Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
RRUZARJA NË LATINISHT
Programe Podcast
2024.12.12 giubileo 2025 CMN porta di speranza

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjat e shpresës

Në ciklin e emisioneve kushtuar Bulës së Papës Françesku për shpalljen e Jubileut 2025, i cili i kushtohet “Shpresës që nuk zhgënjen”, sot, në 12-vjetorin e zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglio-s në fronin e Shën Pjetrit, do t’ju flasim pikërisht për atë pjesë të Bulës, ku vihen në dukje shenjat e shpresës. Ati i Shenjtë ndodhet ende i shtruar në Poliklinikën Gemelli të Romës, ku trajtohet për pneumoni nga të dyja krahët që nga 14 shkurti

R.SH. – Vatikan

Përveç se të marrim shpresë nga hiri i Hyjit, jemi të thirrur që ta rizbulojmë atë edhe në shenjat e kohës, që Zoti na ofron – shkruhet në kreun e 7-të të Bulës së Jubileut. - Siç pohon Koncili II i Vatikanit, «është detyrë e përhershme e Kishës të shqyrtojë me kujdes shenjat e kohës dhe t’i interpretojë ato në dritën e Ungjillit, kështu që, në një mënyrë të përshtatshme për çdo brezni, të mund t’u përgjigjet pyetjeve të përhershme të njerëzve mbi kuptimin e jetës së tashme e të ardhme dhe mbi marrëdhëniet e tyre të ndërsjella». Prandaj, është e nevojshme t’u kushtojmë vëmendje të mirave të shumta të pranishme në botë, në mënyrë që të mos tundohemi duke menduar se e keqja dhe dhuna na kanë zënë përposh. Por shenjat e kohërave, që bartin dëshirën e zemrës njerëzore, e cila ka nevojë për praninë shpëtimtare të Zotit, kërkojnë të shndërrohen në shenja shprese.

Shenja e parë e shpresës – vijon Papa Françesku në kreun e 8-të të Bulës për Jubileun - të shihet në paqen për botën, e cila sërish gjendet e zhytur në tragjedinë e luftës. Duke mos u kujtuar për tragjeditë e së kaluarës, njerëzimi i nënshtrohet sprovës së re e të vështirë, që i çon shumë popullsi të shtypen nga brutaliteti i dhunës. Çfarë u mungon ende këtyre popujve që nuk e kanë vuajtur tashmë? Si është e mundur që thirrja e tyre e dëshpëruar për ndihmë nuk i shtyn udhëheqësit e Kombeve për t’u dhënë fund konflikteve të shumta rajonale, duke qenë të vetëdijshëm për pasojat që mund të rrjedhin në nivel global? A është e tepërt të ëndërrosh që armët të heshtin e të reshtin së shkaktuari shkatërrim dhe vdekje? Jubileu ua kujtoftë atyre se ata që bëhen «paqebërës do të quhen bij të Hyjit» (Mt 5,9). Nevoja për paqe u bën thirrje të gjithëve dhe e kërkon si detyrë që të ndiqen projekte konkrete. Angazhimi i diplomacisë për të kërkuar, me guxim dhe krijimtari, hapësira për bisedime, që synojnë paqen e qëndrueshme, nuk duhet të mungojë.

Të shikosh drejt së ardhmes me shpresë – shkruan Papa Françesku - do të thotë të kesh një vizion plot entuziazëm për jetën, që duhet përcjellë. Fatkeqësisht, duhet të vërejmë me pikëllim se, në shumë situata, kjo perspektivë mungon. Pasoja e parë është humbja e dëshirës për të transmetuar jetën. Për shkak të ritmit të ethshëm të jetës, të frikës për të ardhmen, të mungesës së garancive për punë dhe mbrojtje sociale, të modeleve shoqërore në të cilat e dikton agjendën kërkimi i fitimit dhe jo kujdesi për marrëdhëniet, vërehet një rënie shqetësuese e lindshmërisë në vende të ndryshme të botës. Përkundrazi, në kontekste të tjera, «si mënyrë për të mos i përballuar problemet, zgjidhet fajësimi i rritjes demografike dhe jo i konsumizmit ekstrem e selektiv të disave». 

Hapja ndaj jetës, me amësi dhe atësi të përgjegjshme, është plani që Krijuesi ka gdhendur në zemrat dhe trupat e burrave dhe grave, një mision që Zoti ua beson bashkëshortëve dhe dashurisë së tyre. Është urgjente që krahas impenjimit legjislativ të shteteve, të mos mungojë mbështetja e vendosur e bashkësive të besimtarëve dhe e mbarë bashkësisë civile në të gjithë anëtarët e saj. Dëshira e të rinjve për të lindur fëmijë, si shenjë e frytit të dashurisë së tyre, i siguron të ardhmen çdo shoqërie. Kjo është çështje shprese: varet nga shpresa dhe lind shpresë.

Rrjedhimisht, bashkësia e krishterë duhet të jetë në vijën e parë të frontit që mbështet nevojën e një aleance shoqërore për shpresën, e cila është gjithëpërfshirëse e jo ideologjike dhe që punon për një të ardhme të karakterizuar nga buzëqeshjet e shumë fëmijëve, të cilët duhet të mbushin djepet bosh në shumë anë të botës. Por, të gjithë, në të vërtetë, duhet të kthehemi te gëzimi i të jetuarit, sepse qenia njerëzore, e krijuar sipas shëmbëllimit dhe përngjasimit të Hyjit (shih Zan 1,26), nuk mund të kënaqet duke mbijetuar apo gjalluar, duke iu përshtatur së tashmes e duke i plotësuar nevojat vetëm nga realiteti material. Kjo na mbyll në individualizëm dhe e gërryen shpresën, duke sjellë një trishtim që hyn në zemër, duke na bërë të sertë e të pandjeshëm.

13 mars 2025, 10:06
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031