Kërko

U ndez në Norcia të Italisë Pishtari benedektin, në kriptën e Bazilikës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2016 U ndez në Norcia të Italisë Pishtari benedektin, në kriptën e Bazilikës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2016

Papa: “Pishtari benedektin të inkurajojë hapat në shtigjet e shenjtërisë”

U ndez në Norcia të Italisë Pishtari benedektin, që sivjet u kushtohet punonjësve të shëndetësisë, në luftë kundër Covid-19. Në mesazhin e tij, Papa Françesku i inkurajon të gjithë të ecin në gjurmët e Shën Benediktit, Pajtor i Evropës

R.SH. - Vatikan

“Gjesti domethënës, që këtë vit simbolizon kaq shumë dëshirën për rilindje, na inkurajoftë të ecim në shtigjet e shenjtërisë, pas gjurmëve të Shën Benediktit dhe të atyre, që janë frymëzuar prej tij, për të takuar kështu Krishtin me gëzim”. Këtë uron Papa Françesku në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për abatin e Montecassino-s, dom Donato Ogliari, me rastin e kremtimeve benedektine për ndezjen e pishtarit “Pro Pace et Europa una”. Ky pishtar do të kalojë nëpër dy vende simbolike të betejës kundër Covid-19 : spitali infektiv “Spallanzani” në Romë (17 mars) dhe spitali “Gjoni XXIII” në qytetin e Bergamos, në veri të Italisë (18 mars), fatkeqësisht, i njohur për viktimat e koronavirusit, sidomos në fillim të pandemisë.

Udha e Pishtarit benedektin filloi më 27 shkurt pasdite e është krejtësisht e ndryshme nga vitet e kaluara, për shkak të pandemisë së Covid-19, e cila kërkon respektimin e normave të veçanta, që synojnë frenimin e përhapjes së virusit. Për herë të parë pas tërmetit të 30 tetorit 2016, dhe vetëm për këtë rast, u dha mundësia e hyrjes në kriptën e bazilikës së Shën Benediktit në Norcia, që ende po rindërtohet e po restaurohet.

Pikërisht këtu, në një hapësirë të pastruar nga rrënojat e tërmetit, u kremtua ceremonia solemne e ndezjes së Pishtarit benediktin. Në të morën pjesë, me përfaqësuesit e tyre, tri komunat e binjakëzuara në emër të Shën Benediktit - Norcia, Subiaco dhe Cassino. I pranishëm edhe delegacioni nga Abacia e Montecassino-s, kryesuar nga abati. Gjatë ceremonisë u lexua Mesazhi, që u solli pjesëmarrësve bekimin e Papës Françesku. Pishtari i Shën Benediktit, Pajtorit të Evropës, do të kthehet në Norcia, më 20 mars.

01 mars 2021, 10:47