Inkurajimi i Papës për kardinalin Bassetti, “shenjë e dhembshurisë së Zotit”
R.SH. - Vatikan
“Guxim, guxim, guxim”. Papa Françesku e përsëriti tri herë inkurajimin e atit për bijtë e vet, që vuajnë nga Covid-19, pardje gjatë një telefonate me ipeshkvin ndihmës të kryedioqezës së Perugia-Città della Pieve, imzot Marco Salvi, për të pyetur mbi shëndetin e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinalit Gualtiero Bassetti, i shtruar në spital, me koronavirus, në gjendje kritike. Edhe vetë imzot Salvi është pozitiv, asimptomatik e në karantinë. Brenda një jave, dy meshtarë kanë humbur jetën, për shkak të Covid-19. Të dëgjojmë ç’tha Papa në telefonatë, nga goja e vetë imzot Marco Salvit:
Pak para orës 19.00, pardje, mbërriti kjo telefonatë e papritur nga një numër privat. Personi në anën tjetër të telefonit u paraqit si Papa Françesku. Para së gjithash, më pyeti si isha, sepse e dinte që edhe unë jam me koronavirus. Më pas, më kërkoi më shumë informacion lidhur me buletinin mjekësor të kardinalit Bassetti. Dëgjoi jo vetëm diagnozën, por edhe përshtypjet që patëm, pasi foli me primarin e repartit të terapisë intensive në spitalin e Perugia-s. I thashë se kardinali po reagon pozitivisht ndaj disa terapive, megjithëse mjekët nuk u prononcuan shumë, sepse presin konsolidimin e këtij përmirësimi progresiv, të lehtë, të vogël, por që, gjithsesi, e ndryshoi pak perceptimin për rrjedhën e sëmundjes së kardinalit. Papa më kërkoi t’i çoja një mesazh kardinalit e më tha tri herë: ‘Guxim, guxim, guxim!’. E më kërkoi t’ia them. Njëkohësisht siguroi se do të lutet e falënderoi personelin, që po kujdeset për kardinalin.
Një inkurajim ky, në një çast sprove për gjithë territorin tuaj...
Dioqeza jonë është tejet e sprovuar, por është përfshirë nga lutja e shumë njerëzve, prandaj, edhe sëmundja e kardinalit është dëshmi e ftesë për t’ia besuar edhe më shumë veten Atij, që është E Mira e jetës. Pra, nga njëra anë, sprovë e lodhshme, e dhimbshme, nga ana tjetër, shenjë hiri.
Veçanërisht, në këtë çast, Kisha po jep prova të afërsisë me njerëzit e meshtarët po japin edhe jetën...
Po, ne humbëm dy meshtarë brenda një jave. Ishin dy të moshuar, por e përjetuan personalisht këtë lloj sprove.
Ju, duke qenë pozitiv pa simptoma, mbartni edhe frikën, ankthet, që po përjetojnë shumë njerëz në gjithë botën. Por patët hirin të dëgjoni zërin e Papës, një afërsi e veçantë, kjo...
E ndjen në shpirt këtë vëmendje. Sepse Zoti, edhe në këto çaste, nuk na lë vetëm. Figura e Papës është vëmendja e Zotit ndaj nesh. Kjo telefonatë ishte dëshmi se ekziston një Zot, i cili ka dhembshuri për secilin prej nesh e Papa është mjeti i Tij.