Papa: Zoja e Dhimbshme na ndihmon të kundrojmë Jezusin
R.SH. - Vatikan
Sot, në të kremten e Zojës së Dhimbshme, Papa Françesku shkruan në Twitter:
“Zoja e Dhimbshme, që derdhi lot me zemrën e shporuar nga vdekja e Jezusit, tani ka mëshirë për vuajtjen e të varfërve të kryqëzuar dhe të krijesave të kësaj bote, shfarosur nga pushteti njerwzor. #SeasonOfCreation
Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot, na fton të jetojmë përsëri momentin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve të të Birit e rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e saj merr mbi kalvar përmasën universale. Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm që merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare.
Kur të krishterët e të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve i drejtohen Marisë, ata udhëhiqen nga bindja spontane që Jezusi nuk mund t’i refuzoi kërkesat dhe lutjet që i paraqiten nga Nëna e tij, dhe mbështetën në besimin e patundur se Maria në të njëjtën kohë është edhe Nëna jonë – një Nënë që ka përjetuar vuajtjen më të madhe se gjitha vuajtjet tjera, që i percepton bashkë me ne të gjitha vështirësitë tona dhe në mënyrë amnore mendon e përkujdeset për kapërcimin e tyre. Sa e sa njerëz gjatë shekujsh kanë shtegtuar tek Virgjëra Mari për të gjetur para figurës së Zojës së Dhimbshme ngushëllim e mbështetje.
Kështu, liturgjia e Kishës pasi tregoi Kryqin e Lumnueshëm të Jezus Krishtit, dje më 14 shtator, sot na fton të shikojmë edhe Nënën e Tij, të butë e të përvujtë. Këtë theksoi Papa, gjatë Meshës së 15 shtatorit të vitit 2014, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, ditën kur Kisha katolike përkujton Zojën e Dhimbshme.
Liturgjia, pohoi Françesku, pasi tregon Kryqin e Lumnueshëm të Krishtit, na fton të shikojmë edhe Nënën e Tij, të butë e të përvujtë. Në Letrën drejtuar Hebrenjve nënvizohen tri fjalë të forta. Thuhet se Jezusi “mësoi, dëgjoi, pësoi”. Është e kundërta e asaj, që i ndodhi atit tonë, Adamit. Ai nuk deshi ta nxërë mësimin, që i urdhëroi Hyji, nuk deshi të pësonte e as të bindej. Ndërsa Jezusi, edhe pse ishte Zot, u poshtërua, e uli veten duke u bërë shërbëtor. Kjo është lavdia e Kryqit të Krishtit: “Jezusi erdhi në botë, për të mësuar të ishte njeri, për të qenë njeri, duke ecur me njerëzit. Erdhi në botë për t’u bindur, e u bind. Por bindjen e mësoi nga vuajtja. Adami doli nga Parajsa me një premtim, që shkoi përpara në shekuj. Sot, me këtë bindje, me këtë vetasgjësim, me këtë poshtërim të Jezusit, premtimi u bë shpresë. E populli i Hyjit ecën me shpresë të sigurt. Edhe Nëna, ‘Eva e re’ , si e quan vetë Pali, mori pjesë në udhën e Birit: mësoi, vuajti e dëgjoi. E u bë Nënë!”.
Ungjilli na e paraqet Marinë tek këmbët e Kryqit. E Jezusi i thotë Gjonit; “Ja, Nëna jote!”. Maria, pohoi Papa, është Nënë: “E kjo është edhe shpresa jonë. Ne nuk jemi jetimë, kemi Nëna: Nënën Mari. Por edhe Kisha është Nënë e edhe Kisha vajohet Nënë, kur bën të njëjtën udhë, që bënë Jezusi e Maria: udhën e bindjes, udhën e vuajtjes, e kur mëson vazhdimisht të ecë në gjurmët e Zotit. Këto dy gra - Maria e Kisha – e çojnë përpara shpresën e Krishtit, na japin Krishtin, e lindin Krishtin në shpirtin tonë. Pa Marinë nuk do të ishte Jezu Krishti; pa Kishën, nuk mund të shkojmë përpara”.
Dy gra e dy Nëna, vijoi Papa Bergoglio gjatë Meshës së mëngjesit të 15 shtatorit të vitit 2014, e pranë tyre, shpirti ynë që, siç thoshte murgu Isak, abati i Stelës, është “femëror”, i ngjet Marisë e Kishës: “Sot, duke e parë pranë Kryqit këtë grua, tejet të vendosur për ta ndjekur të Birin në vuajtje, për të mësuar bindjen, duke e parë, pra, shikojmë Kishën e shikojmë Nënën tonë. Shikojmë edhe shpirtin tonë të vogël, që nuk do të humbasë kurrë, nëse do të vijojë të jetë edhe grua, pranë këtyre dy grave të mëdha, që na shoqërojnë në jetë; Maria e Kisha. E ashtu si etërit tanë dolën nga Parajsa me një premtim, sot ne mund të shkojmë përpara me një shpresë; shpresën që na e jep Nëna jonë Maria, e ngulur tek Këmbët e Kryqit, e Nëna jonë, Kisha hierarkike”.
Në Meshën e 15 shtatorit 2017, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, Papa Françesku na ftonte të kundronim Zojën e Dhimbshme, në këmbët e kryqit, në ditën e solemnitetit të saj liturgjik: “Të kundrojmë Nënën e Jezusit, ta kundrojmë këtë shenjë kontradiktore, sepse Jezusi është fitimtar, por mbi Kryq, mbi Kryq. Është kontradiktë kjo, nuk kuptohet… Duhet fe për ta kuptuar, së paku, për t’iu afruar këtij misteri”.
Shën Maria, kujtoi Papa, e dinte dhe “jetoi me shpirtin të shporuar”. Ndiqte Jezusin dhe dëgjonte komentet e njerëzve, herë në favor e herë kundër Tij, por rrinte gjithnjë pas të Birit. Prandaj themi se ajo “është dishepullja e parë” e Krishtit, nënvizoi Ati i Shenjtë në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, e dyta pas pushimeve verore. Maria e mbante në zemër këtë “shenjë kontradikte”. E së fundi, i takoi të qëndrojë në heshtje, tek këmbët e Kryqit. Ndoshta, vërejti Papa Françesku, komentet e njerëzve e përvijonin si nënën e njërit prej tre keqbërësve, por ajo mbeti aty, pa u fshehur, për të Birin: “Këto që po them tani janë pak fjalë për të ndihmuar në kundrimin e heshtur të këtij misteri. Në atë çast, Ajo na lindi të gjithëve: lindi Kishën. ‘Grua’ – i thotë i Biri – ‘ja bijtë e tu’. Nuk i thotë ‘nënë’, i thotë ‘grua’. Grua e fortë, e guximshme; grua, që ishte aty për të thënë: ‘Ky është im Bir: nuk e mohoj’”. Prandaj, përfundoi Papa Françesku, nuk duhet reflektuar për Ungjillin e sotëm; ai duhet kundruar. “Shpirti Shenjt i tregoftë secilit prej nesh për çfarë kemi nevojë”, u lut Ati i Shenjtë Bergoglio.