Papa për Kurien: jemi shërbëtorë të padobishëm për udhë, “jo” konflikteve
R.SH. - Vatikan
Fjala e Papës me rastin e urimeve të Krishtlindjes për Kurien Romake, të cilën e takoi sot paradite në Vatikan, ishte reflektim mbi krizën, që po përjeton bota: “Kjo – u tha kardinajve Ati i Shenjtë - është Krishtlindja e pandemisë, e krizës shëndetësore, ekonomike, shoqërore e, madje, edhe kishtare, që goditi verbërisht botën në tërësi”. E megjithatë, kjo krizë, është “një mundësi e shkëlqyer për të bërë kthesë” të vërtetë e për të “ringjallur aspiratën mbarëbotërore drejt vëllazërimit”.
Kriza që nga kohët biblike
Papa Françesku përmendi krizat, që kalojnë në jetën e tyre, disa figura biblike: Abrahami, Moisiu, Elia, Gjon Pagëzuesi, Pali i Tarsit. “Por kriza, që na flet më shumë, është ajo e Jezusit”, nga tundimet në shkretëtirë tek Kopshti i Ullinjve në Gjetseman e deri tek “kriza në kryq”. Lëshimi i tij i plotë dhe i sigurt në duart e Atit Qiellor hap rrugën e Ringjalljes.
“Ky reflektim mbi krizën – nënvizoi Ati i Shenjtë - na paralajmëron kundër gjykimit të ngutur mbi Kishën, duke u bazuar vetëm në krizat e shkaktuara nga shkandullet e djeshme dhe të sotme”: analizat “pa shpresë” nuk janë të vërteta, sepse “Zoti vazhdon të hedhë farat e Mbretërisë së tij ndërmjet nesh”. Kështu, “në Kurie, ka shumë njerëz, që japin dëshmi me punën e tyre të përvuajtur, diskrete, të heshtur, besnike, profesionale, të ndershme” e ndërsa “problemet përfundojnë menjëherë nëpër gazeta”, “shenjat e shpresës bëhen lajm vetëm pas një kohe të gjatë e jo gjithmonë”.
Ta shohim krizën në dritën e Ungjillit
“Kush nuk e shikon krizën në dritën e Ungjillit, kufizohet në autopsinë e një kufome”, theksoi Papa Françesku, “por nëse e gjejmë sërish guximin dhe përvujtërinë për të thënë me zë të lartë se koha e krizës është kohë e Shpirtit Shenjt”, atëherë, edhe përballë përvojës së territ të natës, do ta ruajmë besimin se “gjërat po marrin një formë të re”.
Kriza nuk është konflikt
Njëkohësisht, Papa ftoi “të mos ngatërrohet kriza me konfliktin. Kriza në përgjithësi ka një rezultat pozitiv, ndërsa konflikti krijon gjithmonë një kontrast” ndërmjet subjekteve të ndarë “në miq për t’u dashur dhe në armiq për t’u luftuar”, duke formuar kështu, “grupe të mbyllura”, që e “varfërojnë universalitetin e misionit kishtar”.
“Kisha - shpjegoi Françesku – e parë me kategoritë e konfliktit, me të djathtë e të majtë, me progresistë e tradicionalistë” e tradhton natyrën e saj të vërtetë: “ajo është një Korp përherë në krizë pikërisht pse është e gjallë, por nuk duhet të bëhet kurrë një Korp në konflikt, me fitimtarë dhe të mundur. Në fakt, në këtë mënyrë, ajo do të përhapte frikë, do të bëhej më e ngurtë, më pak sinodale dhe do të impononte një logjikë uniforme dhe standardizuese, tejet larg nga pasuria dhe pluraliteti, që i ka dhuruar Shpirti Shenjt”. “Risia e një krize të dëshiruar nga Shpirti Shenjt nuk është kurrë në kundërshtim me të vjetrën, por është një risi, që lind nga e vjetra dhe e bën atë gjithnjë e më të frytshme, si kokrra e grurit, që vdes dhe prodhon shumë fryte”.
Ta lemë Shpirtin Shenjt të na udhëheqë në këtë kohë sprove
Papa Françesku i ftoi bashkëpunëtorët e tij në Kurien Romake ta lënë Shpirtin Shenjt t’i udhëheqë edhe në këtë kohë sprove: “Duke u mbrojtur nga kriza, ne pengojmë veprën e Hirit të Zotit”, pasi “gjithçka e keqe, kontradiktore, e dobët dhe e brishtë, që shfaqet hapur, na kujton edhe më fort nevojën që të vdesë një mënyrë e caktuar jetese, arsyetimi dhe veprimi, e cila nuk pasqyron Ungjillin. Vetëm nëse vdes një mendësi e caktuar, jemi në gjendje t’i bëjmë vend risisë, që Shpirti Shenjt dikon vazhdimisht në zemrën e Kishës”.
