Fjala e Zotit e dielës së 4-të e Kreshmëve “C”
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Fjala e Zotit e dielës së 4-të e Kreshmëve “C”
Liturgjia e Fjalës Hyjnore, këtë të diele, i paraprinë gëzimit të Ngjalljes së Krishtit, gëzimit që buron nga bindja se dëshirojmë që Ai të na falë e të na shpëtojë për amshim. Kështu, leximet biblike e, në mënyrë të veçantë, pjesa e Ungjillit na thërret të gëzohemi në Zotin, sepse Ai na del para në takim, e na ofron mëshirën e vetë hyjnore. Arsyeja e parë e gëzimit është afërsia e Zotit ndaj atyre njerëzve që e kërkojnë. Arsyeja e dytë është falja që Zoti u dhuron atyre njerëzve që kthehen tek Ai me zemër të sinqertë e të penduar.
Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na tregon se Hyj është Atë dhe e do shpëtimin e çdo biri dhe bije. Zoti Atë pret me durim e dashuri çdo fëmijë të vetin, që është larguar prej tij. Hyji është Atë që e zgjon në zemrën e mëkatari dëshirën e kthimit, për të rifituar mundësinë e jetesës në bashkim të thellë me Të.
Zoti si babai i djalit plangprishës
Zoti si babai i djalit plangprishës, për të cilin flet Ungjilli, na pret gjithmonë me krahë hapur. Zoti na lë të lirë të gabojmë, por na pret gjithnjë me krahë hapur. Figura e atit të shëmbëlltyrës ungjillore na zbulon pikërisht zemrën e Zotit. Prandaj, në këtë shëmbëlltyrë, na prek posaçërisht toleranca e atit, kur djali më i vogël vendos të largohet nga shtëpia. Kështu vepron edhe Zoti me ne, na lë të lirë të gabojmë, sepse, duke na krijuar, na bëri edhe dhuratën e madhe të lirisë. Dhuratë, shtoi, që më mrekullon gjithnjë.
Por ndarja nga ky bir është vetëm fizike; i ati e ka gjithnjë në zemër, pret plot besim kthimin e tij; nuk ia ndan sytë rrugës, me shpresë që ta shikojë duke u rikthyer. E një ditë prej ditësh e shikon që nga larg (cfr v20). E kjo do të thotë se ai e shikonte rrugën, në pritje që i biri të rikthehej… Atëherë, duke e parë, u prek e vrapoi ta takonte, e përqafoi dhe e puthi. Ç’ dhembshuri e madhe! Edhe pse ai djalë s’kishte lënë gjë pa bërë. Po i ati e pranoi, ashtu siç ishte.
Jezusi na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati
I ati njëlloj, sillet edhe me djalin e madh, i cili ka ndenjur gjithnjë pranë tij, në shtëpi, e tani, i prekur thellë, proteston e nuk e kupton psenë e gjithë kësaj mirësie për vëllain, që gaboi aq rëndë. I ati i flet edhe atij, duke i kujtuar se nuk janë ndarë kurrë e se e gjithçka e kanë të përbashkët.
E kjo na bën të mendojmë një gjë: kur ndokush ndjehet mëkatar, i duket vetja fare pa vlerë, por duhet të shkojë te Ati. E kur ndokujt i duket vetja i drejtë e thotë ‘Unë i kam bërë gjithnjë gjërat mirë’, edhe ai duhet të shkojë te ati, sepse kjo sjellje që e shtyn ta quajë veten i drejtë, është e keqe. Vjen nga djalli. Ati Hyjnor i pret ata njerëz, që pranojnë se janë mëkatarë, e shkon t’i kërkojë ata, që e ndjejnë veten të drejtë.
Në këtë shëmbëlltyrë ungjillore, mund të shihet edhe një djalë i tretë, i padukshëm, Jezusi. Ky Bir-Shërbëtor është shtrirja e krahëve dhe hapja e zemrës së Atit: Ai e priti plangprishësin, ia lau këmbët e tij të ndyra; Ai ia përgatiti gostinë për festën e faljes. Ai, Jezusi, na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati.
