Kërko

Konferenca ndërkombëtare mbi trafikun e njerëzve Konferenca ndërkombëtare mbi trafikun e njerëzve 

Papa: trafiku është krim kundër njerëzimit dhe e kthen njeriun në mall

Papa Françesku priti pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare për Trafikimin e Njerëzve, organizuar nga Seksioni i Migrantëve dhe Refugjatëve i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm të njeriut. Megjithë përpjekjet e bëra, në luftën kundër trafikut - tha ai - ka ende shumë për të bërë: është një fenomen “aq i ndërlikuar, sa i errët”, që fyen lirinë dhe dinjitetin e viktimës dhe i bën çnjerëzorë ata që e kryejnë.

R.SH. - Vatikan

Është bërë dhe po bëhet shumë kundër trafikut të qenieve njerëzore, por mbetet shumë për t’u bërë, sepse ai hap një “plagë të thellë në humanitetin e atyre, që e vuajnë dhe, të atyre, që e zbatojnë”. Me këto fjalë, Papa Françesku priti në Sallën e Sinodit, pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Trafikimin e Njerëzve, mbajtur nga e hëna në Fraterna Domus të Sacrofano-s, pranë Romës, organizuar nga Seksioni i Migrantëve dhe i Refugjatëve në Dikasterin vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Në qendër të punimeve, ku morën pjesë më se 200 delegatë, zbatimi i Udhëzimeve baritore për këtë tematikë, botuar nga i njëjti organizëm janarin e kaluar dhe miratuar nga Papa.

“Në të vërtetë, trafiku e shpërfytyron humanitetin e viktimës, duke fyer lirinë dhe dinjitetin e saj. Njëkohësisht, çhumanizon ata që e kryejnë, duke u mohuar ‘jetën në begati’. Së fundi, trafikimi dëmton seriozisht humanitetin si të tillë, duke e përçarë familjen njerëzore e madje, edhe Korpin e Krishtit”.

Krim kundër njerëzimit

         Trafiku, vijoi Françesku, i kthen viktimat në mall, duke cënuar padrejtësisht përmasat bazë mbi të cilat Zoti e ka krijuar njeriun: lirinë dhe dinjitetin.

         “Prandaj, ai duhet konsideruar krim kundër njerëzimit. E kjo, pa dyshuar aspak. Për analogji, po aq rëndë, duhet konsideruar edhe çdo përçmim i lirisë dhe i dinjitetit të secilit prej njerëzve, qoftë bashkëkombas, qoftë i huaj”.

Pengesat e individualizmit dhe të egocentrizmit

         Papa Françesku përvijoi gjendjen në botën e sotme, që e pengon vendosjen e njeriut në qendër të çdo veprimi – hapi i parë në luftën kundër trafikut. Vuri në dukje rritjen e individualizmit dhe të egocentrizmit, për shkak të të cilave edhe njeriu është kthyer në mall për treg. Por Zoti, theksoi Ati i Shenjtë, na ka krijuar që të kujdesemi për njëri-tjetrin e Krishti na e ka dëshmuar si bëhet kjo, deri me flijimin e vetvetes. Çdo veprim i kundërt me këtë mision është tradhti kundër humanitetit tonë e na bën të heqim dorë nga ajo “jetë në begati”, ofruar nga Jezusi. “Do të thotë – vërejti Papa – ta përshkojmë shkallën tatëpjetë, të shkojmë gjithnjë e më poshtë e të kthehemi në kafshë”.

Të parandalojmë, të mbrojmë e të dënojmë

         Ati i Shenjtë përmendi impenjimin e Kishave vendase në çdo anë të botës, falenderoi kongregatat fetare, në vijën e parë të frontit kundër çdo lloj trafiku e, kërkoi impenjim më të madh për ta “parandaluar trafikun, për t’i mbrojtur viktimat e për t’i dënuar fajtorët”.

         “Zyrat përkatëse të Kishave lokale, kongregatat fetare dhe organizatat katolike janë të thirrura të shkëmbejnë përvoja e njohuri e të bashkojnë forcat, në një aksion të përbashkët e të koordinuar në vendet e origjinës, të tranzitit e të destinacionit të njerëzve-objekte të trafikut. Për ta bërë veprimin e saj më të përshtatshëm e më të frytshëm, Kisha Katolike duhet të dijë të kërkojë ndihmën e protagonistëve të tjerë politikë e shoqërorë. Bashkëpunimi strukturor me institucionet dhe me organizatat e tjera të shoqërisë civile do të jetë garanci për rezultate më të mira e më afatgjatë”.

Shën Jozefina Bakita

         Duke iu lutur pajtores së viktimave të trafikut, shën Jozefina Bakitës, “skllavëruar që e vogël, shitur e blerë, por pastaj, liruar e ‘lulëzuar’ plotësisht si bijë e Zotit”, Papa përmendi sërish “viktimat e pafajshme të trafikut”, që kthehen në mall, dhe inkurajoi të pranishmit ta vijojnë misionin e tyre, shpesh të rrezikshëm e anonim, por të nevojshëm për t’i dhënë fund kësaj plage.

11 prill 2019, 14:28