Kërko

Mesazhi i Papës për Paqen: paratë e armëve, në një fond kundër urisë

U bë i njohur sot Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 54-t Botërore të Paqes, që kremtohet më 1 janar 2021 me temën “Kultura e kujdesit si udhë drejt paqes”

R.SH. - Vatikan

Kultura e kujdesit kundër kulturës së indiferencës, të refuzimit dhe të konfliktit, që sot, është mjaft e përhapur. Ky është qëllimi i Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 54-t Botërore të Paqes, që kremtohet më 1 janar 2021 me temën “Kultura e kujdesit si udhë drejt paqes”.

Natyrisht, Mesazhi merr parasysh gjendjen e krijuar këtë vit nga pandemia e koronavirusit. Covid-19 dhe të gjitha pasojat e kësaj sëmundjeje, sipas Atit të Shenjtë po “na mësojnë rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin dhe për gjithë krijimin e Zotit, që të ndërtohet një shoqëri e bazuar në marrëdhëniet e vëllazërimit”.

Zoti Krijues, zanafillë e thirrjes së njeriut për t’u kujdesur

“Shkrimi Shenjt e paraqet Zotin, përveçse si Krijues, edhe si Atë që kujdeset për krijesat e tij, veçanërisht për Adamin, Evën dhe bijtë e tyre. Kujdesi për krijimin është baza e institucionit të Shabbat-it, i cili, përveçse rregullonte kultin hyjnor, synonte stabilizimin e rendit shoqëror dhe vëmendjen ndaj të varfërve. E denjë për t’u përmendur është edhe tradita profetike, ku maja e kuptimit biblik të drejtësisë arrihet përmes mënyrës me të cilën një bashkësi e caktuar trajton më të brishtët në gjirin e vet”, vëren Papa në Mesazh.

Kultura e kujdesit në jetën e ndjekësve të Krishtit

“Veprat e mëshirës, shpirtërore a trupore, përbëjnë bërthamën e shërbimit të bamirësisë në Kishën e hershme”, vijon Françesku. Kujdesin për të tjerët, Papa e sheh si promovim të dinjitetit dhe të të drejtave të njeriut. “Planet dhe përpjekjet tona – shkruan Ati i Shenjtë - duhet të marrin gjithmonë parasysh ndikimin, që kanë në të gjithë familjen njerëzore, duke peshuar pasojat për kohën e tashme dhe për brezat e ardhshëm. Sa e vërtetë dhe aktuale është kjo, na e dëshmon pandemia e Covid-19, para së cilës e kuptuam se jemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm dhe të nevojshëm, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku, sepse askush nuk shpëton i vetëm dhe asnjë shtet i izoluar nuk mund t’ia sigurojë të mirën e përbashkët popullsisë së vet”, theksohet në Mesazhin e 54-t për Paqen.

Kujdesi përmes solidaritetit. Roli i grave

 “Solidariteti na ndihmon ta shohim tjetrin - qoftë person, qoftë, në një kuptim më të gjerë, popull apo komb - jo si statistikë, ose si mjet për t’u shfrytëzuar e më pas, për t’u hedhur kur nuk është më i dobishëm, por si i afërmi ynë, shok rruge, i thirrur për të marrë pjesë, njëlloj si ne, në banketin e jetës, në të cilin të gjithë janë të ftuar barabar nga Zoti”, thekson Papa, duke vënë në pah një pikë tjetër themelore të Mesazhit, që ka të bëjë me solidaritetin. E vërtet, nuk vonon thirrja e Atit të Shenjtë: “Në një kohë të mbizotëruar nga kultura e hedhurinave, përballë shtimit të pabarazive brenda dhe ndërmjet kombeve, dua të ftoj përgjegjësit e organizatave ndërkombëtare dhe të qeverive, ata të botës ekonomike dhe shkencore, të komunikimit shoqëror dhe të institucioneve edukative të marrin në dorë busullën e parimeve, për t’i dhënë një drejtim të përbashkët procesit të globalizimit, një drejtim vërtet njerëzor. Përmes kësaj busulle, i inkurajoj të gjithë të bëhen profetë dhe dëshmitarë të kulturës së kujdesit, për t’u dhënë fund sa e sa pabarazive shoqërore. Kjo do të jetë e mundur vetëm me një protagonizëm të fuqishëm dhe të përhapur të grave, në familje dhe në çdo sferë shoqërore, politike dhe institucionale”.

Nevoja e një procesi të ri edukativ

Promovimi i kulturës së kujdesit kërkon një proces të ri edukativ e, për Papën Françesku, busulla e parimeve shoqërore është, në këtë drejtim, “një mjet i besueshëm për kontekste të ndryshme e të ndërlidhura”. “Edukimi që të kujdesemi për të tjerët bëhet në familje, bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë, ku mësojmë të jetojmë në marrëdhënie dhe në respekt të ndërsjellë. Megjithatë, familja ka nevojë për kushte që të jetë në gjendje ta përmbushë këtë detyrë jetësore dhe të domosdoshme”, shpjegon Ati i Shenjtë në Mesazh.

“Fetë në përgjithësi dhe udhëheqësit fetarë në veçanti, mund të luajnë një rol të pazëvendësueshëm për t’u transmetuar besimtarëve dhe shoqërisë vlerat e solidaritetit, të respektit për dallimet, vlerën e mikpritjes dhe të kujdesit për vëllezërit më të brishtë”. Këta, sipas Papës, janë protagonistë të tjerë të rëndësishëm në rolin, që duhet të luajë kultura e kujdesit për paqen.

Konferenca e shtypit

“Promovimi i kujdesit është pikërisht promovimi i gjithanshëm i njeriut, misioni i Dikasterit tonë - komenton kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, prefekt i Dikasterit vatikanas për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, i cili foli në konferencën për shtyp, gjatë së cilës u paraqit sot Mesazhi për Paqen 2021. – Kultura e kujdesit është busulla për një rrugë të përbashkët në procesin e globalizimit: ajo përmban parimet për humanizimin e sistemeve dhe të institucioneve shoqërore, politike dhe ekonomike”.

17 dhjetor 2020, 11:41