Zoti na do jashtë çdo mase e na pret me dhembshuri
Figura e atit të shëmbëlltyrës ungjillore na zbulon zemrën e Zotit. Ai është Ati i mëshirshëm që, në Jezusin, na do jashtë çdo mase, pret të pendohemi, sa herë që gabojmë. E pret të kthehemi, kur largohemi prej Tij, duke menduar se mund të bëjmë edhe pa Të: është gjithnjë gati të na i hapë krahët, sido që të ndodhë.
Ashtu si ati i shёmbёlltyrёs sё Ungjillit, edhe Zoti vijon të na konsiderojë bijtë e tij, kur humbasim, e vjen të na takojë me dashuri, kur rikthehemi tek Ai. Gabimet që bëjmë, edhe kur janë të mëdha, nuk e skërfisin besnikërinë e dashurisë së Tij. Në Sakramentin e Rrëfimit mund të rinisim gjithnjë nga e para. Ai na pret, na e rikthen dinjitetin e bijve të Tij e na thotë: ‘Ec përpara! Ji në paqe! Çohu nё kёmbё e ec përpara!’
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Joz 5, 9 a. 10-12
Lexim prej Librit të Jozuehut
Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit.” Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë. Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerihonit, dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit. Fjala e Zotit.
Psalmi 34
Zoti është afër atyre që e kërkojnë
-----------
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
----------
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
-----------
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e
Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi
nga të gjitha vuajtjet e tija.
----------
Leximi i dytë 2 Kor 5, 17-21
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit.
Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin. Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit. Fjala e Zotit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them:
‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e kundër teje!’
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Lk 15, 1-3.11-32
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.”
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda.
I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet”'. Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA IV E KREZHMËVE ‘C’: PAJTOHUNI ME HYJIN!
(Joz 5, 9.10-12; Ps 34 (33); 2 Kor 5, 17-21; Lk 15, 1-3.11-32)
«Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit», u kishte thënë Zoti izraelitëve, me shumë dashuri e solemnitet, pasi i kishte bërë të hynin përfundimisht në tokën e premtuar. Ajo tokë ishte një shenjë e dashurisë së Tij për ta. Por, në leximin e dytë, Shën Pali na thotë se tani dikush tjetër – Krishti – është shenja e dashurisë së pamasë të Hyjit për ne: «Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete» dhe shton: «Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të, ne të bëhemi drejtësi e Hyjit». «E bëri mëkat», kjo shprehje që ka futur në mendime teologët, do të thotë se, Hyji Atë, e trajtoi Jezusin, Birin e vet, si të ishte një mëkatar. Prandaj Shën Pali thotë vërtet shumë bukur: «Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin».
E, «pajtohuni me Hyjin», duket sikur e bërtet me të madhe edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm.
Shëmbëlltyra që dëgjuam sot, ka në qendër figurën e atit dhe jo edhe aq atë të djalit të vogël, apo të djalit të madh. Fytyrën e Atit Jezusi ka dëshirë të zbulojë në veprën e Tij shëlbimprurëse. Por, para se të fillojë ta zbulojë me fjalë, Ai e ka dëshmuar tashmë me sjelljen e Tij ndaj njerëzve: «Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar», thotë Ungjilli i sotëm në rreshtin e parë. Jo vetëm kaq, por e zbulon fytyrën e Atit edhe kur u drejtohet farisenjve e skribëve, të cilët rrijnë jashtë e nynykasin. Jezusi dëshiron që edhe ata të hyjnë brenda e të gëzojnë me Atin e tyre. Të gjithëve, pra, Jezusi duket sikur u thotë: «Pajtohuni me Hyjin».
Pasi foli me gjestet e veta, tani Jezusi flet edhe me fjalë. «Për Zotin mund të flitet edhe me fjalë», thoshte Shën Françeksu i Asizit, për të thënë se, për Zotin, duhet të flasim më shumë me vepra sesa me fjalë.
