Kërko

 Pyjet e Amazonës Pyjet e Amazonës 

Papa: nuk ka ekologji, pa drejtësi: të luftojmë kundër degradimit

Sot natyra që na rrethon nuk admirohet më, por “dërrmohet”. Françesku takohet me Bashkësinë “Laudato si’” dhe i fton njerëzit dhe institucionet për veprime konkrete në mbrojtje të ambienit, që askush të mos mbetet pa trojet, ku banon.

R. SH. - Vatikan

Etje për të konsumuar, pa sy në ballë për ta parë shkandullin e shpërdorimit, që të rrethon e që e shkatërron ambientin në të cilin banohet! Ose, shikim tjetër, të ngutshëm, që të shtyn t’i marrësh mbi vete  problemet e njeriut e të tokës. Një shikim, që nuk kërkon të justifikohet, si ai i samaritanit të mirë, që kujdeset menjëherë për fatkeqin, të cilin “nuk e njeh fare”. Papa ua përsëriti edhe një herë këto koncepte atyre, që kanë zgjedhur rrugën  të shikojnë e të veprojnë sipas parimit të “ekologjisë së gjithanshme”, ashtu si ua shpjegon në Enciklikën “Laudato si’”.

Të punojmë për të nesërmen e të gjithëve  

E “Laudato si’” është edhe emri i këtyre bashkësive, që Papa i priti sot paradite në Sallën e Palit VI, të lindura nga ideja e ipeshkvit të Rietit, imzot Domenico Pompili dhe Carlo Petrinit, themelues i “Slow Food”,  të dy këto ditë në Vatikan, për paraqitjen e librit “TerraFutura” (TokaeArdhshme), në të cilin Papa e Petrini  bisedojnë për këto tematika:

“Çkujdesja për Krijimin si dhe padrejtësitë shoqërore ndikojnë mbi njëra-tjetrën” - pohoi Françesku - e shtoi: “Mund të themi se nuk ka ekologji, pa drejtësi e as drejtësi, pa ekologji”:

“Duhet dëshirë e vërtetë për t’i përballuar në rrënjë shkaqet e çakërdisjeve klimaterike në vijim. Nuk mjaftojnë angazhimet e përgjithshme: fjalë, fjalë fjalë… E nuk mund të shikohet vetëm miratimi i menjëhershëm i zgjedhësve apo i financuesve. Duhet parë larg, përndryshe historia nuk do të na falë. Duhet punuar sot për të nesërmen e të gjithëve. Të rinjtë e të varfërit do të na kërkojnë llogari. Është sfida jonë! Po kujtoj një frazë nga teologu martir Dietrich Bonhoeffer: ‘Sfida jonë sot nuk është ‘si do ta kalojmë? Si do të dalim nga kjo trazirë?’. Sfida jonë e vërtetë është ‘si do të jetë ardhmëria e breznisë, që vjen: këtë duhet të mendojmë!’”.

Duhet të kundrojmë e të veprojmë

Shikimi i atij, që don ta mbrojë seriozisht ambientin, sipas Papës, ka dy karakteristika: është i aftë për kundrim e edhe për përdëllim:

“Të sëmurë  nga konsumi, gulçojmë për një ‘app’, po nuk i dimë më as emrat e më të afërmve, aq më shumë jemi në gjendje të dallojmë një pemë nga tjetra. E çka është edhe më e rëndë, me këtë stil jete humbasin rrënjët, zhduket mirënjohja për çka kemi e për Atë, që na e dhuroi. Për të mos harruar, duhet të rikthehemi e të kundrojmë; për të mos u dëfryer në një mijë mënyra të kota, duhet të zhytemi përsëri në heshtje; që zemra të mos sëmuret, duhet të ndalemi. Duhet vullnet real për ta përballuar në rrënjë shkakun e ndryshimeve klimaterike në vijim. Nuk mjaftojnë angazhimet e përgjithshme. Duhet shikuar larg! Përndryshe historia nuk do të na falë”.

Mëshira, vaksina më e mirë  kundër epidemisë së indiferencës

Mëshirë e jo hipokrizi! - këtë kërkoi Papa - për të theksuar, në përfundim:

 “Nuk më duhet gjë!’, ‘nuk më takon mua’, ‘nuk është punë për mua’, ja, këto janë simptomat e indiferencës. Ndërsa kush ka mëshirë, kalon nga ‘nuk më bëhet fare vonë për ty”, në “ti ke shumë vlerë për mua”… Bota ka nevojë për këtë mëshirë krijuese e faktike njerëzish, që nuk ngurrosen para ekranit për të komentuar, por i ndotin duart për të zhdukur degradimin e për të rikthyer dinjitetin. Të kesh mëshirë, do të thotë të zgjedhësh:  të mos kesh asnjë armik, por të shikosh për të parë në çdo njeri të afërmin tënd”.

E kush ka mëshirë - kujtoi akoma Françesku - merr pjesë çdo ditë në luftën kundër hedhurinës e shpërdorimit të njeriut tjetër e të sendeve të tjera, si ato miliarda tonelatat e ushqimit, që  mund ta shuajë urinë e mijëra njerëzve, por që vendet e industrializuara i hedhin në pleh, gjë që Papa e quan “shkandulluese”. Për të ftuar, në përfundim:

“Të ndihmohemi së bashku! Të luftojmë kundër hedhurinës e shpërdorimit! Të kërkojmë rrugëzgjidhje politike  progresive dhe të drejta, zhvillim për të gjithë, që asnjërit të mos i mungojë toka ku jeton; ajri i pastër që thith; uji që ka të drejtë ta pijë  e ushqimi, që ka të drejtë ta hajë”.

12 shtator 2020, 15:40