Kërko

Papa: vëllazërimi është ilaçi i vërtetë për krizën dhe ndarjet e sotme

Në audiencën me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, Papa Françesku u ndal mbi shëndetin, pasojat ekonomike dhe shoqërore të pandemisë. Theksoi edhe nevojën për të vepruar shpejt, që të zgjidhet kriza e ambientit e shpjegoi arsyet e krizës së vazhdueshme politike në anë të ndryshme të botës. Krizë, që rrit pabarazitë, emergjencat humanitare dhe konfliktet. I fuqishëm urimi i Papës që viti 2021 të sjellë paqen sidomos në Siri, Jemen dhe në Tokën Shenjte

R.SH. - Vatikan

Pandemia si bosht qendror për një reflektim të gjerë dhe të thellë mbi të këqijat e botës dhe mbi krizën e njerëzimit. E mjekësia e përkufizuar me dy fjalë kyçe: vëllazërimi dhe shpresa, të cilat bëhen mënyra për të shëruar një planet të tronditur nga virusi i indiferencës dhe i mospërkujdesjes. Papa Françesku priti sot në audiencë Trupin diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë e, në fjalimin e tij, kujtoi  se “viti që sapo ka mbaruar ka lënë pas një barrë frike, hidhërimi dhe dëshpërimi, së bashku me shumë vdekje. I vendosi njerëzit në një spirale distancimi dhe dyshimi të ndërsjellë dhe i shtyu shtetet të ngrenë barriera”. Një krizë me pasoja globale, sepse kontribuon në përkeqësimin e “krizave të tjera të ndërlidhura me të si ajo klimatike, ushqimore, ekonomike dhe migratore”.

“Ajo na krijoi probleme, duke na treguar fytyrën e një bote të sëmurë, jo vetëm për shkak të virusit, por edhe në ambient, në procese ekonomike e politike e, edhe më tej, në marrëdhëniet njerëzore. Nxorri në dritë rreziqet dhe pasojat e një mënyre jetese, ku mbizotëron egoizmi dhe kultura e hedhurinave, si edhe na vuri para një alternative: të vazhdojmë në rrugën e e deritanishme, ose të nisemi për një rrugë të re”.

Vaksinë për të gjithë, por edhe sjellje të përgjegjshme

Pandemia “na kujton të drejtën për t’u kuruar”, e “në këtë perspektivë, bëj edhe një herë thirrje që çdo njeriu t’i sigurohet kujdesi dhe asistenca për të cilën ka nevojë”, vijoi Papa Françesku në fjalimin e sotëm.

 “Vërtet, - nënvizoi Ati i Shenjtë – nuk mund të jetë logjika e përfitimit ajo që udhëheq këtë fushë kaq delikate, siç është ajo e asistencës shëndetësore dhe e përkujdesjes… Prandaj, u bëj thirrje të gjitha shteteve të kontribuojnë aktivisht në nismat ndërkombëtare, që sigurojnë shpërndarjen e barabartë të vaksinave, jo sipas kritereve thjesht ekonomike, por duke marrë parasysh nevojat e të gjithëve, sidomos të popullsive më nevojtare”.

Megjithatë, Papa nuk harroi të theksojë edhe se “mundësia për të siguruar vaksinat duhet shoqëruar gjithnjë me sjellje personale të përgjegjshme, që synojnë të pengojnë përhapjen e sëmundjes, përmes masave parandaluese, me të cilat jemi mësuar tashmë, gjatë këtyre muajve. Do të ishte fatale të bazohemi vetëm tek vaksina, sikur të bënte mrekulli, që e përjashton individin nga impenjimi i vazhdueshëm për shëndetin e vet dhe të të tjerëve”.

Ta mbrojmë jetën në çdo fazë të saj

“Pandemia – vijoi më tej Papa Françesku, duke folur për pandeminë e koronavirusit – na vuri fuqishëm para dy përmasave të pashmangshme të jetës njerëzore: sëmundjes dhe vdekjes. Pikërisht për këtë arsye, na kujton vlerën e jetës, të çdo jete njerëzore dhe të dinjitetit të saj, në çdo çast të udhëtimit të saj tokësor, që nga zënia në barkun e nënës e deri në fundin e saj të natyrshëm. Për fat të keq, vërehet me dhimbje se, me pretekstin për të garantuar të ashtuquajturat të drejta subjektive, një numër në rritje legjislacionesh në botë duket se po i shmangen detyrës themelore për mbrojtjen e jetës njerëzore në të gjitha fazat”.