“Në çdo krizë - nënvizoi Papa – ka gjithmonë nevojë për përditësim”, por “nuk duhet ta mendojmë reformën e Kishës si arnë mbi një rrobe të vjetër, ose vetëm si hartim të një Kushtetute të re Apostolike” , sepse Kisha nuk është thjesht “veshje” e Krishtit, “por Korpi i tij, që përqafon gjithë historinë. Nuk jemi të thirrur ta ndryshojmë, ose ta reformojmë Korpin e Krishtit”, por “jemi të thirrur ta veshim të njëjtin Korp me një rrobë të re, në mënyrë që të duket qartë se Hiri ynë nuk vjen prej nesh, por prej Zotit”. Në fakt, “Kisha është gjithmonë një vazo prej argjile, e çmuar për atë që përmban dhe jo për atë, që tregon nganjëherë për veten”.
Gjëra të reja e të lashta nga thesari
Për të dalë nga kriza, kërkoi Papa, duhet vepruar si skribi, që u bë dishepull i Mbretërisë së Qiellit, “i cili nxjerr gjëra të reja e të lashta nga thesari i tij”. “Thesari është Tradita” e cila, siç kujtonte Benedikti XVI, “është lumi i gjallë, që na lidh me zanafillën” (Katekizmi, 26 prill 2006). “‘Gjërat e lashta’ përbëhen nga e vërteta dhe hiri, që zotëron Kisha. Gjërat e reja janë aspektet e ndryshme të së vërtetës, që kuptohen gradualisht. Asnjë mënyrë historike e përjetimit të Ungjillit nuk e shteron kuptimin e tij. Nëse e lëshojmë veten në dorë të Shpirtit Shenjt, çdo ditë do t’i afrohemi gjithnjë e më shumë “gjithë të vërtetës” (Gjn 16,13). Përkundrazi, pa hirin e Shpirtit Shenjt, mund edhe të mendohet Kisha në formë sinodale, por, në vend që të bazohet mbi bashkimin, do të konceptohet si çdo asamble demokratike e përbërë nga shumica e pakica. Vetëm prania e Shpirtit Shenjtë i ndryshon punët”.
Kohë hiri e kohë lutjeje
Për të kapërcyer krizën, theksoi Papa Françesku, duhet “ta pranojmë atë si kohë hiri, që na është dhënë për të kuptuar vullnetin e Zotit për secilin prej nesh dhe për të gjithë Kishën”, si kohë lutjeje, që do të na mundësojë të “shpresojmë kundër çdo shprese” (shih Rom 4,18).
Ati i Shenjtë i nxiti të gjithë me fjalët: “Të dashur vëllezër dhe motra, le ta ruajmë paqen dhe qetësinë, me vetëdijen e plotë se të gjithë ne, së pari unë vetë, jemi vetëm ‘shërbëtorë të padobishëm’ (Lk 17,10), ndaj të cilëve Zoti ka treguar mëshirë. Për këtë arsye, do të ishte mirë të reshtnim së jetuari në konflikt dhe të ndihmei sërish për udhë”.
T’ia besojmë veten Foshnjës Hyjnore
Papa e përsëriti ftesën për të shmangur thashethemet e kota, që e shndërrojnë çdo krizë në konflikt: “Ungjilli tregon se barinjtë besuan në lajmin e Engjëllit dhe u nisën për udhëtim drejt Jezusit (shih Lk 2,15-16). Nga ana tjetër, Herodi e mbylli zemrën para tregimit të Mbretërve Dijetarë dhe e shndërroi këtë mbyllje në gënjeshtër e dhunë (shih Mt 2,1-16). Secili prej nesh, çfarëdolloj vendi të zërë në Kishë, ta pyesë veten nëse dëshiron ta ndjekë Jezu Krishtin me bindjen e barinjve apo me vetëmbrojtjen e Herodit, ta ndjekë atë në krizë apo të mbrohet nga Ai në konflikt”.
Së fundi, një kërkesë e Papës për Kurien si dhuratë për Krishtlindje: “bashkëpunimi bujar dhe i apasionuar në kumtimin e Lajmit të Mirë, sidomos për të varfërit” në të cilët mund të shohim fytyrën e Zotit.