Françesku: “shpëto vetveten” nuk është Ungjilli i dashurisë
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku mori sot pjesë në Takimin e 34-të ndërkombëtar të Bashkësisë së Shën Egjidit, në frymën e Asizit, i cili, këtë vit, për shkak të pandemisë, u mbajt në Romë, në kodrën e Kapitolit, gjatë gjithë pasdites. Me titull “Askush nuk shpëton i vetëm. Paqja dhe Vëllazërimi”, ngjarja pati dy çaste kryesore: në orën 16.00, lutjet e përfaqësuesve të feve të ndryshme, në vende të ndryshme të Romës, ndërsa në orën 17.15, ceremonia e përbashkët në Piazza del Campidoglio (sheshi para bashkisë), në praninë e presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Takimi përfundoi me nënshkrimin e një thirrjeje të përbashkët për paqen në botë.
Takimi ekumenik në Bazilikën e Shën Marisë në Ara Coeli
Papa Françesku mori pjesë fillimisht në lutjen ekumenike në Bazilikën e Shën Marisë në Ara Coeli, pranë bashkisë së Romës, ku përveç katolikëve u mblodhën edhe ortodoksët, ungjillorët dhe të krishterë të traditave të tjera. “Është dhuratë të lutemi së bashku”, u tha Ati i Shenjtë, gjatë homelisë së mbajtur me këtë rast. Pastaj, komentoi pjesën ungjillore, që u lexua gjatë takimit, ku tregohet se pak para se të jepte shpirt në kryq, njerëzit i kërkonin Jezu Krishtit: “Shpëto vetveten!” (Mk 15,30). Ky tundim për të shpëtuar veten, ose grupin, të cilit i përkasim, pa pyetur për tjetër, “është sfida e fundit ndaj Zotit të kryqëzuar”, pohoi Papa.
“Shpëto vetveten”
Rreth këtij qëndrimi u shtjellua gjithë homelia e Atit të Shenjtë. Fillimisht, e hodhi vështrimin mbi ata, që kalonin pranë të kryqëzuarit dhe donin të shihnin prej tij një mrekulli, pa ndierë aspak mëshirë për të. Dëshironin “një Zot spektakolar”, madhështor, gati të magjishëm, në vend që të mendonin pse po kryqëzohej e të ulnin kryet para tij. Duam, tha Papa Françesku, që Zoti të bëjë si themi ne e jo ne si thotë Zoti. Kështu, vëmë në qendër veten, kultin e individit, duke u bërë gjithnjë e më indiferentë ndaj tjetrit.
“Ungjilli” i “shpëto vetveten” nuk është Ungjilli i shëlbimit
E pastaj, vijnë kryemeshtarët e skribët, që e përqeshin Jezu Krishtin, duke i thënë: “Ky ka shpëtuar të tjerët e s’është në gjendje të shpëtojë veten!” Është si t’i thoshin se s’ia vlen të shqetësohesh për të tjerët, kur po humbet vetveten. “Por – theksoi Ati i Shenjtë – ‘ungjilli’ i ‘shpëto vetveten’ nuk është Ungjilli i shëlbimit. Është ungjilli apokrif më i rremë, që i ngarkon me kryqe të tjerët. Ndërsa, Ungjilli i vërtetë ngarkohet me kryqet e të tjerëve”.
Ta zhvendosim vëmendjen nga vetvetja tek të tjerët
Së fundi, Papa komentoi sjelljen e të kryqëzuarve bashkë me Jezusin. I kërkojnë Birit të Zotit të shpëtojë veten dhe ata. “Por Zoti – vërejti Françesku – nuk vjen aq për të na liruar nga problemet, të cilat ekzistojnë gjithmonë, por për të na shpëtuar nga problemi i vërtetë, që është mungesa e dashurisë… Të mendosh vetëm për vete është babai i të gjitha të këqijave”. E kujtoi se hajduti i mirë, për të cilin flet Ungjilli, shkon në Parriz bashkë me Krishtin, duke bërë një gjë të vetme: “duke e zhvendosur vëmendjen nga vetvetja tek Jezusi, nga vetvetja tek Ai, që kishte pranë”.
Vetëm dashuria
Zoti, shpjegoi Papa së fundi, lejoi të kryqëzohet Biri i tij më i dashur, në mënyrë që nga kryqi i tij të lindte falja, vëllazërimi. “Sepse vetëm dashuria e shuan urrejtjen, – ngriti zërin Ati i Shenjtë – vetëm dashuria e mund deri në fund padrejtësinë. Vetëm dashuria i bën vend tjetrit. Vetëm dashuria është rruga për bashkimin e plotë ndërmjet nesh”. “Tjetri – përfundoi homelinë Papa Françesku – është udha për të shpëtuar edhe veten: çdo njeri tjetër, çdo qënie njerëzore, cilado qoftë historia apo feja e tij. Duke filluar nga më të varfërit, më të ngjashmit me Jezu Krishtin”.