Cop26: të arrihet marrëveshja për klimën, është koha për veprim

E pastaj, kriza klimatike. “Shpresoj – uroi Papa - që Konferenca e ardhshme e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26), planifikuar për nëntorin e ardhshëm në Glasgow, do të na japë mundësi të arrijmë një marrëveshje të frytshme për përballimin e pasojave të ndryshimit të klimës. Kjo është koha për të vepruar, pasi tashmë, mund t’i prekim me dorë pasojat e mosndërhyrjes së zgjatur”.

Sudani i Jugut: më se 1 milion fëmijë vuan nga uria

“Edhe në Afrikë, ndryshimi i klimës, i përkeqësuar nga ndërhyrjet pa kriter të njeriut e tani, edhe nga pandemia, është arsye për t’u shqetësuar jashtëzakonisht – nënvizoi Papa Françesku, duke folur për kontinentin e madh afrikan, ku ka shumë shtete, që luftojnë me varfërinë e me klimën. – I referohem para së gjithash pasigurisë ushqimore, e cila vitin e fundit ka prekur veçanërisht Burkina Fason, Malin dhe Nigerin, me miliona njerëz, që vuajnë nga uria; i referohem edhe gjendjes në Sudanin e Jugut, ku ekziston rreziku i urisë dhe ku vijon emergjenca serioze humanitare: mbi një milion fëmijëve u mungon ushqimi, ndërsa korridoret humanitare shpesh pengohen dhe prania e agjencive humanitare në territor kufizohet. Edhe për përballimin e kësaj gjendjeje, është urgjente më shumë se kurrë, që autoritetet e Sudanit të Jugut t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të vazhdojnë dialogun politik për pajtimin e plotë kombëtar”.

Recovery Plan: Next Generation Eu, shembull i mirë solidariteti

Duke pasur parasysh hapat e mëtejshme për përballimin e pandemisë në Evropë, Ati i Shenjtë vuri në dukje se e konsideron “të rëndësishëm impenjimin e Bashkimit Evropian dhe të shteteve anëtare të tij, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë, ditën të dëshmojnë se mund të punohet me impenjim për të arritur kompromise të kënaqshme për të mirën e gjithë qytetarëve. Fondet e propozuara nga plani Next Generation Eu përfaqësojnë një shembull domethënës sesi bashkëpunimi dhe fryma e solidaritetit nuk janë vetëm objektiva të dëshirueshëm, por realisht të arritshëm”.

Migrantët: Selia e Shenjtë pret me interes diskutimin e Paktit të Dublinit

Përsa u përket migrantëve dhe refugjatëve, të cilët kalojnë vështirësi të shumta, në mëshirën e fatit, gjatë rrugës për një jetë më të mirë, Papa Françesku sqaroi se Selia e Shenjtë po pret “me interes bisedimet për Paktin e ri të Bashkimit Evropian mbi Migracionin dhe Strehimin Politik, duke vënë në dukje se politikat dhe mekanizmat konkrete nuk do të funksionojnë, nëse nuk do të mbështeten nga vullneti dhe impenjimi i nevojshëm politik i të gjitha palëve në lojë, përfshirë shoqërinë civile dhe vetë migrantët”.

Selia e Shenjtë i sheh sanksionet si të pafrytshme

“Në disa raste, - denoncoi Papa Françesku - krizat humanitare përkeqësohen nga sanksionet ekonomike, të cilat, shpesh, prekin kryesisht shtresat më të ligështa të popullsisë, në vend që të dëmtojnë liderët politikë. Prandaj, pavarësisht se e kupton logjikën e sanksioneve, Selia e Shenjtë nuk i sheh ato si të frytshme dhe shpreson të pakësohen, edhe për të favorizuar fluksin e ndihmave humanitare, sidomos të ilaçeve dhe të aparateve shëndetësore, jashtëzakonisht të nevojshme në këtë kohë pandemie”.

