Kërko

Papa Françesku në Sheshin e Spanjës, Romë Papa Françesku në Sheshin e Spanjës, Romë

Papa, në agim, në Sheshin e Spanjës, ia beson Romën dhe botën Zojës së Papërlyer

Papa Françesku shkoi sot në mëngjes para shtatores mariane në qendër të kryeqytetit italian për një akt nderimi privat ndaj Virgjërës Shenjte. Para se të kthehej në Vatikan, kaloi edhe në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u lut para ikonës së shën Marisë “Salus Populi Romani” dhe kremtoi meshën në kapelën e Betlehemit

R.SH. - Vatikan

Është dita kur Kisha kremton Zënien pa mëkat të Zojës së Bekuar, Virgjërës Mari. Sapo u ndezën dritat e para të ditës së re, në mes të heshtjes së një qyteti me shi, në orën 7.00 të mëngjesit, Papa Françesku mbërriti në Sheshin e Spanjës, në qendër të Romës, për t’i bërë homazhe Zojës së Papërlyer. Tradita u respektua edhe kësaj radhe, pavarësisht se pa turmën e zakonshme, që e ndjek këtë kremtim. Për shkak të pandemisë, vizita e Atit të Shenjtë te Zoja, për të vendosur në bazën e shtyllës, nga maja e së cilës Nëna e Zotit sheh gjithë Romën e botën, një buqetë me trëndafila të bardhë, u bë privatisht, për të shmangur grumbullime njerëzish.

Papa nderon Zojën e Papërlyer
Papa nderon Zojën e Papërlyer

         Papa, njoftoi Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, ia besoi Zojës të gjithë ata, që në qytetin e Romës e në gjithë botën, vuajnë nga sëmundja e Covid-19 dhe nga shkurajimi. Pak para orës 7.15, Ati i Shenjtë u largua nga Sheshi i Spanjës për të shkuar në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u lut para ikonës së Zojës Salus Populi Romani dhe kremtoi meshën në kapelën e Betlehemit. Më pas, Françesku u kthye në Vatikan.

Papa në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe
Papa në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Shtatorja e Zojës së Papërlyer dhe Kryqi

         Në këtë Kohë të Ardhjes, akoma përzishëm nga koronavirusi, Papa deshi edhe një herë t’i përgjërohej Zojës për gjithë njerëzimin, në një shesh, që ngjante shumë me atë të Shën Pjetrit, më 27 marsin e këtij viti. Atë ditë, Ati i Shenjtë u lut në tremen e Bazilikës vatikanase, ndërsa Roma kishte mbetur “pa fjalë” e njerëzit ishin mbyllur nëpër shtëpi, e vetmja mënyrë për ta bllokuar virusin. “Sonte – pati thënë Françesku pranë ikonës së Zojës Salus Populi Romani, sjellë enkas në shesh, - dua t’ia besoj njerëzimin Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës, shëndet i popullit të saj, yll ndriçues në detin e stuhishëm. Nga ky kolonat, që përqafon Romën dhe botën, le të zbresë mbi ju bekimi i Zotit, si përqafim ngushëllues. O Zot, bekoje botën, jepu shëndet trupave dhe ngushëllim zemrave”.

Historia dhe devocioni i Papëve

         Historia e devocionit të Papës për Zojën pranë Sheshit të Spanjës fillon më 8 dhjetor 1857. Papa Piu IX përuron monumentin, që saktësisht ndodhet në sheshin Mignanelli, ngjitur me Sheshin e Spanjës. Gati një shekull më vonë, Papa Piu XII  fillon traditën e vendosjes së një kurore me lule në këmbët e Zojës së Papërlyer, çdo 8 dhjetor. Pasardhësi i tij, shën Gjoni XXIII doli për herë të parë nga Vatikani pikërisht më 8 dhjetorin e vitit 1958, duke i çuar shën Marisë trëndafila të bardhë. Pastaj, u ndal për një lutje në Bazilikën e Zojës së Madhe: një traditë, që vijon akoma sot. Dogma e Zojës së Papërlyer u shpall në vitin 1854 nga Papa Piu IX me bulën “Ineffabilis Deus”.

Photogallery

Papa Françesku në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer
08 dhjetor 2020, 10:39