Nigeri: vritet seminaristi i rrëmbyer më 3 mars, ndërsa lirohet prifti i rrëmbye me të
R.SH. / Vatikan
Dhimbje e thellë në Nigeri për lajmin e vdekjes së Andrew Peter, seminaristit njëzet e një vjeçar vrarë nga rrëmbyesit e tij, pasi u mor me forcë nga njerëz të armatosur në shtetin Edo, në jug të vendit afrikan, më 3 mars. I riu u rrëmbye së bashku me Atë Philip Ekwelin, i cili u lirua më 13 mars. Lajmi i hidhur lexohet në një komunikatë e dioqezës së Auchit për mediat, transmetuar nga agjencia e lajmeve Fides.
Sulmi në Kishën e Shën Pjetrit
Meshtari dhe seminaristi u rrëmbyen gjatë një sulmi në Kishën katolike të Shën Pjetrit në Iviukhua-Agenebode, Etsako East County. Të dy u çuan në pyjet aty pranë. Dioqeza, duke falënderuar "për lutjet dhe mbështetjen morale", u bën thirrje autoriteteve dhe forcave të sigurisë që të mbrojnë bashkësitë lokale nga rrëmbimet e vazhdueshme në shtetin Edo, "shndërruar në strehë të sigurt për rrëmbyesit, të cilët mund të veprojnë pa u ndëshkuar, ndërkohë që popullsia ndihet e pafuqishme dhe e braktisur".
Njerëzit janë në rrezik "në rrugë, në fermat e tyre dhe madje edhe në shtëpitë e tyre" - pohon dioqeza në një deklaratë, duke kërkuar masa të mëtejshme "për të shpëtuar të rrëmbyerit", “e jo duke e lënë gjithë përpjekjen për shpëtimin vetëm në duart e të afërmve, miqve dhe të njohurve të të rrëmbyerit".
Fati i meshtarëve të rrëmbyer
Në komunikatë kujtohet edhe se si në dhjetë vitet e fundit, gjashtë nga priftërinjtë e dioqezës "u rrëmbyen, u torturuan dhe pastaj u liruan. Tre u sulmuan, por arritën të shpëtojnë", ndërsa një, Atë Christopher Odia, "u vra brutalisht". "Tani u vra edhe seminaristi Andrew Peter". Lutja e fundit është “për të gjithë ata që u vranë nga rrëmbyesit, që të pushojnë në paqe me mëshirën e Zotit".
Pasiguri në pjesë të ndryshme të vendit
Fondacioni Papnor 'Ndihmë për Kishën që Vuan' (ACS), në një deklaratë nga seksioni i tij italian, kujton se si ndodhi vrasja e të riut Andrew Peter disa ditë pas vrasjes, të mërkurën e përhime, të Atë Sylvester Okechukwu, i dioqezës së Kafanchan, në shtetin veri-qendror të Kaduna-s. Ai qe rrëmbyer një ditë më parë.
Nigeria, thekson fondacioni papnor 'Ndihmë për Kishën që Vuan' (ACS), vuan nga pasiguria e rëndë në shumë rajone. Rrëmbimet janë të shpeshta, veçanërisht nga bandat kriminale që kërkojnë para, në një kontekst paqëndrueshmërie shkaktuar nga grupet ekstremiste, si Boko Haram dhe Iswap, degë e Afrikës Perëndimore e të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS), ku nuk mungojnë as sulmet e shumta nga barinjtë nomadë, në dëm të fermerëve.