Françesku: toka shërohet, nëse shërohen marrëdhëniet njerëzore
R. SH. - Vatikan
Jemi pjesë e së njëjtës familje - i kujtoi Papa grupit të specialistëve që bashkëpunojnë me Konferencën e Ipeshkvijve të Francës, me të cilët u takua sot, në Vatikan, me nismën e imzot de Moulins Beaufort, pas reflektimeve organizuar nga Konferenca e ipeshkvijve francezë rreth enciklikës “Laudato si’, në të cilat morën pjesë edhe shumë specialistë të angazhuar në çështjet ekologjike.
Jemi një familje e vetme njerëzore - rikujtoi Papa - e thirrur për të jetuar në shtëpinë e përbashkët, të cilën po e shikojmë duke na u shembur përmbi kokë. E kriza shëndetësore, që po kalon njerëzimi, vijon të na kujtojë brishtësinë tonë, ashtu si na kujton se keqtrajtimi i tokës ka pasoja të rënda në të gjitha drejtimet e jetës. Ndaj jemi para një emergjence: duhet ta mbrojmë shtëpinë e përbashkët:
“Prandaj Kisha katolike do të marrë pjesë plotësisht në angazhimin për mbrojtjen e kësaj shtëpie. Ajo nuk ka rrugëzgjidhje të gatshme për të propozuar e nuk i mohon vështirësitë. Megjithatë, dëshiron të veprojë konkretisht atje ku është e mundur e sidomos, dëshiron të formojë ndërgjegjet, me qëllim që të nxisë kthesën e thellë e të qëndrueshme ekologjike, e vetmja që të mund t’u përgjigjet sfidave të rëndësishme, që duhet të përballojmë”.
Më pas, një sintezë e thellë e mësimeve të Biblës mbi krijimin e botës, që nuk lindi nga kaosi, e as nga rastësia, por nga vendimi i Zotit, që e krijoi për dashuri. E edhe një përshkrim vërtet i frymëzuar i bukurive të universit e, sidomos, Autorit të tij, që i dhuroi çdo krijese një vend të veçantë në këtë botë. Botë që i ngjet një kopshti, por që duhet kultivuar, duhet mbrojtur, duhet rritur:
“Prandaj, kur natyra konsiderohet vetëm si objekt fitimi e interesi, harmonia merr fund e nisin pabarazitë, padrejtësitë, vuajtjet”.
Pasi citoi pohimin e Gjon Palit II, që na kujton se jo vetëm toka na u dhurua nga Zoti e prandaj edhe duhet respektuar, por edhe se vetë njeriu iu dhurua vetvetes nga Zoti, ndaj duhet ta respektojë strukturën e vet natyrore e morale, me të cilën u pajis”, Françesku ngriti zërin kundër padrejtësive, parë si shkaktare kryesore të krizës ekologjike:
“Gjithçka është e ndërlidhur! Nga njëra anë është i njëjti egoizëm, e njëjta pangopësi, i njëjti fodullëk, i njëjti pretekst për të qenë padronë e despotë të botës, që i nxit njerëzit t’i shkatërrojnë speciet e t’i plaçkisin pasuritë natyrore - e nga ana tjetër, të shfrytëzojnë mjerimin, të abuzojnë me punën e grave e të fëmijëve, të përmbysin ligjet e qelizës familjare, të mos e respektojnë më të drejtën e njeriut për të jetuar nga zënia, deri në fundin e natyrshëm të jetës”.
Kriza ekologjike - kujtoi në vijim Papa – është shprehje e jashtme e krizës etike, kulturore e shpirtërore të botës moderne, ndaj nuk mund të shpresojmë t’i shërojmë marrëdhëniet tona me natyrën e mjedisin, pa shëruar më parë marrëdhëniet kryesore njerëzore:
“Nuk do të ketë marrëdhënie të reja të njeriut me natyrën, pa një qenie të re njerëzore. Vetëm duke shëruar zemrën e njeriut, mund të shpresojmë ta shërojmë edhe botën dhe çrregullimet saj si shoqërore, ashtu edhe ambientale” .
Fjalët e fundit të fjalimit të Papës ishin plot optimizëm:
“Ne të krishterët - kujtoi - nuk e humbasim kurrë shpresën, sepse i kemi sytë të drejtuar nga Jezu Krishti. Ai nuk do të na braktisë, nuk do të na lërë kurrë vetëm, sepse u bashkua përfundimisht me tokën tonë, e dashuria e Tij na prin gjithnjë drejt udhëve të reja”.