Jezusi fillon të tregojë këtu atë që është quajtur shëmbëlltyra më e bukur që Ai na ka lënë. Kjo shëmbëlltyrë është e mbushur me ngjarje e me pasion. Flet për një baba që ka dy djem. Babai simbolizon Hyjin, djemtë simbolizojnë dy kategoritë e njerëzve që e rrethonin Jezusin atë çast. Sikurse dy djemtë për të atin, ashtu edhe këto dy katëgori të ndryshme njerëzish kishin të përbashkët një ide të gabuar mbi Zotin, të cilin e mendonin si pengesë të lirisë së tyre. Si njëri bir, ashtu edhe tjetri, ishin të bindur se liria ishte e mundur vetëm larg babait. Babai, me rregulloret që kërkonte jetesa me të, shihej si pengesa e lumturisë së tyre. A nuk është pikërisht kjo ideja e gabuar që shpesh rrezikojmë të kemi edhe ne për Hyjin? Urdhërimet e Zotit jo rrallë i shohim si pengesë për të qenë të lirë.
«Ma jep pjesën e pasurisë që më takon!», i thotë djali i vogël të atit dhe ne na mahnit reagimi i atit, i cili, pa më të voglën ankesë, ia jep pasurinë që ky i kërkon. Ishte shumë e padrejtë një kërkesë e tillë, sepse, në kulturën e asaj zone, aso kohe, ishte e pamundur të kërkohej ndarja e pasurisë mes djemve, derisa i ati të ishte gjallë. Djali i vogël po i thoshte të atit, pra, se e donte të vdekur. Por i ati, gjithë këtë, e “kapërdiu” poshtë dhe ia ndau pasurinë. Sa seriozisht e merr Zoti lirinë që na e ka dhënë!
Por, për fat të mirë, djalit të vogël «i erdhën mendtë» kur preku kulmin e poshtërimit të vet në mjerimin e skajshëm që arriti pasi shpenzoi të gjitha paratë e veta «i dhënë pas vesesh». Për fat të mirë që e kuptoi se në vetvete e kishte ende një dinjitet prej biri dhe vendosi që të merrte rrugën e kthimit. Duhet ta themi me plot gojë «për fat të mirë», sepse mund të ndodhte që të shtyhej në ndonjë vepër edhe më të rrezikshme, që mund t’i hiqte edhe jetën. Kështu ndodh edhe me shumë njerëz që, në kulmin e ndonjë poshtërimi të arritur për faj të vet, nuk është e thënë se i thërrasin gjithnjë mendjes e kthehen kah e mira. Të shumtë janë ata që shtyhen edhe më tej në të keqen e tyre nga dëshpërimi dhe nga bindja se, tashmë, as tek Zoti nuk do të gjejnë falje. Babai i shëmbëlltyrës e dinte mirë se djalit, herët a vonë, do t’i mbaronin paratë dhe, kur do ta gjente veten ngusht, i druhej ndonjë situate edhe më të rëndë, që mund ta çonte të birin drejt vdekjes apo vetëvrasjes. Jo më kot, në përgjigjen që i jep djalit të madh, thotë: «Ishte i vdekur e u ngjall». Sa pezm paska pasur shpirti i tij gjatë pritjes së ankthshme!
Prandaj, kur ia afrua shtëpisë, djalin e priti habia e madhe. Gjashtë foljet që Jezusi ka përdorur për të përshkruar këtë çast të kthimit të djalit të vogël, kineasti i njohur italian, Pino Pelegrino, i ka quajtur «gjashtë shkrepje prej artisti për të fotografuar Hyjin Atë»: «Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi». Jezusi është i vetmi “artist” që mund të na e zbulonte në mënyrë të saktë fytyrën e Hyjit: «Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet», thotë Shën Gjoni në Ungjillin e tij (1, 18).
Fakti që i ati e sheh kur ende është larg, tregon se po shikonte përditë kah rruga, me shpresën që i biri t’i kthehej. Ngashërimin e tij të brendshëm ai nuk e fsheh dot dhe, kundër zakoneve të kohës, sipas të cilave një burrë nuk ishte normale të vraponte kah fëmija i vet ashtu, ai lëshohet vrap dhe, kundër pritshmërisë së të birit, «e mori ngrykë dhe e puthi». Djali shpresonte të pranohej aty të paktën si «njëri ndër shërbëtorët» e tij, por e priti puthja e të atit dhe dëfrimi me këngë e valle. «Sot ta hoqa çnderimin e mëkatit», i thotë Zoti atij që kthehet sinqerisht, sikurse dikur i kishte thënë Izraelit kur ia hoqi «çnderimin e skllavërisë së Egjiptit».
