FABC mirëpret Sekretarin e ri të përgjithshëm të Zyrës së Komunikimit Social
R.SH. – Vatikan
Atë John Mi Shen emërohet Sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Komunikimit Social të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Aziatike (FABC). Lajmin e jep Radio Veritas Asia. Komiteti Qendror i Federatës miratoi emërimin e atë Mi Shen më 12 mars. Meshtari do të fillojë menjëherë detyrën dhe mandati i tij do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2028, me mundësinë për t’u përsëritur në një mandat të dytë. Atë Mi Shen ka shërbyer që nga gushti 2024 si drejtor programesh i Radio Veritas Asia, ndërsa tani, zë vendin e salezianit atë George Plathodam, të cilit ipeshkvijtë e Federatës i shprehën mirënjohjen për shërbimin dhe impenjimin e viteve të fundit.
Për të përhapur fenë në Azi
I lindur më 25 janar 1980, atë John Mi Shen u shugurua meshtar më 18 qershor 2010. Nga dioqeza kineze e Zhaoxian-it, atë John mori doktoraturën në Teologji, si edhe diplomën universitare në Komunikimin Social dhe Baritor, në Universitetin e Shën Tomës në kryeqytetin e Filipineve, Manila, në vitin 2024.
Sipas Radio Veritas, meshtari shërbeu në dioqezën e tij të origjinës nga viti 2010 deri më 2012. Gjatë kësaj kohe luajti një rol të rëndësishëm në promovimin e një lëvizjeje për studimin e Biblës, quajtur “Programi i Studimit të Shkrimit Shenjt Little Rock”, në territorin e Kinës, ndërsa, nga viti 2012 deri më 2018, ishte koordinator i Shërbimit të Radio Veritas Asia në gjuhën mandarine, në Manila.
Gjithashtu, Sekretari aktual i përgjithshëm i Zyrës së Komunikimit Social të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Aziatike e ka kaluar pothuajse një dekadë duke shërbyer edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Shën Tomës për Programin e tij të Komunikimit Social dhe Baritor.
FABC është një shoqatë vullnetare e konferencave ipeshkvnore në Azi, e krijuar me miratimin e Selisë së Shenjtë. Qëllimi i Federatës është të nxisë, ndërmjet anëtarëve të saj, solidaritetin dhe bashkëpërgjegjësinë për mirëqenien e Kishës dhe të shoqërisë në Azi. Vendimet e Federatës nuk janë të detyrueshme juridikisht, por pranimi i tyre “është shprehje e përgjegjësisë së përbashkët”.