurit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, shfuqizimin e dënimit me vdekje, pasi ai është në kundërshtim me fenë e krishterë dhe asgjëson çdo shpresë për falje dhe ripërtëritje”. 

Kujtojmë se pikërisht për t’iu ofruar të burgosurve një shenjë konkrete afërsie, Papa Françesku hapi një Portë Shenjte në burg, gjë që e pati shpallur përmes Bulës, që po e paraqesim në këtë cikël emisionesh kushtuar asaj. Por, Ati i Shenjtë nuk ndalet me kaq.

“Shenjat e shpresës – vijon ai në kreun XI - duhen t’u ofrohen të sëmurëve, qofshin ata në shtëpi apo në spital. Vuajtjet e tyre gjetshin lehtësim në afërsinë e njerëzve, që i vizitojnë dhe në dashurinë, që marrin. Veprat e mëshirës janë gjithashtu vepra shprese, të cilat zgjojnë ndjenja mirënjohjeje ndër zemra. Dhe mirënjohja qoftë për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët, në kushte shpesh të vështira, kryejnë misionin e tyre me zell plot kujdes për njerëzit e sëmurë dhe më të brishtë.

Të mos mungojë vëmendja e plotë për ata që, duke u gjendur në kushte jete veçanërisht të mundimshme, përjetojnë dobësinë e tyre, veçanërisht nëse vuajnë nga patologji apo aftësi të kufizuara, që e pakësojnë shumë autonominë personale. Kujdesi për ta është himn për dinjitetin njerëzor, këngë shprese, që ka nevojë për zërin koral të mbarë shoqërisë.

Për shenja shprese – vë në dukje Ati i Shenjtë në kreun XII - kanë nevojë edhe ata, që e përfaqësojnë atë në vetvete: të rinjtë. Fatkeqësisht, shpeshherë, u shkërmoqen ëndrrat. Nuk mund t’i zhgënjejmë: e ardhmja bazohet në entuziazmin e tyre. Është bukur kur i sheh të çlirojnë energji, për shembull, kur i përveshin mëngët dhe impenjohen vullnetarisht në situata fatkeqësish dhe vështirësish sociale. Por është e trishtueshme kur sheh të rinj pa shpresë; për më tepër, kur e ardhmja është e pasigurt dhe e papërshkueshme nga ëndrrat, kur studimi nuk ofron rrugëdalje dhe mungesa e një pune, ose një profesioni të qëndrueshëm, ka rrezik të asgjësojë dëshirat, pashmangshmërisht, e tashmja jetohet me melankoli dhe mërzi. Iluzioni i drogës, rreziku i rebelimit dhe kërkimi i gjërave të përkohshme krijojnë tek ata konfuzion më shumë se te të tjerët, si edhe fshehin bukurinë dhe kuptimin e jetës, duke i bërë të rrëshqasin në humnera të errëta dhe duke i shtyrë drejt gjesteve vetëshkatërruese. Për këtë arsye, Jubileu duhet ta frymëzojë Kishën që të bëjë përpjekje më të mëdha për t’i afruar ata: me zell të përtërirë të kujdesemi për adoleshentët, studentët, të fejuarit, brezat e rinj! T’u tregojmë afërsi të rinjve, sepse ata janë gëzimi dhe shpresa e Kishës dhe e botës! – këshillon Papa.

Nuk mund të mungojnë shenjat e shpresës për emigrantët, që e lënë tokën e tyre në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe për familjet. Pritjet e tyre të mos zhvlerësohen nga paragjykimet dhe mbylljet; mikpritja, e cila hap krahët për secilin sipas dinjitetit të vet, të shoqërohet me përgjegjësi, që askujt të mos i mohohet e drejta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Të mërguarve të shumtë, të shpërngulurve dhe refugjatëve, të cilët, për shkak të tensioneve ndërkombëtare, detyrohen të ikin për të shmangur luftërat, dhunën dhe diskriminimin, t’u garantohet siguria dhe mundësia për punë dhe arsim, mjete të nevojshme këto për përfshirjen e tyre në kontekstin e ri shoqëror.

Bashkësia e krishterë qoftë gjithmonë e gatshme për të mbrojtur të drejtat e më të dobtëve. T’ua hapë atyre me bujari dyert e mirëseardhjes, që askujt të mos i mungojë kurrë shpresa për një jetë më të mirë. Jehoftë ndër zemra Fjala e Zotit, i cili, në shëmbëlltyrën e madhe të Gjykimit të Mbramë, tha: «isha shtegtar e më përbujtët», sepse «çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua» (Mt 25,35,40).

Shenja shprese – vijon listën e tij Ati i Shenjtë - meritojnë të moshuarit, të cilët shpeshherë përjetojnë vetminë dhe ndjenjën e braktisjes. Të vlerësosh çfarë thesari janë, përvojën e tyre jetësore, urtinë që bartin dhe kontributin që mund të japin, është angazhim për bashkësinë e krishterë dhe për shoqërinë civile, të cilat duhet të punojnë së bashku për aleancën midis breznive.

Një mendim të veçantë – thekson Papa - ua drejtoj gjyshërve dhe gjysheve, që përfaqësojnë përçimin e fesë dhe të urtisë së jetës te brezat e rinj. Qofshin të mbështetur nga mirënjohja e fëmijëve dhe nga dashuria e nipërve, të cilët gjejnë tek ata rrënjët e tyre, mirëkuptimin dhe inkurajimin.

Me gjithë zemër – bën thirrje më tej Ati i Shenjtë - kërkoj shpresë për miliarda të varfër, të cilëve u mungojnë shpeshherë gjërat e nevojshme për jetesë. Para valëve gjithnjë të reja të varfërimit, ka rrezik të mësohemi me gjendjen e të dorëzohemi. Por nuk mund të mos i shohim situata të tilla dramatike, të cilat tanimë i ndeshim kudo, jo vetëm në zona të caktuara të botës. Çdo ditë hasim njerëz të varfër ose të varfëruar dhe, nganjëherë, ata mund t’i kemi edhe fqinjë. Në shumë raste, atyre u mungon banesa, ose ushqimi i mjaftueshëm ditor. Vuajnë nga përjashtimi dhe nga indiferenca e shumë njerëzve. Është skandaloze që, në një botë të pajisur me burime të mëdha, të caktuara kryesisht për armatim, të varfrit të jenë «shumica […], miliarda njerëz. Sot përmenden në debatet politike dhe ekonomike ndërkombëtare, por, më së shumti, duket se problemet e tyre shtrohen si ndonjë shtojcë, si çështje që shtohet për detyrim, ose e dorës së dytë, nëse nuk konsiderohen thjesht si dëm anësor. Faktikisht, në momentin e aktualizimit konkret, shpesh mbeten në vendin e fundit». Të mos e harrojmë: të varfrit janë pothuajse gjithmonë viktima, jo fajtorë”.

20 mars 2025, 11:38
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031