Por pikërisht «dëfrimi» që priti djalin e vogël me këngë e valle, ia ndali hapin djalit të madh që po vinte në shtëpi në ato çaste. Ai, në vend që të hynte brenda e të shihte, u ndal jashtë dhe pyeti shërbëtorët se çfarë po ndodhte. Është në shtëpi si bir, por jeton me drojën e të atit si të ishte shërbëtor. Gjen më shumë konfidencë me një shërbëtor sesa me të atin. Djali i madh përfaqëson atë kategori besimtarësh që gërryhen përbrenda nga smira e indinjata. I kryejnë të gjitha rregulloret, por nuk ndihen kurrë bijtë e bijat e Hyjit dhe madje indinjohen lehtë kur Hyji sillet si Atë. Prandaj, duke iu kthyer shëmbëlltyrës, kur i ati del jashtë t’i lutet që të hyjë brenda, ai e nxjerr në atë çast tërë helmin që e mundonte prej kohësh: «Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë nuk më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por kur të erdhi ky, djali yt, (nuk e pranon as si vëlla), që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë.»
«Nuk më dhe as një edh.» Ka gjithçka, por është fiksuar se i ati nuk i paska thënë ta merrte një edh! Sa të çuditshme qenkan fiksimet që lënë në kokën tonë të vogël gatishmëria për smirë e indinjatë?!...
Por djali i madh përfaqëson edhe të gjithë ata besimtarë që marrëdhënien e tyre me Hyjin e shohin si tregti: zbatojnë gjithçka, por me shpresën që të fitojnë «edhin». Kështu janë të gjithë ata që bëjnë çmosin t’i kenë të gjitha sakramentet në rregull, që u ruhen mëkateve, por i bëjnë me qëllim që kështu të fitojnë ndonjë bekim nga Zoti. As lutja për ta nuk është kohë bashkimi të përzemërt me Zotin, por «sakrifica që duhet kryer», për të fituar «edhin».
Prandaj, nëse ne, në lutjet tona, kërkojmë vetëm «edhin» (pra mbarësinë, bekimin), do të pëlcasim nga smira se për tjetrin u pre «viçi i majmë» e nuk do të dimë të gëzojmë për dashurinë që Ati qiellor tregoi ndaj tij. Por, nëse në lutjet tona i kërkojmë Atit qiellor që të na përsosë në dashuri, atëherë do ta vërejmë se jemi të rrethuar nga vëllezër e motra të shumtë e, kështu, do të «gëzojmë e ngazëllejmë» edhe ne si Ati kur të shohim se ndonjëri prej tyre përparon në bashkimin me Atin tonë.
Përgjigjja që i ati i jep këtij biri të gatshëm për rebelim, nxjerr në pah vogëlsinë e shpirtit të tij: «Biro, ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është e jotja...». Si t’i thoshte: «Biro, po sa herë që unë kam bërë ndonjë festë në këtë shtëpi, ka qenë edhe për ty. Ti ishe i vetmi gëzim e ngushëllim që më mbeti. Gjithçka që më rrethon mua, të rrethon edhe ty. A nuk e ke vënë re këtë?».
«U desh të gëzohemi e ngazëllehemi, sepse ky, vëllai yt, (ia kujton se e ka vëlla) pati vdekur e u ngjall», e shfryn i ati tërë shtrëngimin që kishte ndryrë brenda shpirtit të vet në ato ditë mungese të të birit.
Nuk dihet nëse djali i madh hyri brenda në festë apo jo, por e sigurt është se i ati u përpoq ta bindte edhe atë të hynte. Po ashtu po bënte edhe Jezusi, që po përpiqej t’i bindte edhe farisenjtë e skribët që të gëzonin si Ai për kthimin e mëkatarëve.
Jezusi ka ardhur të na i heqë idetë e gabuara mbi Hyjin. Ai na thotë të gjithëve: «Pajtohuni me Hyjin!» Kjo sepse bashkimi i gjallë e i përzemërt me Hyjin, në përngjasimin e të cilit jemi krijuar, nuk është pengesa e lirisë sonë, por është liria jonë më e madhe, kushti ynë i vetëm për të jetuar vërtet si njerëz. Atëherë do të dimë të jetojmë jo vetëm si «bijë e bija», por edhe si «vëllezër e motra».
Dom Dritan Ndoci