2019.08.30 Stagione del Creato, Papa Francesco, season of creation , 1 settembre - 4 ottobre 2019.08.30 Stagione del Creato, Papa Francesco, season of creation , 1 settembre - 4 ottobre  

Papa: është koha e drejtësisë, të shlyhet borxhi i Vendeve të varfëra

Në Mesazhin e Ditës Botërore të lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, Françesku kujton se “Jubileu i Tokës” është kohë për t’u dhënë lirinë të shtypurve” “për të kultivuar vlerat, lidhjet e projektet ripërtëritëse”, duke shfrytëzuar rastin e krijuar nga pandemia. Nga denoncimi i dëmeve të krijimit, tek kërkesa për shlyerjen e borxhit të jashtëm të vendeve të varfra, Papa kujton se ne të gjithë banojmë në një shtëpi të përbashkët, si anëtarë të së njëjtës familje”.

R.SH. - Vatikan

"Tё pesëdhjetin vjet shpalleni vit tё shenjtë; kumtoni nё mbarё vendin çlirimin e tё gjithё banorëve. Ky le tё jetё pёr ju jubile” (Lev 25,10), ky fragmenti nga Libri i Levitikut.

Tё dashur vёllezёr e motra,

çdo vit, posaçërisht që nga botimi i Letrës enciklike “Laudato si’”(24 maj 2015),  më 1 shtator familja e krishterë kremton Ditën Botërore  të Lutjes për kujdesin ndaj Krijimit, që përfundon me 4 tetor, kur përkujtohet Shën Françesku i Asizit. Me të nis edhe Koha e Krijimit. Kështu, shkruan Papa në mesazhin e tij kushtuar “Jubileut për Tokën".

Në këtë ditë të krishterët në mbarë botën bashkohen posaçërisht në lutje e në veprimtari për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. E Papa kujton, në mesazh, edhe temën e sivjetme, zgjedhur nga familja ekumenike për Kohën e Krijimit 2020. Është “Jubileu për Tokën: ritme të reja, shpresë e re”, pikërisht në vitin  e 50-vjetorit  të Ditës së Tokës.

Kohë për të kujtuar – titullohet Kreu I

Titullohet kështu Kapitulli I i Mesazhit, me pesë kapituj, në të cilin, përmes rikujtimit të Jubileut biblik, pohohet se fati i  fundmë i krijimit është hyrja në “të shtunën e amshuar” të Zotit. Është një shtegtim në kohë me ritmin e shtatë ditëve të javës, ciklin e shtatë vjetëve dhe me Vitin Jubilar, në përfundim të shtatë vjetëve të pushimit.

Jubileu është edhe kohë hiri, për të kujtuar thirrjen e zanafillës së krijimit e për lulëzimin si bashkësi dashurie. Ekzistojmë - kujton Papa - vetëm përmes marrëdhënieve me Zotin krijues dhe me vëllezërit e motrat, që banojnë në të njëjtën shtëpi. “Gjithçka është në ndërlidhje e të gjithë njerëzit janë motra e vëllezër, në një shtegtim të përbashkët, të mrekullueshëm, të lidhur me dashurinë që ka Zoti për secilin prej krijesave të veta”.

Jubileu duhet parë edhe si kohë për të kujtuar se “gjithçka është në ndër-lidhje, se lidhja jonë me natyrën është e pandashme nga vëllazërimi, drejtësia e besnikëria ndaj të tjerëve”.

Kohë për t’u rikthyer te Zotit e krijimi i Tij – Kreu II

Papa, në Kreun II, titulluar “Kohë për t’u rikthyer” e kujton Jubileun edhe si kohë për t’u kthyer prapa, për të kundruar rrugën që bëmë e për t’u penduar. Copëtuam lidhjet, që na bashkonin me Krijuesin, me qeniet e tjera njerëzore e me pjesën tjetër të krijimit. Duhet t’i rikrijojmë këto lidhje, pa të cilat nuk ka jetë - kujton - E Jubileu është edhe koha e rikthimit tek Zoti, krijuesi ynë. Sepse nuk mund të jetohet në harmoni me krijimin, pa jetuar në paqe me Krijuesin, gurrë e zanafillë e të gjitha sendeve.

Jubileu kërkon të mendojmë për të tjerët

Jubileu na nxit të mendojmë edhe për të tjerët, posaçërisht për të varfërit e të ligshtit. Është kohë për t’i çliruar të gjithë ata, që janë në pranga në format e ndryshme të skllavërisë moderne, ndërmjet të cilave, trafiku i njerëzve dhe puna e të miturve.

 Ta dëgjojmë rrahjen e zemrës së krijimit

Gjatë kësaj kohe duhet të dëgjojmë posaçërisht rrahjen e zemrës së krijimit. E të kujtojmë se toka, nga e cila u mbruajtëm, është vend lutjeje e meditimi e se duhet të rizgjojmë ndjenjën estetike kundruese, që Zoti e mbolli në shpirtin tonë. E edhe të mësojmë nga indigjenët, që jetojnë në harmoni me tokën e me format e saj të panumërta të jetës.

Kreu III - Kohë për të pushuar

Kohë për të pushuar - titullohet Kreu IV. Me dijen e  tij të pambaruar, Zoti e la një ditë për pushim, që toka e banorët e saj  të preheshin. Gjatë Jubileut biblik populli i Zotit ftohej të pushonte. E të pushonte dhe toka. Po sa respektohet ky pushim në kohën kur konsumi shkatërron ambientin, pyjet priten, toka shkretohet, arat zhduken e shkretëtira i shtrin gjithnjë më shumë kufijtë e vet? Pandemia - kujton Papa në mesazh - na bëri, në një farë mënyre, të zbulojmë stile shumë më të thjeshta jete e mënyra të reja jetese. Duhet t’i zhdukim nga jeta dhe nga ekonomia aspektet e dëmshme e të vëmë në jetë mënyra të frytshme tregtie, prodhimi e transporti të pasurive.

Kreu IV – Kohë për të  ndrequr ç’u shkatërrua

Është fjala për t’u rikthyer në harmoninë e zanafillës, për të rivendosur marrëdhënie të drejta e të ndershme shoqërore, për t’ua rikthyer të tjerëve pasuritë e tyre e, sidomos, për të mos e harruar historinë e shfrytëzimit të jugut të Planetit. Prej këndej Papa ngre edhe një herë zërin për shlyerjen  e borxhit të jashtëm të vendeve më të ligshta, parë edhe me syrin e krizës së sotme shëndetësore.

Së fundi, Kreu V, titulluar “Kohë për t’u gëzuar”

Eshtë edhe kohë për t’u gëzuar - nënvizon Papa në Kapitullin V - e për të kujtuar se Shpirti Shenjt po i frymëzon kudo njerëzit e bashkësitë për t’u bashkuar, për të rindërtuar shtëpinë e përbashkët e për t’i mbrojtur më të ligshtit. Po frymëzon nisma të shumta. Edhe ekumenike.

Mesazhi përfundon me thirrjen kuptimplote psalmike: “Dërgoje, o Zot, Shpitin tënd e rinoje faqen e tokës!”. (Ps 104,30).

Nënshkruhet: Romë, Shën Gjoni i Lateranit, 1 shtator 2020

 

01 shtator 2020, 13:08