Festa e Sindonës, në Torino një ekspozitë multimediale e hapur për të gjithë
R.SH. – Vatikan
Sivjet, përkujtimi liturgjik i Sindonës, më 4 maj, ka një kuptim tejet të veçantë, sepse bën pjesë në Vitin Jubilar. Pikërisht për këtë arsye, ekspozimin e saj në Torino do të mund ta shohë e gjithë bota, pasi kësaj, radhe, ai do të bëhet duke përdorur teknologjitë dixhitale, me realizimin e një shtegtimi virtual përmes programeve të krijuara enkas dhe përmes lidhjeve të veçanta.
Gjurmë e ringjalljes
Më 15 mars, gjatë paraqitjes së nismave, që lidhen me festën, nga 25 prilli deri më 5 maj, kryeipeshkvi i Torinos dhe ipeshkvi i Suzës, kardinali Roberto Repole, kujdestar papnor i pëlhurës shenjte, kujtoi rëndësinë e saj aktuale, sepse, duke treguar "një njeri të mposhtur nga historia, të sharë e të vrarë”, pasqyron edhe ngjarjet dramatike aktuale, luftërat, por edhe sëmundjen e braktisjen e më të ligshtëve. Njëkohësisht, Sindona është "ftesë për të jetuar një jetë të re", sepse është "gjurmë e ringjalljes" dhe, në këtë kuptim, na jep shpresë, pra, na përforcon besimin “se të gjitha disfatat e historisë nuk e kanë fjalën e fundit, por interpretohen vetëm në horizontin e amshimit. Është horizont shprese, ajo pëlhurë, që na lë Jezusin, sepse na thotë se historia do të gjykohet".
“Tenda e Sindonës” ngjitur me katedralen
Siç është njoftuar vitin e kaluar, sivjet, Sindona nuk do të ekspozohet publikisht, por do të realizohen nisma të tjera, si programe të krijuara enkas e lidhje të veçanta. Në qendër të kryeqendrës piemonteze, në Piazza Castello, pas katedrales ku ruhet Sindona, do të ngrihet një Tendë, ku, gjatë ditëve të festës, vizitorët do të kenë mundësi ta njohin pëlhurën shenjte, historinë dhe kuptimin e saj. Ekspozita do të realizohet në një tendë dhe jo në një vend kulti, por "ndodhet ngjitur me katedralen, ku ruhet Sindona – theksoi kardinali Repole – na jep mundësinë të zhytemi në atë histori për të cilën flet Besëlidhja e Re. Asgjë nuk e pengon këdo që dëshiron të hyjë pastaj në katedrale".
Një mënyrë e re për të bashkuar edhe më shumë njerëz
Në tendë do të ekspozohet një riprodhim i Sindonës në përmasa reale, i shtrirë në një tavolinë, pothuajse si në një "tryezë operacioni", në të cilën mund të ndriçohen herë pas here disa nga detajet më domethënëse: si Fytyra, kurora me gjemba, shenjat e gozhdave. Përmes teknologjisë do të shihet pëlhura mbi të cilën duket negativi fotografik i trupit të Jezusit: Sindona nuk do të ekspozohet, por do të shihet në rrugë multimediale, "do të jetë ekspozimi i saj i parë multimedial në histori", shtoi kardinali Repole, i cili shpreson të afrojë sidomos të rinjtë. Atyre do t’u kushtohet vëmendje e veçantë, sepse "na u duk si mënyrë për të përfunduar një udhë katekizmi – shpjegoi prelati - me vetëdijen se transmetimi i fesë nuk bëhet më si në të kaluarën”.
Për këtë arsye, projekti i dioqezës së Torinos, përveç Vitit Jubilar, u realizua edhe si kontribut për “Festivalin e Rinisë”, që mbyll ciklin e katekezave 2024-2025, i cili filloi më 8 nëntor të vitit të kaluar. I udhëhequr nga vetë kardinali Repole, kursi përfshin të rinj nga dioqezat e Torinos dhe të Suzës, nga mosha 18 deri në 30 vjeç. Nisma u bë e mundur falë kontributit të Rajonit të Piemontes, qytetit të Torinos, Dhomës së Tregtisë së Torinos dhe Fondacionit Carlo Acutis.