Të kërkojmë falje, edhe për kë nuk mund ta kërkojë!
R.SH. / Vatikan
Feja ka një përmasë personale, por bazohet edhe mbi marrëdhëniet. Prandaj kur dikush bën mirë, e gjithë bashkësia përmirësohet. Përkundrazi, e keqja dënon, njëherësh me ata që e kryejnë, edhe ata që e ndjekin të njëjtin shteg!
Fajet, gabimet e mëkatet kanë gjithmonë ndikim kolektiv, duke e shkatërruar ose të paktën duke e bërë më të brishtë strukturën komunitare dhe marrëdhëniet ndërpersonale. Për fat të mirë, mund të ndryshohet marshi e të ndërrohet drejtimi.
Zoti, na mëson Kisha, i fal gjithnjë ata që i afrohen, kur pendohen dhe janë gati të kërkojnë seriozisht vullnetin e tij. Gjë e lehtë, do të thotë ndokush. Jo, nuk është aspak. Nëse ka gjë të ndërlikuar në këtë botë, është të kërkosh falje - e të falësh.
Nuk është rastësi që në këtë lutje, Kardinali Carlo Maria Martini (1927-2012), Kryeipeshkëv i Milanos nga viti 1979 deri në 2002, kërkon falje jo vetëm për veten e tij, por edhe për të gjithë ata që nuk kanë forcën dhe guximin ta kërkojnë:
“Duke adhuruar së bashku kryqin,
shenjën e shëlbimit tonë,
përvujtërisht kërkojmë falje për vetveten,
e për mëkatet me të cilat u njollosëm…
Falje kërkojmë në emër të gjithë atyre,
që nuk janë më mes nesh,
a të atyre që nuk dinë si t'i kërkojnë falje
Zotit për mëkatet e tyre.
E nuk e dinë as me sa gëzim e sa paqe
do të ishin përplot zemrat e tyre
nëse do të mund ta dinin si mund ta bënin këtë!
Kërkojmë falje, në emër të mbarë njerëzimit,
për të keqen e madhe që kreu
njeriu kundër njeriut,
e të keqen edhe më të madhe
që kreu njeriu kundër Birit të Zotit,
kundër shëlbuesit Jezus,
kundër profetit që sillte fjalë dashurie;
E vumë jetën tonë në duart e të kryqëzuarit
që ai, Shëlbuesi i mirë,
me ngushëllimin e faljes së Tij
botën tonë ta falë
edhe ta bëjë të lirë!