ECONOMY AMBROSETTI FORUM ECONOMY AMBROSETTI FORUM 

Papa, Forumit të Cernobbio: tani duhet kthesa ekologjike e ekonomisë!

Mesazh i Françeskut, takimit dyditor të formimit për bankierët dhe menaxherët, organizuar nga “The Europen House - Ambrosetti”. Për t’u rinisur - kujton Ati i Shenjtë - duhet një model tjetër ekonomik, që nuk përjashton, por përfshin; nuk e flijon dinjitetin njerëzor në altarin e idhujve të financës, nuk e përdor paranë për të sunduar - por për të shërbyer.

R. SH. - Vatikan

Për të dalë nga kriza, “gjë të cilën e dëshirojmë të gjithë, është e nevojshme kthesa ekologjike e ekonomisë sonë”, që të bëhet me të vërtetë shprehje e kujdesit për shtëpinë e botës”, “e cila nuk përjashton, por përfshin; nuk e flijon dinjitetin njerëzor, në altarin e idhujve të financës, nuk e përdor paranë për të sunduar - por për të shërbyer”.

Papa Françesku u shkruan bankierëve e menaxherëve të mbledhur deri më 5 shtator në Cenobbio, për takimin e 46-të të Forumin Ambrozetti, duke cituar nxitjen apostolike Evangelii gaudium, “dokument programatik i papnisë, që tregon rrugën për të dalë më të mirë nga emergjenca shëndetësore, ekonomike e shoqërore, shkaktuar nga pandemia e Covid-19”, e cila vijon ta shtrëngojë në kthetrat e saj mbarë njerëzimin”.

Ftesë për ta braktisur “paradigmën teknokratike”

Ati i Shenjtë i fton bankierët ta braktisin “paradigmën teknokratike, me vulën  e logjikës së sundimit mbi sendet”. Teknika - kujton, duke cituar Enciklikën “Laudato si’” - duhet vënë në shërbim të një modeli tjetër zhvillimi, më të shëndetshëm, më njerëzor, më shoqëror, më të gjithanshëm.

“Nëse më parë  flitej për solidaritetin e prodhimit,  sot ky solidaritet duhet  t’i shërbejë një pasurie më të çmuar: njeriut”! Njeriu duhet vënë në vendin që i takon, domethënë, në qendër të edukimit, të shëndetësisë, të politikave shoqërore dhe ekonomike. Duhet mirëpritur, duhet mbrojtur, duhet shoqëruar e duhet integruar kur, në kërkim të një ardhmërie plot shpresë, troket në portat tona. Qyteti i së ardhmes duhet të jetë në qendër të reflektimeve tuaja”- u shkruan Papa bankierëve dhe menaxherëve.

Ftesë për kthesë ekologjike, me frymë krijuese

Bankierëve dhe menaxherëve, të mbledhur për Forumin në Villa d’Este, pranë liqenit të Como-s, Papa Françesku u rikujton se pasuria e vërtetë nuk është ajo, që i takon vetëm një grushti njerëzish, por ajo, që mund ta kenë të gjithë.  E i fton për kthesë ekologjike, me frymë krijuese, si artizanët, duke hapur rrugë të reja origjinale për të mirën e përbashkët.

Economy of Francesco, forum për të ardhmen

Ka rëndësi- vijon Papa - të investohet për breznitë protagoniste të ekonomisë të së nesërmes, për formimim e njerëzve të aftë në shërbim të bashkësisë e të kulturës së takimit”. E Evropa duhet vënë në qendër, ajo edhe emigrantët e saj. Së fundi Papa i fton bankierët dhe menaxherët të mobilizohen për të ndërtuar një botë më të mirë, “qytetin e së ardhmes”, sipas modelit biblik të Jeruzalemit qiellor. “Një qytet  paqeje, siç e tregon vetë emri, ku portat janë gjithnjë të hapura, për të hyrë mbarë popujt”, por edhe “me masën e njeriut”, me burime e pemë, mikpritës, qytet ku  sëmundja e vdekja janë mundur".

Economy of Francesco

Papa kujton edhe  ftesën për të marrë pjesë në takimin e madh “Economy of Francesco”, në Asizin e Shën Françeskut, që u zhvesh nga gjithçka “për ta zgjedhur Zotin si yll polar të jetës”. Ai zgjodhi varfërinë, u bë i varfër me të varfërit e vëlla universal. E pikërisht nga varfëria e Tij, që mbetet tejet aktuale, duhet të burojë edhe vizioni  i ekonomisë.  

Prej këndej, ftesa e fundit e Papës: “të lartohen sytë e të luftohet për ideale  të larta e aspirata të mëdha, duke propozuar stile të reja jete e duke i dhënë zë, atij, që nuk e ka”.  

04 shtator 2020, 14:16