Kundër trafikimit, thirrje nga të rinjtë ambasadorë të shpresës
R.SH. – Vatikan
Thirrje e re kundër krizës globale të trafikimit. Të rinjtë ambasadorë të shpresës, anëtarë të rrjetit global, që organizon Ditën Botërore të Lutjes dhe Reflektimit kundër Trafikimit, sensibilizuan sërish njerëzimin për këtë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, duke shfrytëzuar edhe vitin aktual jubilar.
Motër Avelino
“Zgjodhëm këtë ditë – shpjegon motër Abby Avelino, koordinatore e Ditës Ndërkombëtare të Lutjes dhe Ndërgjegjësimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe e rrjetit kundër trafikimit Talitha Kum International, udhëhequr nga murgeshat – për angazhimin tonë në luftën kundër trafikimit, të nxitur nga fakti alarmues se 70% e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza, sipas të dhënave të OKB-së. Për këtë arsye, bashkohemi me fushatën globale #AccelerateAction (Përshpejtoni Veprimin) për Ditën e Gruas, në mënyrë që të kërkojmë impenjim kolektiv të menjëhershëm për këtë krizë globale.
Nëpërmjet kësaj Thirrjeje për Veprim, përtërijmë angazhimin tonë së bashku me të rinjtë ambasadorë kundër trafikimit, duke amplifikuar zërat, që kanë më tepër rëndësi: zërat e viktimave, të të mbijetuarve, të emigrantëve dhe të refugjatëve, si edhe zërat e të rinjve, në vijën e parë të frontit kundër këtij krimi dhe kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe të padrejtësisë”.
Të eliminohet trafikimi
Në thirrjen për veprim të të rinjve, mësohet se, të ardhur nga kontinente të ndryshme, ata u mblodhën në një javë takimesh në Romë, nga 1 deri më 8 shkurt 2025, gjatë së cilës u zotuan të "eliminojnë trafikimin e njerëzve”, duke shkëmbyer informacione me njëri-tjetrin, për të vënë në jetë strategjitë më të mira për këtë qëllim, secili në realitetin e vet. Kujtojmë se Dita Ndërkombëtare e Lutjes dhe e Ndërgjegjësimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore është nismë e themeluar nga Papa Françesku në vitin 2015 e, sivjet, mbahet për herë të 11-të.
Përkushtimi i të rinjve
Trafikimi i qenieve njerëzore, shpjegojnë të rinjtë, “është një formë skllavërie, shpesh, e padukshme në shoqërinë tonë. Njerëzit në situata varfërie janë me rrezik më të madh për t'u trafikuar. Ndërsa mashtrohen dhe kthehen në mall për treg, trafikimi i privon edhe nga dinjiteti, autonomia e të drejtat e patjetërsueshme”. Të rinjtë impenjohen në protesta kundër “normalizimit të vazhdueshëm dhe ripërsëritjes sistematike” të këtij krimi, kundër “mungesës së ndërgjegjësimit” dhe “mosndëshkimit të tij”. Ata impenjohen në lutje dhe kujdes për viktimat e trafikimit; përpiqen të vënë në jetë strategji për rehabilitimin, integrimin, përfshirjen dhe shërimin e plagëve të të mbijetuarve nga trafikimi; bëjnë ç’është e mundur për ta edukuar shoqërinë, që të kuptojë shkaqet e trafikimit dhe së fundi, bashkëpunojnë në shkëmbimin e informacionit dhe në ofrimin e mbështetjes.