Kërko

versione-2.jpg

Toka e së Ardhmes: Papa bisedon mbi ekologjinë e gjithanshme me themeluesin e “Slow food”

Në takimet me gastronomin shkrimtar, Papa Françesku tregon për “kthesën e tij ekologjike”: nga keqkuptimi me ipeshkvijtë brazilianë, që mbronin Amazonën në Aparecida, më 2007, e deri në përgatitjen e enciklikës “Laudato sì”. Duhen ndryshuar shpejt paradigmat, shpjegon në bisedën e kthyer në libër, “nëse duam të kemi të ardhme”.

R.SH. - Vatikan

Një Papë, si Françesku, që kur ishte kardinal nuk e kuptonte “forcën, me të cilën ipeshkvijtë brazilianë flisnin për problemet e mëdha të Amazonës” në konferencën e Aparecida-s, as çfarë kishte të bënte me rolin e tij si ipeshkëv “shëndeti i mushkërive të gjelbërta të botës”. Nga ana tjetër, një agnostik, ish-komunist dhe gastronom, si Carlo Petrini, themelues i “Slow food”. Të dy, me rrënjë të përbashkëta piemonteze. Nga takimi i tyre, del nesër (9 shtator) në librari, vëllimi “Toka e së Ardhmes. Dialog me Papën Françesku mbi ekologjinë e gjithanshme”, libër, që Petrini, i cili është edhe promovues i rrjetit ndërkombëtar ekologjik “Terra Madre” (Toka Nënë), e boton bashkë me “Giunti-Slow Food Editore”. Papa, sot 83-vjeçar, me baba dhe gjysh nga ana e nënës prej Astit, dhe gastronomi e shkrimtari 71-vjeçar nga zona e Cuneo-s dhe e Bra-së, mik i ipeshkvit të Rietit, imzot Domenico Pompili - me të cilin krijoi Bashkësitë “Laudato sì”, për zbatimin e enciklikës së Françeskut - u takuan për herë të parë pikërisht në praninë e imzot Pompilit, që tani, shkruan parathënien e librit.

Enciklika "Laudato sì"

Në vitin 2015, Papa Françesku i drejtoi botës - të gjithëve e jo vetëm katolikëve - një nxitje me vlera të mëdha shpirtërore, etike dhe politike, enciklikën “Laudato sì”. Ajo ishte dhe mbetet një “reflektim, i gëzueshëm dhe dramatik njëkohësisht” mbi degradimin serioz të ambientit në planetin tonë, mbi shpërdorimin e burimeve natyrore dhe njerëzore nga sisteme shkandulluese ekonomike dhe politike, të padrejta dhe të papërgjegjshme. Në të njëjtën kohë, enciklika është edhe një ftesë françeskane për t’u “rilidhur” me të gjitha gjallesat e me Tokën, ku banojmë të gjithë.

Në përkim me mesazhin e “ekologjisë së gjithanshme” të Papës Bergoglio, themeluesi i shoqatës “Slow Food”, Carlo Petrini, shkroi Udhëzuesin për mënyrën si duhej lexuar enciklika “Laudato sì”, botuar nga “Edizioni San Paolo”. Kujtojmë se “Slow Food”, lindur në Itali e kthyer në lëvizje ndërkombëtare, synon përhapjen e kulturës së shfrytëzimit me mend të natyrës, që pasqyrohet edhe në tryezën e bukës. Carlo Petrini pati edhe takime të mëtejshme me Papën Françesku, me të cilin ka të përbashkët impenjimin global për të “kultivuar dhe ruajtur” pasuritë njerëzore dhe tokësore, duke vazhduar, me pragmatizëm revolucionar, rrugën drejt një jete në harmoni me vetveten, me bashkësinë ku secilin bën pjesë dhe me natyrën. Petrini, madje, ndoqi edhe Sinodin Panamazonik.

Libri "Toka e së ardhmes"

Libri “Toka e së ardhmes. Dialog me Papën Françesku për një ekologji të gjithanshme” përfaqëson një hap tjetër rrënjësor drejt kësaj mendësie ekologjike dhe hapet me tri biseda ndërmjet Papës Françesku dhe Carlo Petrini-t. Në atmosferën miqësore dhe të sinqertë të tre takimeve, bien në sy pikpamjet e përbashkëta, vetëdija për gjendjen e rëndë globale, por edhe besimi në impenjimin e përditshëm individual e komunitar, sepse, siç pohon Papa Françesku, ekologjia nuk arrihet pa drejtësi, nuk mund të kujdesemi për ambientin, nëse marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dëmtohen nga çekuilibrimet e ekzagjeruara ekonomike dhe kulturore. Një libër, që ka në qendër fjalë si: bashkësi, edukim, migrantë, ekonomi dhe biolarmi.

Qendra ekologjike në Amatrice

Kush e blen librin, i cili kushton 16 euro, bën edhe një vepër të mirë. Në Amatrice të Italisë, tokë e prekur disa herë nga tërmeti, bashkësitë “Laudato sì” kanë propozuar të krijojnë një qendër ndërkombëtare studimi kushtuar ekologjisë së gjithanshme. Do të quhet “Shtëpia e së Ardhmes – Qendra e Studimeve ‘Laudato sì’”. Të ardhurat nga shitja e librit do të shkojnë për të rindërtuar një shtëpi të dëmtuar nga tërmeti, që do të  kthehet në seli për Qendrën, ku të rinjtë dhe të rriturit mund të reflektojnë së bashku, të ndjekin kurse formimi e të marrin pjesë në ngjarje edukative.

08 shtator 2020, 13:35