Observatori i Pompeit: hyjnorja që bëhet shkencë
R.SH. - Vatikan
“Prej pesë vjetësh, në këtë luginë të paharrueshme, nën frymën fekonduese të fesë dhe vështrimin rikrijues të Virgjërës qiellore, qytetërimi i kohëve tona u shpreh në tre manifestime të mëdha: në art, në adhurim, në bamirësi. Mbetej manifestimi i fundit i qytetërimit evropian, shkenca, ky rrezatim i hyjnisë në shpirtin e njeriut”. Fjalë, këto, të të Lumit Bartolo Longo, që do të shpallet shenjt në vitin 2025, botuar në buletinin e shenjtërores "Rruzarja dhe Pompei i Ri" në vitin 1890. Jo vetëm lutja, pra, jo vetëm bamirësia, por edhe shkenca: një kombinim tejet i veçantë, e pra, i mundshëm.
Lindur nga një akt feje
Jemi në luginën e Pompeit, një valë erërash, që përzihet në mënyrë të përkryer me erën që vjen nga deti: këtu, më 15 maj 1890 lindi Observatori Meteorologjik-Gjeodinamik-Vullkanologjik, falë idesë vizionare të Longos, jeta e të cilit do të lidhet përgjithmonë me atë të shenjtores kushtuar Zojës Rruzare të Pompeit. E pikërisht pas një akti feje ndaj Virgjërës, lindi ky observator. Falë një studimi shumë interesant - kryer nga Don Salvatore Sorrentino, ish-drejtor i arkivit "Bartolo Longo" e studiues i figurës së të Lumit, si dhe nga Dr. Carlotta Amitrano, arkiviste dhe bibliotekare, botuar në buletinin e së njëjtës shenjtërore të Pompeit, në dhjetor 2024, u bë e mundur të gërshetohet biografia e shenjtit të ardhshëm me atë të drejtorit të parë të Observatorit modern të Vatikanit, Atë Francesco Denza.
Lidhja e Longos me Denzën
Një libër i vogël i ruajtur në arkivin historik të shenjtërores rrëfen gjenezën e observatorit. Longo shkruan: “Në mars të vitit 1886, burri i shquar (Atë Denza, red.) u prek papritur nga paraliza, që i mori gjysmën e trupit. Në valën e frikës universale për jetën e astronomit dhe natyralistit të madh italian, vetëm ai nuk e humbi besimin në fuqinë e mrekullive të Zojës së Pompeit, ndaj iu lut menjëherë kësaj shpërndarëseje sovrane të hirit, t'ia kthente shëndetin e humbur. U lut e premtoi se do të vinte për të kremtuar meshën e falënderimit në këtë shenjtore. E astronomi i famshëm, edhe ai njeri i shenjtë, mori nga Maria pikërisht çka kishte kërkuar. Unë e pashë për herë të parë shkencëtarin e madh këtu, në këtë shenjtërore, në korrik 1888". Denza ia kishte jetën borxh Marisë. Ai duhej, në një farë mënyre, ta nderonte zotimin që kishte marrë. Dhe pikërisht atëherë Bartolo Longo nuk e humbi mundësinë për ta përfshirë në ndërmarrjen e tij: në observatorin shkencor. E Ati i Observatorit të Vatikanit iu përgjigj Virgjërës me një "këtu jam", duke e pranuar propozimin.
Observatori shkencor
Selia fillestare ishte ndërtesa e jetimores femërore, krijuar me Veprën e shenjtërores së Rruzares. Hapje madhështore, emra të famshëm në shkencë. Mendohet edhe për një bulletin, që mund ta shpjegonte veprimtarinë shkencore të zhvilluar në institutin e ri: kontrollin meteorologjik, monitorimin e aktivitetit vullkanik të Vezuvit dhe monitorimin instrumental të dinamizmit sizmik. Këto janë zonta e kërkimit shkencor! Atë Denza vdiq në vitin 1894 dhe observatori e ndërpreu veprimtarinë e tij për një farë kohe, derisa imzot Augusto Silj, i delegacionit papnor, në vitin 1907, e përtëriu institutin shkencor duke krijuar edhe një seli të re (hospicin e atëhershëm arsimor) si dhe pajisje të reja. Këtë herë ishte Atë Guido Alfani, i Etërve skolopë, protagonisti i këtij tranzicioni.
Një mrekulli, që i bën ballë kohës
Nga dokumentimi lidhur me përurimin e seksionit gjeodinamik, rezultojnë instrumentet e dhuruara të mëposhtme: Sizmoskop lavjerrës i përmbysur Cecchi dhe rënie e masës me kontakt elektrik të pavarur; Sizmoskop me lavjerrës të përmbysur dhe rënie të masës me kontakt të brendshëm elektrik Cecchi; sizmoskop lavjerrës i përmbysur pa masë në rënie; sizmoskop i thjeshtë spirale me kontakt elektrik; sizmoskop i dyfishtë spiraleje me kontakt elektrik; sizmoskop i shufrës së kontaktit elektrik Galli…. Lista do të vazhdonte, pasi veprimtaria e Observatorit vazhdoi pa ndërprerje, deri në vitin 1933, vit në të cilin, për punimet e zgjerimit të strukturës, instrumentet u transferuan përkohësisht në një vend tjetër. Vetëm në vitin 1937 veprimtaria rifilloi: drejtimi iu besua profesor Vito Ceneronit, drejtor i bujtinës dhe i punishteve që mbajnë emrin e të Lumit, i cili kishte fituar përvojë të gjatë si asistent në Observatorin Meteorologjik të Beneventos. Gjatë Luftës II Botërore instituti mbeti pa mjeshtra e u detyrua t’i mbyllë portat.
Nga gjithë kjo histori mbetën vetëm pakëz dokumente, korrespondencë dhe fotografi të zverdhura nga koha.
Por megjithatë, Shpirti me të cilin lindi kjo mrekulli shkencore, mbetet i gjallë, me ngjyra të ndezura, me dëshirën për ta treguar këtë histori të lavdishme, madje edhe për ta ringjallur në ato vise ku lindi e ku mund edhe të rilindë!