Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Allegretto
Programe Podcast
Kohë Kreshmësh Kohë Kreshmësh

Kuptimi i Kreshmëve dhe i riteve të kësaj 'kohe liturgjike'

Kreshmët janë udhë që çon në fitoren e dashurisë përdëllyese mbi gjithçka kërkon të na shtypë ose të na shndërrojë në qenie, që nuk kanë të bëjnë me dinjitetin e bijve të Zotit. Është udhë, që çon nga skllavëria, në liri! Nga vuajtja, në gëzim. Nga vdekja, në jetë.

R. SH. - Vatikan

Me kremtimin e së Mërkurës së Përhime, Kisha katolike romake e ritit latin ka filluar kohën liturgjike të Krezhmëve, që paraprijnë e përgatit besimtarët për Kremtimin e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Fillojmë, kështu, përsëri Kohën e Krezhmëve: një periudhë lutjeje, agjërimi, bamirësie e pendese! Koha e Krezhmëve, siç dihet, është periudha më në shenjë dhe më e shugurueshme e tërë vitit kishtar.  

40 ditët e Krezhmëve u paraprijnë Pashkëve të Jezu Krishtit

Koha e Krezhmëve përfshin 40 ditët, që u paraprijnë Pashkëve. Zë fill me të Mërkurën e Përhime dhe mbyllet me Meshën e mesnatës të së Shtunës së Madhe të Pashkëve. Ndahet në dy periudha: katër të dielat, që në liturgji njihen me emrin ‘të Dielat e Krezhmëve’ dhe dy javët e fundit, “Koha e Mundimeve”, në të cilën vendin kryesor e zë Java e Madhe e Mundimeve, Vdekjes mbi Kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Krezhmët janë Kohë përgatitjeje: na përcjellin shpirtërisht drejt mistereve të mëdha të Pashkëve, na përgatisin të marrim pjesë e të gëzojmë frytet e Mundimeve, të Vdekjes e posaçërisht, të Ngjalljes së Krishtit. Me Krishtin e ngjallur, ngadhënjyes mbi mëkatin e mbi mbretërinë e errësirës, edhe ne duhet të ngjallemi për një jetë të re, plot hir e dashuri, plot virtyte e vepra të mira. Ky është edhe qëllimi kryesor i këtyre ditëve të shenjta. Veçoritë që e dallojnë këtë kohë janë: pendesa, pastërtia e lutja.

Pendesa është tema kryesore e Liturgjisë së Krezhmëve. Pendesë bëri Krishti, i cili agjëroi 40 ditë në shkretëtirë, para se të fillonte jetën e vet publike; pendesë bënë Apostujt, pendesë bënë Shenjtorët. Natyrisht, ky shpirt pendese, shprehje e arsyeshme pendimi për fyerjet, që i kemi bërë Zotit, shenjë përvujtërie e nënshtrimi, dëshmi qortimi e siguri mëshire, ka vijuar, përherë i pazbehur, deri në ditët tona.

Fryma e pendesës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Liturgjinë e Krezhmëve, gjë që gjen shprehjen e vet në kremtimet, në agjërimin, intonimin e lutjeve, ngjyrat e veshjeve liturgjike, sjelljet fetare me karakter pendese. Është e vërtetë se sot, duke parë nevojat e krishterimit e sidomos rrethanat e kohëve moderne, Kisha, në përgjithësi, i çliroi besimtarët e vet nga pendesat trupore; por kjo nuk do të thotë se i krishteri duhet të heqë dorë nga pendesa e Krezhmëve. Pendesa duhet shndërruar, por nuk duhet harruar, sepse pendesa, pas mëkatit, është e vetmja rrugë e shëlbimit. E kush prej nesh mund të pohojë para Zotit se është i pafaj? “Ai që thotë se nuk është mëkatar – pohon Apostulli i Popujve, Pali – gënjen vetveten!”.

Ç’kuptim ka përhimja?

 Gjesti i përhimjes, me të cilin nisëm udhën, na kujton zanafillën tonë: u gatuam nga balta, u bëmë prej pluhuri. Po, por pluhur në duart plot me dashuri të Zotit, që fryu Shpirtin e Tij të jetës mbi secilin prej nesh e dëshiron të vijojë ta bëjë. Dëshiron të vijojë të na japë frymën e jetës,  e cila të shpëton nga frymë të tjera: nga asfiksia, që na e merr frymën, shkaktuar nga egoizmi ynë, nga ambiciet meskine, nga indiferenca e heshtur; asfiksi që ia merr frymën shpirtit, e ngushton horizontin dhe i ndal rrahjet e zemrës! 

Vepra të mira

Në këtë kohë, më shumë se kurrë, Kisha kërkon prej nesh t’u largohemi mëkateve, të jetojmë krishtërisht e të ushtrohemi në virtyte. Krezhmët janë kohë shenjte. Kërkojnë nga ne t’i ngjajmë katekumenëve të shekujve të parë të krishterimit, të cilët gjatë kësaj kohe, përgatiteshin me mësime të fesë, ushtroheshin në virtyte e vepra të mira, rriteshin në dashuri. Vetëm kështu meritonin të quheshin të denjë për të marrë Pagëzimin, të Shtunën e Madhe të Pashkëve.

Kujtimi i Pagëzimit na bën thirrje edhe ne për një jetë të re. Besnikëria ndaj premtimeve, që kemi bërë një herë, në agim të jetës sonë, por që mjerisht shpesh i kemi harruar, gjatë Krezhmëve na detyron t’ia mohojmë vetvetes kënaqësitë e çrregullta, t’i frenojmë epshet, t’i drejtojmë prirjet tona sipas Ligjit të Zotit e t’u largohemi të gjitha rasteve, që na shtyjnë drejt mëkatit. Kështu e vetëm kështu, pas një rrëfimi të mirë Pashkësh, mund t’i përsërisim seriozisht premtimet e Pagëzimit të Shtunën e Madhe dhe të rifillojmë një jetë të përtërirë në Krishtin e ngjallur, duke brohoritur me gjithë shpirt: “Aleluja!”. Po për t’u ngjallur me Krishtin, duhet të vdesësh për mëkatin.

Lutja në vatrën familjare

Lutja është mjeti i domosdoshëm për shëlbimin tonë. Duhet lavdëruar e duhet ruajtur tradita e familjeve shqiptare, që gjatë Krezhmëve e kanë doke të thonë çdo mbrëmje së bashku Rruzaren; të luten, në vatrën familjare, për të gjallë e për të vdekur, për bamirës e për armiq.

Kisha, posaçërisht këto ditë, na grish të marrim pjesë sa më shpesh në Meshën Shenjte, t’i kujtojmë mësimet e Jezu Krishtit, t’i mësojmë të vegjëlit në uratë e në doktrinë. Duke bërë tonat fjalët e Enciklikës së Papës Piut XII “Mediator Dei”, mund të përfundojmë: “Ndër ditë të Krezhmëve, Kisha, Nëna jonë, bën çmos që secili nga ne ta njohë ligështinë e mjerimin e vet, të nxitet me kujdes t’i përmirësojë doket e të mohojë mëkatet, duke i shlyer përmes lutjeve e pendesës, mbasi vetëm lutja e vazhdueshme dhe pendesa për mëkatet e bëra, na nxjerrin ndihmën hyjnore, pa të cilën çdo vepër e jona është e kotë dhe e pafryt”.

06 mars 2025, 11:02
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031