Mianmari e Siria, në zemrën e Papës

Gjatë fjalimit të tij para Trupit Diplomatik të akredituar në Selisë e Shenjtë, Papa Françesku shkoi me mendje e me zemër në Mianmar, ku javën e kaluar pati një grusht shteti. Uroi që krerët politikë të arrestuar të lirohen sa më shpejt e të fillojë një dialog i sinqertë për të mirën e vendit. Por edhe Siria, qe në qendër të fjalëve të Atit të Shenjtë:

“Sa do të dëshiroja që 2021-shi të jetë viti, në të cilin të shkruhej përfundimisht fjala ‘fund’ për konfliktin sirian, i cili ka filluar dhjetë vite më parë! Që të ndodhë kjo, nevojitet një interes i ri nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të përballuar me sinqeritet dhe guxim shkaqet e konfliktit dhe për të kërkuar zgjidhje, përmes të cilave të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike ose fetare, të kontribuojnë si qytetarë për të ardhmen e vendit”.

Terrorizmi, plagë e kohës sonë: të mbrohen vendet e kultit

E më pas, plaga e terrorizmit. “Nuk mund të harroj – ngriti zërin Papa - një tjetër plagë të rëndë të kohës sonë: terrorizmin, i cili çdo vit mbjell viktima të shumta në mesin e popullsisë civile të pambrojtur në të gjithë botën. Është një e keqe, në shtim e sipër që nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar, me kulm në atentatet kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 11 shtator 2001, ku u vranë më se 3 mijë njerëz. Fatkeqësisht, numri i atentateve është rritur gjatë 20 viteve të fundit, duke goditur vende të ndryshme në të gjitha kontinentet”. Papa vijoi denoncimin, duke iu referuar vendeve të kultit: “Objektivat e sulmeve të tilla – nënvizoi ai – shpesh, janë pikërisht vendet e kultit, ku besimtarët mblidhen në lutje. Për këtë, dua të theksoj se mbrojtja e vendeve të kultit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mbrojtjes së lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë e se kjo është detyrë e autoriteteve civile, pavarësisht nga ngjyra politike dhe përkatësia fetare”, shtoi Ati i Shenjtë.

Kriza politike e përhapur, të mbahet gjallë demokracia

Papa Françesku vuri në dukje se këto kohë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbrohen demokracitë, në të gjitha shtetet. Përveç krizës politike, rriten edhe kundërvëniet e problemet, pa gjetur njerëz me aftësitë e domosdoshme për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta për planetin. Ati i Shenjtë e ngriti zërin edhe kundër përhapjes së armëve në botë, sidomos të armëve bërthamore e kimike. “Tepër armë në botë”, theksoi Françesku, duke kërkuar impenjim më të madh për zhdukjen e tyre.

Shkolla: në distancë, të rinjtë në duart e kriminelëve online

“Pandemia – vërejti Ati i Shenjtë, na ka detyruar të izolohemi me muaj, shpesh në vetmi”. Bashkë me të, e kemi ndierë më shumë nevojën për kontakte me njerëz të tjerë, sidomos nxënësit e studentët, që nuk mundën të shkonin në shkollë e universitet. Platformat në internet, me të cilat iu dha një zgjidhje problemit, vunë në dukje edhe pabarazitë në përdorimin e teknologjive më të fundit. Papa vërejti se fëmijët e të rinjtë janë më të varur nga interneti e nga komunikimi virtual, duke u ekspozuar para rrezikut të veprimtarive kriminale online. “Vërejmë – vijoi ai – një lloj ‘katastrofe edukative’, para së cilës nuk mund të rrimë duarkryq, për të mirën e brezave të ardhshëm e të krejt shoqërisë”.

Koronavirus: të mbështeten viktimat e dhunës shtëpiake

Argument tjetër, i rëndësishëm në kohë pandemie për Papën, është rreziku i dhunës shtëpiake për ata, që janë të detyruar të mbyllen brenda. Françesku u bën thirrje autoriteteve të mbështesin viktimat e dhunës në familje, sidomos gratë e fëmijët.

“2021-shi është kohë, që s’duhet humbur – përfundoi Ati i Shenjtë. - E nuk do të kalojë kot në masën me të cilën do të dimë të bashkëpunojmë me zemërgjerësi dhe përkushtim. Në këtë kuptim, mendoj se vëllazërimi është ilaçi i vërtetë për pandeminë dhe për shumë të këqija, që na kanë goditur. Vëllazërimi dhe shpresa janë si ilaçet, për të cilat bota ka nevojë sot, njëlloj si vaksinat”.

08 shkurt 2021, 13:42