Kërko

Një javë me Papën dhe me Kishën

Audienca e përgjithshme, vaksinimi i Françeskut dhe i Benediktit XVI, Mesazhi papnor për Ditën Botërore të të Sëmurëve, ndër ngjarjet kryesore të javës së kaluar.

R.SH. - Vatikan

Audienca e përgjithshme

Papa ia kushtoi audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, lutjes së lavdit, e cila është “oksigjen i pastër”, pohoi, dhe duhet thënë sidomos në “çastet e errëta”. “Në jetë ka gjithnjë çaste të errëta, natë shpirtërore”, sqaroi Ati i Shenjtë. Pikërisht atëherë, pavarësisht se mund të duket paradoksale, duhet ta lëvdojmë Zotin. Sepse kjo lutje t’i mbush mushkëritë me oksigjen të pastër, “ta pastron shpirtin, të bën të shohësh larg, të mos rrish si i burgosur në vështirësi, në këtë çast të errët të mundimeve”. Në audiencën e transmetuar në internet e në media të tjera nga biblioteka private e Pallatit Apostolik, Françesku nënvizoi edhe se e ardhmja e botës dhe shpresat e Kishës janë më të vegjlit.

Vaksinohen Françesku dhe Benedikti XVI

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë konfiromoi javën e kaluar se Papa Françesku dhe Papa i nderit, Benedikti XVI, u vaksinuan kundër Covid-19. Drejtori, Matteo Bruni, nënvizoi se ata kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Papa Françesku për të sëmurët: “askush të mos mbetet vetëm”

“Të lidhet një pakt ndërmjet atyre, që kanë nevojë për kujdes dhe atyre, që kujdesen për ta; një pakt i bazuar mbi besimin dhe respektin e ndërsjellë, mbi sinqeritetin e gatishmërinë, në mënyrë që të kapërcehet çdo barrierë, duke vënë në qendër dinjitetin e të sëmurit, duke mbrojtur profesionalitetin e punonjësve shëndetësorë dhe duke mbajtur marrëdhënie të mira me familjet e pacientëve”. Kjo është receta e Papës Françesku për botën shëndetësore, paraqitur javën e kaluar në Mesazhin për Ditën Botërore të të Sëmurëve, që do të kremtohet më 11 shkurt.

Humaniteti i një shoqërie, nënvizon Ati i Shenjtë matet me kujdesin për anëtarët e saj më të brishtë dhe më të vuajtur dhe me dashurinë vëllazërore, me të cilën e vë në jetë këtë përkujdesje. “Le të priremi drejt këtij horizonti – kërkon Papa – dhe të sigurohemi që askush të mos mbetet vetëm, që askush të mos ndihet i përjashtuar dhe i braktisur”.

E Diela e Fjalës së Zotit

Të dielën e ardhshme, më 24 janar, do të kremtohet “E Diela e Fjalës së Zotit”, ftesë për t’u thelluar në ç’i ka thënë Hyji botës në Besëlidhjen e Vjetër e të Re. Papa Françesku, me anë të Letrës Apostolike “Aperuit Illis”, e themeloi këtë Ditë, për t’u kremtuar në të dielën III të vitit liturgjik. “Marrëdhëniet ndërmjet Krishtit të Ringjallur, bashkësisë së besimtarëve dhe Shkrimit Shenjt janë jashtëzakonisht jetësore për identitetin tonë – shkruan Papa. – Pa Zotin, që na shërben si hyrje, është e pamundur të kuptohet thellësisht Shkrimi Shenjt, por është e vërtetë edhe e kundërta: pa Shkrimin Shenjt nuk mund t’i deshifrojmë ngjarjet e misionit të Jezusit dhe të Kishës së tij në botë”.

Brexit: Britania e Madhe po e kupton se vetëm jeton më keq

 “Ne britanikët duhet ta mendojmë veten si pjesë të një familjeje globale, sipas vizionit të Papës Françesku, i cili i do qytetarët e botës vëllezër e motra, që kujdesen për shtëpinë e përbashkët. Bashkimi Evropian është shprehje e këtij vizioni. Fatkeqësisht, me Brexit, Britania e Madhe është larguar nga kjo përpjekje për t’i kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe është mbyllur në vetvete”.

Pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila shënoi fazën përfundimtare të largimit britanik nga Evropa, ipeshkvi anglez John Arnold shprehet i zhgënjyer. Kreu i dioqezës së Salford-it, në veri të Anglisë, është edhe zëdhënës i Konferencës së Ipeshkvijve të Anglisë dhe Uellsit për marrëdhëniet ndërkombëtare. “Evropa – deklaron ai - duhet të bashkohet në unitet ndërmjet 28 kombeve për t’i përballuar sfidat e rëndësishme globale si mbrojtja e mjedisit, mikpritja e migrantëve dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. “Kemi sukses vetëm kur punojmë së bashku”, thekson ai.

Impeachment për Trump: “askush nuk është mbi ligjin”

Kaloi më se një javë nga sulmi i përkrahësve të ish-presidentit amerikan Donald Trump kundër Capitol Hill. Ata plaçkitën zyrat dhe goditën një polic, që vdiq menjëherë, së bashku me një grua kaliforniane, të cilën e qëlluan forcat e rendit, si edhe me 3 të tjerë, që ndërruan jetë në spital. Pas atij sulmi ndaj simbolit të shenjtë të politikës amerikane, me shumicë votash, Dhoma e Deputetëve vendosi të fillojë procedurën e impeachment, të fajësimit të ish-presidentit, pavarësisht se presidenti i ri Joe Biden do të marrë detyrën vetëm pak ditë pas këtij vendimi, më 20 janar. Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara, komentuan shumë analistë ndërkombëtarë.

17 janar 2021, 08:45