Kujtime nga një lutje, që bashkoi botën
Atë Lucio Adrian Ruiz
Papa sapo ka përfunduar një nga audiencat e së mërkurës.
Rri në heshtje dhe shikon pamjet e 27 marsit, duke rijetuar atë që ndodhi atë të Premte të Kreshmëve. Ripërshkimi i etapave të Statio Orbis, kremtuar në Sheshin bosh të Shën Pjetrit, në shi, me lutjen e ndërprerë nga sirenat e ambulancave, është për të një përvojë, që shkon përtej kujtimit të thjeshtë. Në fytyrën e tij rishfaqet lutja.
E pyesim çfarë ndjeu ndërsa, në heshtje, ngjitej drejt tremes së Bazilikës:
“Ecja ashtu, i vetëm, duke menduar për vetminë e shumë njerëzve... një mendim gjithëpërfshirës, një mendim me kokë e me zemër, të dyja bashkë... Ndieja të gjitha këto dhe ecja...”.
Bota pa me sytë e vet Ipeshkvin e Romës dhe u lut me të, në heshtje.
E shikonte Papën si ndërmjetës midis Zotit dhe nesh, popullit të tij. E pyesim Françeskun se çfarë i tha Zotit në ato çaste:
“Ti e njeh këtë gjendje, edhe më 1500-ën pate zgjidhur një situatë si kjo, ‘meté mano’. Kjo shprehje ‘mbaje dorën’ është tepër e imja. Shpesh në lutje them: ‘Mbaja dorën mbi krye, të lutem!’”.
Sytë e Papës ndalen mbi Sheshin e Shën Pjetrit, bosh.
E pyesim çfarë mendoi në atë moment, cilat ishin mendimet e tij për popullin dhe për vuajtjet e kaq shumë njerëzve:
“Dy gjëra më erdhën në mendje: sheshi i zbrazët, njerëzit e bashkuar në distancë,... e nga ana tjetër, barka e migrantëve, ai monument [që ndodhet në Sheshin e Shën Pjetrit]... Jemi të gjithë mbi barkë, e prej saj nuk e dimë sa do të jenë në gjendje të zbresin... Një dramë e vërtetë para barkës, murtaja, vetmia... në heshtje...”.
Çfarë e mbajti Papën?
Çfarë i dha atij forcë dhe shpresë në atë çast të fuqishëm dramatik? Françesku rri në heshtje, duke parë fotografinë e të Kryqëzuarit:
“Puthja e këmbëve të të Kryqëzuarit gjithmonë jep shpresë.
Ai e di se çfarë do të thotë të ecësh dhe e njeh karantinën, sepse e mbërthyen me dy gozhda për ta mbajtur pa lëvizur. Këmbët e Jezusit janë busull në jetën e njerëzve, si kur ecin, ashtu edhe kur qëndrojnë në vend. Këmbët e Zotit më prekin shumë...”.
Të bën përshtypje mungesa e njerëzve në Sheshin e shkretuar. Kaq ndryshe nga të gjitha herët e tjera, nga të gjitha kremtimet e tjera. Por a e ndjeu Papa praninë e besimtarëve, madje edhe të jobesimtarëve? A e ndjente sa shumë njerëz ishin lidhur me Pasardhësin e Pjetrit dhe me njëri-tjetrin përmes mediave?
“Isha në kontakt me njerëzit. Nuk kam qenë vetëm, për asnjë çast... Kërkova të ishte e pranishme Virgjëra, Salus Populi Romani, e desha atje... Edhe Krishtin... Krishtin e Mrekullive... Ishte diçka unike”.