2020.09.16 TEMPO DEL CREATO SPA 2020.09.16 TEMPO DEL CREATO SPA 

Papa: familja mbarё njerëzore dhe mbrojtja shtëpisë sё përbashkët

Papa: Vazhdojmë të rritemi në ndёrgjegjshmёri se të gjithë jetojmë në një shtëpi të përbashkët si anëtarë të së njëjtës familje!

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë të rritemi në ndёrgjegjshmёri se të gjithë jetojmë në një shtëpi të përbashkët si anëtarë të së njëjtës familje!#KohaeKrijimit”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё tweetin e parё tё 2 tetorit 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Sfida urgjente e mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët përfshin shqetësimin për të bashkuar të gjithë familjen njerëzore në kërkimin e njё zhvillimi të qëndrueshëm dhe integral, pasi qё e dimë se gjërat mund të ndryshojnë. #KohaeKrijimit”. Kёto fjalёt e Papёs Françesku nё tweetin e dytё tё sotёm, 2 tetor 2020, botuar gjithnjё nё faqen e internetit @Pontifex.

Ta jetosh thirrjen për të qenë rojtar i veprës së Zotit, konsiderohet pjesë themelore e jetës së çdo të krishteri, që është i thirrur të bëjë kthesë të mirëfilltë ekologjike. Prandaj, Papa na nxit tё bёjmё një kthesë ekologjike të gjithanshme në shërbim të mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët. Pikёrisht  pёr kёtё qёllim, kujtojmë, Papa Françesku themeloi, mё 2015, Ditën Botërore të lutjes për kujdesin e Krijimit, e cila kremtohet më 1 shtator të çdo viti, në të njëjtën ditë, kur kremtohet edhe nga Kisha Ortodokse.

Ekologjia njerëzore nё mbrojtje tё natyrёs

Kujdesi ndaj Krijimit, kthesa ekologjike e gjithanshme në shërbim të mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët, janё tema të dashura për  Papёn Françesku, të trajtuara më se një herë në fjalimet e tij dhe në audiencën e përgjithshme, ku thekson me forcë se “bota po jeton një çast krize, sepse kur e shikojmë degradimin e ambientit, ne shikojmё edhe e sidomos njeriun. Jo vetёm natyra por edhe njeriu është në rrezik. E qartë, njeriu është në rrezik e kjo është urgjenca e ekologjisë njerëzore!”. Kriza ekologjike nuk është sipërfaqësore, por tejet e thellë, nuk është thjesht çështje natyre dhe ekonomie, por etike e antropologjike.

Jeta  nuk mbrohet

Sot, vëren Papa, sundojnë zhvillimet e një ekonomie e të një finance, në të cilat mungon etika, sepse nuk komandon më njeriu, por paraja. E pra Zoti na caktoi detyrën të kujdesemi për tokën, e jo për paratë, të kujdesemi për ne, burra e gra, që flijohen në elterin e idhujve të fitimit e të konsumit, nga kultura e hedhurinës, e përjashtimit: “Jeta njerëzore, njeriu, nuk shikohen më si vlera të dorës së parë, që duhen respektuar e mbrojtur, posaçërisht nëse njerëzit  janë të varfër a të gjymtë,  nëse nuk vijojnë t’i shërbejnë parasë, nëse janë ende në ag a në perëndim të jetës”.

Dialog për ardhmërinë e Planetit

Atëherë Papa  Françesku i fton të gjithë ta marrin shumë seriozisht angazhimin për ta respektuar Gjithësinë, duke punuar për kulturën e solidaritetit e të takimit. Këtij koncepti Françesku i rikthehet në Enciklikën ‘Lëvduar qofsh’, nё tё cilёn Ati i Shenjtё  pohon se mbrojtja e shtëpisë sonë të përbashkët nuk lidhet vetëm me ambientin, por përfshin ekologjinë e gjithanshme, shqetësimin për drejtësinë,  kujdesin për të varfërit, impenjimin në shoqëri si dhe gëzimin e  paqen e shpirtit.

Ta bashkojmë mbarë familjen njerëzore në kërkim të një zhvillimi të qëndrueshëm e të gjithanshëm, përmes dialogut mbi mënyrën e ndërtimit të ardhmërisë së planetit e, sidomos, me sigurinë se gjërat mund të ndryshojnë, pohon Papa e shton: “Krijuesi, nuk bën hapa mbrapa në planit e Tij të dashurisë, nuk pendohet që na krijoi. E pikërisht për pranimin e stileve koherente të jetës e shpalli Papa Ditën për kujdesin e Krijimit”.

Në mbarë botën, kujtoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së përgjithshme të javës së kaluar, realitete të ndryshme kishtare vendase kanë programuar nismat e tyre të lutjes e të reflektimit, për ta bërë këtë ditë çast të fuqishëm edhe në përpjekjen e zgjedhjes së stileve të jetesës, në përkim me temën e Ditës. Si tё krishterë, shton Papa Bergolgio “dëshirojmë të japim kontributin tonë për kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi”.

Kur e keqtrajtojmë tokën, keqtrajtojmë edhe të varfërit

Kur e keqtrajtojmë natyrën - pohon Papa – e keqtrajtojmë edhe njeriun. Françesku pohon se aktet e shkatërrimit të shtëpisë sonë të përbashkët, janë mëkate kundër Zotit e kundër vetvetes. Prej këndej, ftesa e Françeskut për t’i pranuar mëkatet tona kundër Krijimit, sepse vetëm kështu mund të bëjmë hapa konkrete në udhën e kthesës ekologjike, që kërkon të jemi të vetëdijshëm ndaj përgjegjësive tona. Rrëmim të ndërgjegjes e pendim, kërkon Papa e kujton se edhe në Vitin Jubilar 2000, Shën Gjon Pali II i pati ftuar katolikët t’i pranojnë fajet e mëkatet e shumta, që bënë në rrjedhë të historisë. Ftesë që, pohon Françesku, vlen edhe për këtë Jubile të Mëshirës. Duhet të pendohemi – pohon - për dëmin, të cilin vijojmë t’ia bëjmë Tokës sonë.

Një vepër e re mëshire

Françesku e propzon “kujdesin për shtëpinë e përbashkët” parë si “vepër e re mëshire”, për t’iu shtuar dy listave tradicionale të shtatë veprave të mëshirës. Si vepër mëshire shpirtërore – shpjegon - kujdesi për shtëpinë e përbashkët kërkon “kundrimin plot me mirënjohje të botës”, ndërsa si vepër mëshire trupore, “gjeste të përditshme, me të cilat i kundërvihemi logjikës së dhunës, të shfrytëzimit, të egoizmit”. Duke parë aktualitetin ndërkombëtar, Papa kërkon të ndërrohet rruga, të hiqet dorë nga mosbesimi, sipas të cilit, gjestet tona janë tepër të vogla për ta përmirësuar botën”.

02 tetor 2020, 10:17