Çelësi i fjalëve të Kishës: shtegtarë të shpresës
R.SH. – Vatikan
Në emisionin e kaluar folëm për shpresën e duresën, me të cilat i krishteri vihet për udhë në jetë. “Nga ky gërshetim i shpresës dhe i duresës - shkruan Papa në kreun e 5-të të Bulës për shpalljen e Vitit Shenjt - duket qartë se jeta e krishterë është një ecje, e cila ka nevojë edhe për momente të forta për ta ushqyer e për ta forcuar shpresën, shoqëruese kjo e pazëvendësueshme, që bën të nëpërduket qëllimi: takimi me Zotin Jezus”. Françesku përmend hiret e ndryshme që Zoti ka dikuar mbi popullin e vet edhe para shpalljes së Jubileut të parë në 1300-tën. “Njëmend – vëren Ati i Shenjtë - nuk mund t’i harrojmë format e ndryshme përmes të cilave hiri i faljes është derdhur me bollëk mbi Popullin e shenjtë e besnik të Hyjit.
Të kujtojmë, për shembull, “faljen” e madhe, të cilën Shën Celestini V ua dha atyre, që shkonin në Bazilikën e Shën Marisë së Collemaggio-s, në Aquila, më 28 dhe 29 gusht 1294, gjashtë vjet përpara se Papa Bonifaci VIII të themelonte Vitin e Shenjtë. Kështu, Kisha po e përjetonte tanimë hirin jubilar të mëshirës. Madje edhe më herët, në vitin 1216, Papa Honori III e kishte pranuar përgjërimin e Shën Françeskut, i cili i kërkoi ndjesën për ata që do të vizitonin kishën e Porciunkolas në dy ditët e para të gushtit. E njëjta gjë mund të thuhet për shtegtimin në Santiago de Kompostela: njëmend, Papa Kalisti II, në vitin 1122, lejoi që Jubileu të kremtohej në atë Shenjtërore sa herë që festa e Jakobit apostull të binte ditën e diel. Është mirë që kjo mënyrë “e përhapur” e kremtimeve jubilare të vazhdojë, në mënyrë që forca e faljes së Hyjit ta mbështesë e ta shoqërojë ecjen e bashkësive dhe të njerëzve”.
E Papa Françesku nënvizon se ç’do të thotë të vihesh për udhë gjatë Jubileut, pra, të bëhesh shtegtar. “Nuk është rastësi – shkruan ai në Bulë - që shtegtimi shpreh një element themelor të çdo ngjarjeje jubilare. Vënia për udhë është tipike e atyre, që ecin në kërkim të kuptimit të jetës. Shtegtimi në këmbë favorizon së tepërmi rizbulimin e vlerës së heshtjes, të mundimit, të asaj që është thelbësore”. Edhe gjatë këtij Viti Shenjt, “shtegtarët e shpresës nuk do të mungojnë së përshkuari rrugë të lashta e moderne, për ta jetuar fuqimisht përvojën jubilare. Në vetë qytetin e Romës, ka itinerare feje, përveç atyre tradicionale të katakombeve dhe të Shtatë Kishave.
Kalimi nga një vend në tjetrin, sikur kufijtë të mos ekzistonin, kalimi nga një qytet në tjetrin duke soditur Krijimin dhe veprat e artit - vë në dukje Papa - do të na pasurojë me përvoja dhe kultura të ndryshme, për të rrokur brenda vetes bukurinë që, e harmonizuar nga lutja, na bën të falënderojmë Hyjin për mrekullitë, që Ai ka kryer. Kishat jubilare, përgjatë rrugëve dhe në qytetin e Romës, mund të jenë oaza përshpirtërie ku mund të ripërtërijmë udhën tonë të fesë dhe të pimë nga gurrat e shpresës, para së gjithash, duke iu afruar Sakramentit të Pajtimit, pikënisjes së pazëvendësueshme të kthesës së njëmendtë. Në Kishat e veçanta - këshillon Ati i Shenjtë - vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet përgatitjes së meshtarëve dhe besimtarëve për Rrëfimet dhe pjesëmarrjes në Sakrament në formë individuale”.
Për këtë shtegtim, Papa u drejton një ftesë të veçantë besimtarëve të Kishave Lindore, veçanërisht atyre që tashmë janë në bashkim të plotë me Pasardhësin e Pjetrit. “Ata, që kanë vuajtur kaq shumë, shpesh deri në vdekje, për besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës – shkruan Françesku - duhet të ndihen veçanërisht të mirëpritur në këtë Romë, që është Nënë edhe për ta dhe që ruan kaq shumë kujtime të pranisë së tyre. Kisha Katolike, e pasuruar me liturgjitë e tyre shumë të lashta, me teologjinë dhe përshpirtërinë e Etërve, murgjër dhe teologë, dëshiron të shprehë simbolikisht mikpritjen për ta dhe për motrat e vëllezërit e tyre ortodoksë, në një epokë në të cilën ata po jetojnë shtegtimin e Udhës së Kryqit, për arsye të së cilës shpesh detyrohen të lënë tokat e tyre të origjinës, tokat e tyre të shenjta, nga të cilat dëbohen prej dhunës dhe paqëndrueshmërisë, për të shkuar drejt vendeve më të sigurta. Për ta, shpresa për t’u dashur nga Kisha, e cila nuk do t’i braktisë, por do t’i ndjekë kudo që të shkojnë, e bën edhe më të fortë shenjën e Jubileut”.
Më pas, Papa përmend ngjarjet e mëparshme jubilare dhe përcakton katër bazilikat ku u hapën Portat Shenjte, të cilat tashmë dihen. Ato janë Bazilika e Shën Pjetrit, ajo e shën Gjonit në Lateran, ajo e Zojës së madhe dhe ajo e Shën Palit jashtë Mureve. Kujtojmë se Françesku hapi një Portë Shenjte edhe në burg. Gjithashtu caktohet 28 dhjetori i këtij viti si datë për fundin e Jubileut në Kishat e veçanta, ndërsa Porta Shenjte e Bazilikës së Shën Pjetrit do të mbyllet më 6 janar 2026, duke i dhënë fund Jubileut për gjithë katolikët. Po ku shihet shpresa në shenjat e kohërave, që na ofron Zoti? Për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.