Kërko

Pacientë në spitalet e Kolumbisë Pacientë në spitalet e Kolumbisë

Covid, Papa i dhuron Kolumbisë aparate për frymëmarrje dhe maska

Papa Françesku, përmes Nunciaturës Apostolike, i dërgon Kolumbisë materiale mjekësore dhe kirurgjikale për trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus. Një dhuratë tjetër e Atit të Shenjtë për vendet në vështirësi, për shkak të pandemisë

R.SH. - Vatikan

Në Amerikën Latine, ku ditët e fundit u tejkalua kuota e 700.000 vdekjeve për shkak të koronavirusit, mbërrin bamirësia e Papës Françesku. Këtë herë, i takon Kolumbisë të marrë një donacion nga Ati i Shenjtë, dërguar përmes Nunciaturës Apostolike. Është fjala për materiale mjekësore dhe kirurgjikale për trajtimin e pacientëve të infektuar: katër aparate për frymëmarrje, maska ​​të ndryshme mbrojtëse dhe rreth 200 syze mbrojtëse.

Materiali mjekësor shpërndahet në zonat e varfëra

Siç njofton faqja e internetit e Konferencës Ipeshkvnore Kolumbiane, nunci apostolik, imzot Luis Mariano Montemayor, i çoi dhuratat e Papës në disa zona të vendit veçanërisht të prekura nga pandemia, me vështirësi në shërbimin shëndetësor. Me ndihmën e Forcës ushtarake Ajrore Kolumbiane dhe në bashkëpunim me Ordinariatin Ushtarak të Kolumbisë, të gjitha pajisjet mjekësore iu dorëzuan ipeshkvit të Quibdó, imzot Juan Carlos Barreto Barreto, për qendrat e ndihmës spitalore të qytetit, si spitali Shën Françesku i Asizit dhe klinika Santiago. “Ky gjest bashkohet me shqetësimin e vazhdueshëm të Papës Françesku për Kolumbinë në shumë fusha, si edhe shpreh vëmendjen e tij për të gjitha Kishat”, pohojnë ipeshkvijtë në një notë, me mirënjohje e dashuri për Papën.

Ndihma e mëparshme e Papës

 Nuk është hera e parë që Papa Françesku u dërgon materiale mjekësore popullsive në vështirësi. Një vit më parë, më 23 prill, në ditën e emrit, Papa Bergoglio u dërgoi aparate frymëmarrjeje e materiale të tjera spitaleve të Italisë, Spanjës dhe Rumanisë. Gjithnjë në vitin 2020, kur bota ishte në gjunjë, për shkak të pandemisë, aparate për frymëmarrjen u blenë nga Selia e Shenjtë për t’u dërguar në qytetin rumun Suceava, në spitalin italian të Lecce-s e në tre spitale të tjera spanjolle në Madrid. Bashkë me to, edhe maska, syze mbrojtëse e tuta për terapitë intensive. Në gusht, 18 ventilatorë Draeger e gjashtë ekografë portativë Fuji mbërritën në Brazil, për t’u dërguar në zonën amazonike, në bashkëpunim me shoqatën “Hope onlus”.

20 prill 2021, 14:48